Identifikohet personi që dyshohet se kreu vjedhje në vilën e biznesmenit kosovar në Brezovicë

29 nëntor 2022 | 23:54

Ditë më parë është raportuar për një rast të vjedhjes që ka ndodhur në Shtëprcë, ku cak i hajnave ka qenë vila në Brezovicë e biznesmenit të njohur, Alban Quka. Quka kishte deklaruar në Polici se hajnat kanë arritur që të marrin pajisjet e ngrohjes në vlerë prej rreth 15 mijë eurove, teksa i dyshuari ishte larguar në drejtim të panjohur.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore të ndërmarra është arritur që i dyshuari të identifikohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

47-vjeçari para hetuesve policorë ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet, duke marrë pajisjet që shërbejnë për ngrohje qendrore e të cilat kapin vlerën e rreth 15 mijë eurove.

Pajisjet që janë vjedhur janë konfiskuar dhe i janë kthyer në pronësi Qukës, ndërsa ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’.

Ndryshe, kompania Alban Qukës ka ndërtuar një numër të madh të vilave e hoteleve në zonën turistike të Brezovicës, të cilat janë në listën e të sekuestruarave.

Kompania ‘Quka Co’ është përmendur në disa raste të shkatërrimit të natyrës në Brezovicë, pasi dyshohet se në kundërshtim me ligjin ka kryer gërmimet dhe prerjen e pyjeve në Parkun Sharri.

E Prokuroria Themelore në Ferizaj më 31 korrik të vitit 2018 kishte ngritur aktakuzë ndaj Alban Qukës, i cili akuzohej se që nga viti 2014 ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme disa parcela të cilat gjenden në Brezovicë.

Sipas aktakuzës, Quka ka rrënuar objektin e vjetër dhe më pas ka ndërtuar një të ri të cilin ua ka shitur personave të tretë, duke ia pamundësuar të dëmtuarës të shfrytëzojë pronën e saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga Albulena Haxhiu ka shpallur…