IKShPK-ja bën thirrje për kujdes ndaj etheve të minjve, paraqitet rasti i parë

09 gusht 2021 | 11:37

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se është duke e përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve, ku për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës.

Sipas këtij instituti, sivjet është paraqitur rasti i parë i etheve të minjve.

“Ethet e minjve prindër të nderuar!
Kujdesuni për fëmijët tuaj!
Ruani ushqimet nga minjtë!
Mos përdorni fruta mali të palara sepse mund të sëmureni nga ethet e minjve! KUJDES! Varësisht nga shumimi i minjve, në laboratorët e mikrobiologjisë diagnostikuam rastin e parë sivjet me ethe të minjve. Burimi i infeksionit janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse”, ka njoftuar IKShPK-ja.

Sipas IKShPK-së, në organizmin e njeriut shkaktari hy përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës.

“Trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë. Poqese të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat. Klinika Interne, gjegjësisht repartet e dializës janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës”, ka njoftuar IKShPK-ja.

Masat parandaluese
1. Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane.
2. Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve.
3. Përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë
4. Frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar
5. Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar
6. Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve
7. Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies
8. Mos hidhni mbeturina kudo
9. Të bëhet klorimi i ujit të pijes
10. Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve
11. Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian ka kërcënuar me masa të reja kundër udhëheqësit…