IKD: Të ndalen deklaratat politike që cenojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor

27 tetor 2021 | 16:31

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë thirrje që të ndalen akuzat në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Përmes një reagimi për medie, IKD-ja ka vlerësuar se kjo qasje po e cenon pavarësinë e sistemit të drejtësisë në vend dhe po i rrezikon reformat e nevojshme për sistemin e drejtësisë.

“Vendimi i fundit i KPK për të ngrirë bashkëpunimin institucional me Ministrinë e Drejtësisë, sikurse edhe deklaratat politike të Ministrisë së Drejtësisë ndaj sistemit prokurorial cenojnë dhe dëmtojnë pavarësinë e sistemit prokurorial të garantuar me Kushtetutë dhe ligj, paraqesin pengesë për të promovuar sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe zbatimin e reformave të filluara”, është thënë në reagimin e IKD-së.

Ky institut ka bërë me dije se Kosova po kalon në fazë kritike që lidhet me tri procese të rëndësishme për përmirësimin dhe ngritjen e sistemit të drejtësisë në vend, si procesi i vetingut, zbatimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe pakoja e ligjeve të sistemit prokurorial në Kosovë. “Vetingu – IKD vlerëson dhe mbetet pranë nismës së saj për ta përfshirë sistemin e drejtësisë në procesin e Vettingut, si proces pa alternativë. Si i tillë, ky proces kërkon dialog konstruktiv dhe të bazuar në fakte dhe mirëbesim në mes të partisë në pushtet në radhë të parë me partnerët ndërkombëtarë, pasuar me dialog konstruktiv dhe përmbajtjesorë me akterët e sistemit të drejtësisë, partitë politike opozitare dhe komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, është thënë në reagim.

Sa i përket Strategjisë për Sundimin e Ligjit, institut ka vlerësuar se miratimi i kësaj strategjie mbetet një ndër sukseset më të mëdha në fushën e sundimit të ligjit nga viti 1999. “Miratimi i kësaj strategjie është përcjell së paku në katër vitet e fundit më një dialog dhe bashkëpunim konstruktiv mes partive në pushtet me akterët e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë, përfshirë ndihmën profesionale dhe financiare të partnerëve ndërkombëtarë. Strategjia parasheh qe zbatimi dhe monitorimi i zbatimit të saj realizohet nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e sistemit të drejtësisë”, ka vlerësuar IKD, duke përmendur pakon e ligjeve të sistemit prokuroria. “Pjesë e zbatimit të Strategjisë është plotësim ndryshimi i ligjeve të sistemit prokurorial, ku hyjnë ligjet për KPK, Prokurorin e Shtetit dhe Ligjin për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.  Përmes këtyre ligjeve dhe në bazë të objektivave të përcaktuara me Strategji synohet të rritet dhe përmirësohet llogaridhënia, integriteti, profesionalizmi, administrimi dhe menaxhimi efikas i sistemit prokurorial në Kosovë”, ka vlerësuar institut.

Të gjitha këto procese, sipas IKD-së, duhet të zhvillohen përmes bashkëpunimit, koordinimit dhe mirëbesimit të ndërsjellë në mes të institucioneve qeveritare, akterëve të sistemit prokurorial, partnerëve ndërkombëtarë, shoqërisë civile dhe publikut. “Fatkeqësisht, retorika e përdorur ditëve të fundit në mes të akterëve të caktuar të MD-së dhe sistemit prokurorial janë duke penguar zhvillimin e këtyre proceseve.  IKD në vazhdimësi ka potencuar se sistemi i drejtësisë ka probleme serioze, të konfirmuara edhe përmes raporteve ndërkombëtare, të cilat kërkojnë intervenime të shpejta por përmes një procesi gjithëpërfshirës të bazuar në mirëbesim, bashkëpunim dhe koordinim institucional. IKD në pajtim me obligimet që dalin nga Kushtetuta e Kosovës, por edhe standardet ndërkombëtare dënon çdo deklaratë politike që cenon pavarësinë dhe integritetin e sistemit prokurorial, dhe që paraqet pengesë për të vazhduar me reformat e sistemit të drejtësisë”, është thënë në reagimin e IKD-së.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Myrto Uzuni është rikthyer te…