IKD-ja: Gjykatat me drejtësi selektive në lëndët civile

03 nëntor 2019 | 12:52

Gjykatat e Kosovës po vazhdojnë zvarritjen e lëndëve civile dhe nëse shkohet me këtë tempo ku për çdo gjashtë muaj, numri i lëndëve të pazgjidhura të cilat barten vit pas viti të ulet nga 166 lëndë, nënkupton se sistemit të drejtësisë do t`i duhet plotë 132 vite në zgjidhjen e lëndëve në çështjet civile.

Kështu është thënë të dielën na zyrtarët e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) gjatë prezantimit të raportit të publikuar “Drejtësia civile në Kosovë, Ligji vs Praktika”.

Në vitin 2016, gjykatat themelore kanë zgjidhur gjithsej 17,544 lëndë civile, ky numër ka rënë për 633 lëndë në vitin 2017, dhe për 143 lëndë të tjera në vitin 2018.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se janë monitoruar rreth 2 mijë seanca, për çka janë evidentuar zvarritjet e lëndëve.

“Karakteristikë tjetër e këtij raporti është drejtësia selektive, nuk trajtohen njëjtë qytetarët e thjeshtë për dallim nga ata që vijnë nga politika. Qytetari i Kosovës për të realizuar një të drejtë duhet të pres ndoshta deri në 10 vjet për të marrë drejtësinë nga gjykatat tona. Karakteristikë tjetër kemi rastin ‘ping-pong’, ku gjykata e apelit kthen në rigjykim në Gjykatën Themelore. Ky raport gjen se gjykatësit e Kosovës kanë bërë praktikë që normën e lëndëve të trajtuara mos ta arrijnë asnjëherë”, ka thënë Miftaraj.

Ndërsa hulumtuesi në IKD, Gëzim Shala, ka thënë ka pasur zvarritje të lëndëve të trajtuara nga ana e gjykatave.

“Në vitin 2018 nuk e kanë arritur normën përcaktuese gjyqtarët, nga 329 lëndë të njëjtit kanë kryer 182 lëndë, përkatësish 147 lëndë më pak. Ata nuk e kanë arritur normën as në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, gjyqtarët mesatarisht kanë kryer 105 lëndë. Nëse shkohet me këtë tempo, përkatësisht që çdo gjashtë mujor, numri i lëndëve të pazgjidhura të cilat barten vit pas viti të ulet nga 166 lëndë nënkupton se sistemi i drejtësisë do t’i duhet plotë 132 vite në zgjidhjen e lëndëve në çështjet civile, që nënkupton diçka objektivisht të paarritshme”, është shprehur Shala.

Sipas tij, Gjykata Supreme ka arritur një stabilitet sa i përket numrit të lëndëve.

Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që nga kohëzgjatja e trajtimit të një rasti nga parashtesimi u padisë deri në aktgjykim përfundimtar, është 1734 ditë. Megjithatë, Shala ka thënë se kanë gjetur zgjedhje selektive në trajtimin e lëndëve.

Në bazë të rekomandimeve të IKD-së, sistemi gjyqësor duhet të angazhohet maksimalisht që lëndët civile të kryhen brenda një afati të arsyeshëm kohor.

Shqiponjë Gashi nga IKD-ja ka thënë se gjyqtarët duhet të ndalin praktikat e pezullimit të lëndëve pa bazë ligjore.

“KGJK të bëjë një analizë gjithëpërfshirëse të divizioneve civile me lëndë në mënyrë që të ketë mundësi të ndërmarrë hapa për stabilizimin e këtyre divizioneve, veçanërisht sa i përket lëndëve të cilat barten vit pas viti”, është shprehur Gashi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mosradhitja e LDK-së si parti e parë në zgjedhjet e…