Ide të ndryshme për stadiumin kombëtar

22 nëntor 2019 | 12:35

Ende nuk dihet saktësisht se ku do të ndërtohet stadiumi kombëtar. Përveç ideve të ndryshme për vendin, ide të tjera për stadiumin kanë dhënë trajnerët në Kosovë të cilët kanë shprehur mendimin se ky stadium është i panevojshëm. Gani Sejdiu dhe Tahir Batatina kanë thënë se më mirë do të ishte zgjerimi i kapaciteteve në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe të investohet në stadiume të tjera. Ndërsa analisti Genc Sermaxhaj ka thënë se stadiumi kombëtar duhet të ndërtohet, por në Prishtinë e jo në Drenas.

Debati për vendin se ku duhet të ndërtohet stadiumi kombëtar ka vazhduar edhe të enjten. Disa prej trajnerëve të futbollit në Kosovë e shohin të panevojshëm debatin se a duhet stadiumi të ndërtohet në Korreticë të Drenasit apo në Bërrnicë të Prishtinës, pasi ata besojnë se më mirë do të ishte të zgjerohet stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe të investohet edhe në stadiumet e tjera të Superligës.

Trajneri  Gani Sejdiu, që llogaritet ndër më të suksesshmit në Kosovë, ka thënë se investimi në stadiumet “Fadil Vokrri” dhe “Adem Jashari”, por edhe në stadiumet e tjera do të ishte më i mirë se ndërtimi i një stadiumi kombëtar. “Mendoj se është dashur të investojmë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, që ta shtojmë kapacitetin edhe në stadiumin ‘Adem Jashari’, kurse disa mjete të tjera t’i investojmë nëpër stadiumet e Superligës, ku gjendja e tyre nuk është e mirë dhe, të them të drejtën, nuk i intereson akujt. Megjithatë, projekti për stadiumin nacional është madhor dhe do t’i shërbejë Kosovës për të ardhmen, por nuk është mirë të përdoret për interesa politike”, ka deklaruar Sejdiu.

Të njëjtin ide e ka dhënë edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i cili ka thënë se Kosova e ka stadiumin kombëtar “Fadil Vokrri”, veçse duhet zgjeruar dhe të investohet edhe në stadiumet e tjera. “Nuk kemi nevojë as për Korreticën, as për Bërrnicën, por ta zgjerojmë stadiumin tonë kombëtar ‘Fadil Vokrri’. Në çdo shtet stadiumi kombëtar është në kryeqytet dhe qytete të ndryshme, ndërsa ne e kemi stadiumin, vetëm duhet ta zgjerojmë dhe me mjetet e tjera edhe Llapi, Drenica, Gjakova dhe qytetet e tjera t’i ndërtojnë stadiumet e nivelit të katërt për ndeshjet ndërkombëtare me nga 12 000 ulëse. Edhe e zhvillojmë futbollin, edhe nuk kemi anime se ku u ndërtua apo ku po ndërtohet”, ka deklaruar Batatina.

Por ndryshe mendon analisti Genc Sermaxhaj. Ai ka thënë për gazetë se stadiumi duhet të ndërtohet, por jo në Drenas. Ish-futbollisti i shumë klubeve në Kosovë, ka thënë se gjithkund në botë stadiumi kombëtar është në kryeqytet. “Është shumë e rëndësishme lokacioni, por edhe ndërtimi i shpejtë i stadiumit kombëtar. Vendimet e mëhershme janë bërë në baza politike që ky stadium t’i shkojë dikujt sa me afër, edhe para derës së shtëpisë. Këto veprime janë të gabueshme dhe tani shqyrtimet për ndërtimin e këtij stadiumi janë me vend dhe me gjasë do të ndryshohet edhe lokacioni i mëhershëm. Vendi më i mirë, i duhur, komod dhe që i plotëson edhe shumë kërkesa të tjera për lojtarët, tifozët, kombëtaret dhe ekipet e tjera që vijnë në Kosovë është në kryeqytet apo afër Prishtinës. Stadiumet e kombëtareve kryesisht janë në kryeqytete. Prishtina është vendi i duhur për këtë stadium. Në të ardhmen, kur të bëhen mundësitë për ndërtimin e një stadiumi tjetër, le të ndërtohet në Gjilan, Ferizaj, Drenas, Prizren apo në një qytet tjetër”, ka deklaruar Sermaxhaj.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një javë më parë, A2 solli për herë të parë…