In Memorian / Mërgata shqiptare e Kosovës po e ndjen mungesën e Arian Dacit

12 shkurt 2019 | 15:36

Nga Hilmi Gashi, Gjermani

Populli shqiptar i shtyrë nga vuajtjet e reprezaljet që përjetojë nga serbo-sllavët, ju desh të marrin rrugët e mërgimit, të kërkojë shpëtim në shumë vende të Evropës e të botës së civilizuar, deri në Amerikë e Kanada, si dhe deri në Australi e Zelandën e Re. Kjo pjesë shqiptare e Kosovës, e ndarë fizikisht nga vendlindja, familja e farefisi i vet, të mërzitur e të përmalluar, të vetmen mbështetje të madhe dhe shtyllë mbrojtjeje të fortë e kishte ish-presidentin e nderuar e të paharruar, dr. Ibrahim Rugova.
Nga shkuarja në Amshim e ish-presidentit tonë historik mërgata shqiptare e Kosovës e kishte afër vetes, në mbrojtje të përhershme, akademikun Nexhat Daci, aq sa kur u largua nga skena politike e Kosovës duhet thënë se mërgata e saj mbeti disi në mëshirën e Zotit, si të thuash me një fjalë të vetme: Jeto dhe mbijeto si të dish vet.

Edhe pse mërgata shqiptare e dha ndër dekada kohe çdo gjë nga vetja e saj për Kosovën dhe Trojet Etnike Shqiptare në Ballkan duke mos kursyer as edhe atë më të shtrenjtën – jetën e vet për çlirimin e popullit shqiptar nga pushtuesi shumëshekullor serbo-sllavë, në vend që klasa politike e Kosovës së pasluftës së fundit, e Kosovës së lirë e të pavarur, të jenë e të mbeten mirënjohës për kontributet e dhëna prej saj, ndodhen e prapë po ndodhin disa veprime, shmangie e mos vlerësime ndaj mërgatës sonë.
Ende nuk po i mundësojnë ligjërisht e praktikisht ulëse në Kuvendin e Kosovës edhe mërgatës shqiptare, deputetët e së cilës do të ishin zëri i mërgatës në parlament, do të ishin mbrojtje e mërgatës shqiptare të Kosovës. Fatkeqësisht ligjvënësit e Kosovës kanë marrë vendime për të lënë mërgatën shqiptare e figura të vlerësuara e të nderuara të saj sa ma larg politikbërjes në Kosovë (!)

Për të argumentuar sa ma mirë, saktësisht e plotësisht këto që po them në qëndrimet ndaj mërgatës shqiptare, po sjell dy shembuj:
1. – Regjistrimi i Popullatës, ku mërgata shqiptare është jorezidente (mysafire) në Kosovën tonë të lirë e sovrane.
2.- E Drejta e votës, për të cilën asnjëherë deri më sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Prishtinës nuk e ka përgatitur terrenin e duhur juridik e praktik për pjesëmarrje në votime të mërgatës shqiptare të Kosovës, si të gjithë qytetarët e tjerë. Ende nuk ka klimë politike, as rrugë juridike, as veprime konkrete për të përgatitur terrenin e duhur nga shteti ynë i Kosovës për të marrë pjesë edhe mërgata shqiptare në zgjedhjet parlamentare e lokale, të radhës apo të parakohshme, në selitë e ambasadave e konsullatave të Kosovës, që tashti i kemi pothuaj në të gjitha shtetet euroatlantike të Evropës, etj.

Them se duke e parë që mërgata shqiptare ka mbetur pothuaj në mëshirën e Zotit nga shteti i vet amësor i Kosovës dhe çdo ditë e vit kohor po anashkalohet pjesëmarrja, roli, pesha, lidhjet e kontributet e saj në jetën e zhvillimet aktuale e perspektive të Kosovës, akademiku ynë Nexhat Daci, ia lenë amanet për së gjalli, djalit të tij, Arianit, që të mos e harrojnë kontributin e mërgatës shqiptare për Kosovën dhe sa herë t’i krijohet mundësia e t’i jepet rasti të jetë në mbrojtje të saj.

Djali i tij, Ariani, duke i marrë seriozisht këshillat atnore, përvojën jetësore, politike e akademike të të atit të tij, angazhohet si i ri në politikën e Kosovës, jep kontributet e tij, krijon profilin e vet politik, lartëson emrin e vet dhe shpreh dëshirën e tij të kushtëzuar që të merret me mërgatën shqiptare. Ndaj, politika e Kosovës, Qeveria e saj, duke ia parë aftësitë e mundësitë, karrierën e përkushtimet e tij, e emërojnë Arian Dacin në detyrën e zëvendësministrit të Diasporës të Kosovës prej vitit 2017 e deri në shkurtin e sivjetëm kur një ortek ia rrëmbeu papritur e parakohe jetën 40-vjeçare gjatë skijimit në Brezovicë të Kosovës.

Arian Daci për sa kohë ishte në detyrën e zëvendësministrit për Diasporë ka punuar mirë e shumë, në çdo ditë e në të gjitha drejtimet, drejtpërdrejt e me realizime e kontribute të njohura edhe në politikat e Mërgatës, edhe për kulturën, arsimin, bizneset e Mërgatës së Kosovës, sepse donte me ia çue në vend dëshirat, kërkesat e këshillat e babës së tij, akademikut Nexhat Daci, i cili ka qenë një nga politikat e lartë të Kosovës.

Vlerësimet e nderimet për kontributet e vlerat e larta të politikanit të ri të Kosovës, zëvendësministrit të përkushtuar, qytetarit bashkëkohor, intelektualit shumëdimensional, Arian Daci, kanë qenë të pranishme e të dukshme edhe gjatë gjithë karrierës së tij politike, çka u dëshmuan publikisht edhe në masmedia shqiptare edhe në këta dy muajt e parë të vitit 2019 nga personalitete të Kosovës, Shqipërisë, Mërgatës Shqiptare, etj.

Arian Daci, jo vetëm që shkoi në Amshim në një moshë të re, në kohën e një karriere politike në ngritje për mirë, kur po ecte në rrugën e të atit e në lartësi politike të kohës, kur po krijonte emrin shpejt, mirë e lartësish profilin e tij politik në Kosovë e Mërgatën e saj në Evropë e në Botë, por ikja e tij e parakohshme dhe e dhimbshme ishte një humbje e ndjeshme kombëtare, politike, kulturore, etj. Mungesën e Arianit e ndjejnë familja e tij e nderuar dhe e pikëlluar, farefisnia e tij, miqtë e shokët e tij, por mungesën e tij e ndjejnë çdo ditë e më shumë edhe mërgimtarët në Evropë e vende të tjera të botës së civilizuar në dy anët e Atlantikut e të Paqësorit.
Mërgata shqiptare do t’i jetë gjithmonë mirënjohës zëvendësministrit të Diasporës së Kosovës, z. Arian Daci për kontributet e vlerat e tij ndaj kombit të vet shqiptar, ndaj shtetit të ri të Kosovës, ndaj mërgatës shqiptare të Kosovës.

Gjermani, 11 shkurt 2019

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Flamuri i Aleancës veriatlantike është ngritur në një ceremoni solemne…