I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Sadik Zeqiri, kujton 24 marsin e vitit 1999
Jo të gjithë shqiptarët më 24 mars kuptuan me kohë lajmin për nisjen e sulmeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe.
Në atë periudhë mijëra shqiptarë ishin të persekutuar nëpër burgje dhe nuk kishin informacione se çfarë po ndodhte jashtë katër mureve.
Sadik Zeqiri, tani 51 vjeç, është një prej atyre që i mbijetuan masakrës së Dubravës, ku u vranë mbi 100 shqiptarë dhe u plagosën 200 të tjerë.
Ai tregon se në momentin që ai me shokë kuptuan se NATO kishte nisur bombardimet, gardianët u bënë edhe më agresivë duke ushtruar dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve.
Tutje, Zeqiri thotë se çfarë u thoshin gardianët serbë të burgosurve për sulmet e NATO-s.
“Ata na thoshin se ne e kemi kërkuar NATO-n, NATO dëshiron që t’i mbrojë terroristët. Madje na thoshin se asnjë njeri në Kosovë nuk ka mbetur i gjallë sepse i kishin vrarë. NATO-ja është duke bombarduar kot sepse nuk ka njerëz të gjallë dhe ushtarë serbë”, thotë i mbijetuari i masakrës së Dubravës.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rrëfen se një pjesë e shokëve të tij mbetën me trauma pas atyre ngjarjeve të rënda.
Madje disa prej tyre më vonë kryen edhe vetëvrasje.
“Kemi akoma shumë vuajtje, por nuk është kujdesur mjaftueshëm shteti për ne. Ne kemi nevojë për trajtim. Ndoshta nganjëherë nuk i shfaqim problemet që i kemi sepse i mbajmë për vete. Ka prej të burgosurve që kanë kryer vetëvrasje për shkak të traumave që iu kanë shkaktuar”, shprehet Zeqiri.
Masakra e Dubravës cilësohet si një nga masakrat më të mëdha kundër shqiptarëve që ndodhën në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999.
Masakra zgjati për disa ditë, përkatësisht nga 19 deri më 24 maj 1999./teve1



