IKShPK-ja: Mosrespektimi i masave po rrezikon situatën epidemiologjike

28 tetor 2020 | 19:19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) në Kosovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër pandemisë, me theks të veçantë në mbajtjen e maskës mbrojtëse dhe distancës fizike.

“Pakujdesia na dërgon shumë shpejt në mbingarkesën e institucioneve shëndetësore dhe shtimin e rasteve fatale”, thuhet në një postim të IKSHPK-së, në rrjetin social “Facebook”.

Në Kosovë situata epidemiologjike po tregon sinjale të përkeqësimit, pasi të mërkurën (28 tetor) janë konfirmuar 281 të infektuar me koronavirusin e ri.

IKShPK-ja thotë se ky është numër rekord dhe se rritja e numrit të rasteve, javën e fundit, është pasojë e neglizhimit të masave.

“Pakujdesia e disa qytetarëve shton rrezikun e përhapjes së infeksionit dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të paparashikuara e që mund të paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve”, ka njoftuar IKShPK-ja.

Në Kosovë raste aktive aktualisht janë 2.658.

Që nga mesi i muajit mars, janë infektuar 18.626 persona, prej të cilëve 673 kanë vdekur ndërsa 15.295 janë shëruar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar opinionin publik se sonte…