IHMK-ja paralajmëron erëra të forta të enjten, bën thirrje për kujdes

17 nëntor 2026 | 16:59

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar erëra të forta dhe ndryshime të kushteve atmosferike gjatë ditëve në vijim, duke veçuar të enjten si ditën më të paqëndrueshme të javës.

Sipas përditësimit të fundit të parashikimit të motit për periudhën 18–20 nëntor, temperaturat do të mbeten relativisht të larta për këtë periudhë të vitit, por rënia e presionit atmosferik pritet të sjellë erëra të fuqishme dhe reshje të herëpashershme.

“E enjtja është dita më e paqëndrueshme e javës dhe ajo që kërkon vëmendjen më të madhe. Temperaturat arrijnë kulmin e ngrohtësisë, rreth 15–18 °C, vlera të larta për mesin e nëntorit. Presioni zbret në nivelin më të ulët, rreth 999 hPa. Elementi kryesor është era. Pritet erë e fortë nga jugu dhe jugperëndimi, me shpejtësi të vlerësuara 30–45 km/h dhe me rrebeshe të mundshme edhe më të forta. Ajo do të jetë më e ndjeshme nga mesdita deri në mbrëmje. Gjatë ditës priten edhe reshje të lehta me ndërprerje, rreth 1 mm për çdo tri orë, ndërsa nga fundi i ditës kalon një front atmosferik që ndryshon drejtimin e erës”, është thënë në njoftimin e IHMK-së.

Të mërkurën, më 18 nëntor, temperaturat do të lëvizin nga 9 gradë Celsius në mëngjes deri në 16 gradë gjatë ditës. Vranësirat do të shtohen gradualisht, ndërsa nuk përjashtohen reshje shumë të lehta shiu. Era do të jetë e dobët deri mesatare, me tendencë forcimi gjatë mbrëmjes.

Temperaturat gjatë kësaj dite do të arrijnë deri në 18 gradë Celsius, ndërsa erërat më të forta priten nga mesdita deri në mbrëmje.

Këshillat e Institutit

“Qytetarët këshillohen të sigurojnë objektet e lehta jashtë shtëpive, tabelat reklamuese dhe skelat e ndërtimit. Vozitësit duhet të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në rrugë të hapura”, është thënë në paralajmërimin e IHMK-së.

Të premten, më 20 nëntor, moti pritet të stabilizohet gradualisht. Temperaturat e mëngjesit do të jenë rreth 8 deri në 9 gradë Celsius, ndërsa gjatë ditës mund të arrijnë deri në 17 gradë. Era do të vazhdojë të jetë e fortë në orët e para, por më pas pritet të dobësohet.

Sipas IHMK-së, pas fundjavës pritet një rënie më e theksuar e temperaturave, me vlera maksimale rreth 9 deri në 11 gradë Celsius.

IHMK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i ndjekin përditësimet e parashikimit, pasi kushtet meteorologjike mund të ndryshojnë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen i Irlandës,…