Ibraimi: Krenar për rekordin, por synoj të vazhdoj të shënoj

06 dhjetor 2019 | 11:02

Sulmuesi kërçovar i Shkëndijës së Tetovës, Besart Ibraimi, ka kohë që llogaritet në mesin e golashënuesve më të mirë në historinë e futbollit në Maqedoninë e Veriut.

Pas rekordit si futbollisti i parë që fiton tri herë rresht titullin “Këpuca e Artë” (golashënuesi i sezonit) në elitën e Maqedonisë së Veriut, tashmë edhe zyrtarisht shkruan emrin e tij si autori i më shumë golave. Dy realizimet në fitoren e të dielës me Shkupin çojnë në 167 numrin e golave të Ibraimit. “Sigurisht se për mua është kënaqësi e veçantë të jem bartës i këtij rekordi dhe për këtë dua t’i falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar në rrugën time drejt kësaj arritje”, ka thënë Ibraimi për faqen zyrtare të Shkëndijës.

“Falënderimet i takojnë Zotit që më dha shëndet dhe mundësi të arrij këtë sukses. Pa dyshim, mirënjohës për bashkëlojtarët, trajnerët dhe gjithë në klub, bashkë me tifozët e Shkëndijës dhe ‘Ballistët’, pa mbështetjen e të cilëve nuk do të ishte e mundur kjo arritje. Një dedikim edhe për familjen që gjithmonë më ka përkrahur për të ecur përpara”, ka shtuar ai. Me dy golat kundër Shkupit, Ibraimi kompletoi 85 realizime kampionale me fanellën e Shkëndijës në Ligën e Parë, ku zhvillon sezonin e pestë si kuqezi. Tri herë rresht doli golashënuesi i sezonit (25 gola në sezonin 2015/16, 20 gola në atë 2016/17 dhe 23 gola në sezonin 2017/18), për t’u ndalur në 11 gola (në vetëm 10 ndeshje) sezonin e shkuar, kur duhej t’i operonte ligamentet e kryqëzuara. Këtë fushatë, në kampionat, ka realizuar 6 herë dhe 2 gola në Kupë. Gjithsej në ndeshjet zyrtare me Shkëndijën, deri tani, Besarti ka realizuar 114 gola (85 në kampionat, 15 në Kupë dhe 14 në Kupat e Evropës). “Jam krenar për këto shifra që kam mundur të realizoj me fanellën e Shkëndijës, për më shumë që ata gola kanë ndihmuar skuadrën t’i arrijë objektivat, si fitimi i titujve vendorë dhe ecuria pozitive në Evropë”, ka deklaruar Ibraimi.

Numri 7 i kuqezinjve shton se vazhdon të ndiejë uri për të shënuar sa më shumë gola. “Synoj të shënoj akoma me këtë fanellë. Pas operimit dhe pauzës ishte e pritshme të përballesha me vështirësi në drejtim të kthimit të formës optimale, por ngadalë gjërat marrin vendin e duhur. Pretendimi im është të vazhdoj të shënoj për ta ndihmuar Shkëndijën në ecurinë drejt objektivave”, ka përfunduar Ibrahimi.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Izmi Zeka Ikja e trurit nuk është veç problem…