India vazhdon të shënojë rekord të rasteve me Covid-19
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies në Indi njoftoi se gjatë 24 orëve të kaluara në këtë shtet janë shënuar 5 611 raste të reja të koronavirusit. Kjo është shifër rekorde për periudhën njëditore.
Fundjavën që shkoi India përjetoi rritje të madhe të rasteve. Për vetëm dy ditë numri i rasteve u rrit për më shumë se 10 mijë.
Pas publikimit të shifrave të reja, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Indi ka shkuar në 106 750 persona, ndërsa janë shënuar 3,303 viktima, shkruan “CNN”, transmeton Express.
Numri më i madh i rasteve është shënuar në rajonin perëndimor, Maharashtra, ku janë regjistruar 37 136 të infektuar dhe 1 325 të vdekur.
Këshilli Indian për Hulumtime Mjekësore ka thënë se deri më tani i ka testuar për koronavirus më shumë se 2 milionë e 500 mijë persona.
Pavarësisht prej rasteve të reja, India mbetet vend me numër të vogël të viktimave në krahasim me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Italinë, Francën e Spanjën.



