Ilir Shaqiri uron me një poezi kompozitorin Fahri Beqirin për ditëlindje

06 prill 2021 | 12:47

“Sot feston ditëlindjen e 85-të kompozitori i madh shqiptar, Fahri Beqiri – autori i veprave të mëdha muzikore, profesori që edukoi shumë breza studentësh në Fakultetin e Muzikës në Prishtinë, mjeshtri i papërsëritshëm që ngriti në nivele artistike: zëra të rinj, grupe të reja, formacione të ndryshme orkestrinash e festivale të munguara gjithandej Kosovës dhe asnjëherë nuk deshi të emërtohej ndryshe, përveçse “argat” i artit të bukur muzikor. Të paçim profesor, gëzuar!”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” këngëtari Ilir Shaqiri.

ARKOND I SË BUKURËS

Arëzash vrapuam
pas argatërisë tënde
në arkipelagun muzikor,
sepse kush si ti
s’mund ta gatuante aq bukur
argjilën e shkelur e të përndezur
me tingujt e qiellit të trazuar.

Reshti ara arbërore,
pulsi i dritës shpërtheu
nga dora e mendja mjeshtërore
te poema Skënderbeu…

Atë rregë të ngushtë tingëllore
e shtove e shtrove e ngrite
mes stinëve të hidhëta përvëlore
rrënjë e rrap e ndrite!

Trefish hija nga trupi,
nam madh që zure frena,
asnjë xixë bukurie s’të humbi
mes hovesh ku shkundej skena!

Nga fije floku e të thoi
lumë djerse të përshkonte,
koncerti mund të mbyllej
vetëm atëherë
kur salla të kreshpëronte!

Lirar që lanë faqet në krua,
o lirës i djersëve tua…
E vjen prapë e na thua:
argat më quani mua,
së kështu jam dhe dua!

Dhe ndoqëm muzikëbërësit,
dirigjentët
në skenat e kësaj bote,
por askush nuk na ngjanë,
askund
si kreshendoja jote…

Eh, profesor…, sa shumë na dhe!

Dhe krejt çfarë bëmë për ty
peshon në krahët e fluturës…,
o rendar i argatërisë muzikore –
Arkond i së bukurës!

ISh

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është duke siguruar rreptë…