INPO: Komunat anulojnë aktivitetet e prokurimit në kundërshtim me ligjin

13 tetor 2021 | 14:26

Organizata Iniciativa për Progres (INPO), në kuadër të projektit “Kërko drejtësi: Fuqizimi i qasjes në drejtësi në Kosovë”, i cili mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL)”, të mërkurën nëpërmjet konferencës për media ka publikuar raportin me titull “(Pa) Ligjshmëria e tenderëve të anuluar”.

Hulumtuesi i lartë në INPO, Qëndrim Arifi, pasi ka shpjeguar metodologjinë e hulumtimit, ka theksuar se anulimi i aktivitetit të prokurimit parimisht është një akt procedural gjatë udhëheqjes së procedurave të prokurimit, mirëpo pasojat praktike për autoritetin kontraktues janë të mëdha dhe shumëdimensionale.

Ai ka shtuar se të gjeturat e hulumtimit dëshmojnë se në të shumtën e rasteve aktivitetet e prokurimit anulohen pa u mbështetur në dispozitat ligjore, përkatësisht arsyeshmëria e anulimit të aktiviteteve nuk është e mjaftueshme për ta legjitimuar anulimin e aktiviteteve të prokurimit.

Monitoruesja e INPO-s, Arbenita Topalli, ka potencuar se mesatarisht secila komunë ka anuluar përfundimisht 4.75 aktivitete.

“Në 20 komunat e monitoruara gjatë vitit 2020 përfundimisht janë anuluar 95 aktivitete apo mesatarisht 4.75 aktivitete të anuluara për secilën komunë”, ka thënë ajo.

Sipas Topallit, nga komunat e monitoruara, më së shumti aktivitete të anuluara kanë komuna e Prishtinës, Ferizajt dhe Dragashit, ndërsa komunat me më së paku anulime, përkatësisht me vetëm nga një aktivitet të anuluar janë komuna e Deçanit, Gjakovës, Kaçanikut, Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe komuna e Shtimes, kurse komuna e Rahovecit nuk ka asnjë aktivitet të anuluar.

Shumica e aktiviteteve janë anuluar në fazat e mëvonshme, përkatësisht pas hapjes së ofertave. Ndërsa vetëm 28 për qind e aktiviteteve të anuluara kanë qenë të planifikuara në mënyrë identike me plane të prokurimit të komunave, ndërsa 41 për qind nuk kanë qenë fare të planifikuara, që nënkupton se ndër arsyet reale të anulimit mund të ketë qenë ndodhja e situatave të paparashikueshme si pasoj që aktiviteti në fjalë nuk ka qenë i planifikuar.

Topalli ka thënë se nga disa autoritete kontraktuese mundësia ligjore për anulim të aktivitetit të prokurimit keqpërdoret duke u shndërruar në mundësi për favorizim të operatorëve të caktuar ekonomik. Kjo edhe si pasoj se Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, nuk ka mundësi ligjore që të kërkojë anulimin e një aktiviteti të prokurimit.

Ajo ka theksuar se monitorimi mbetet në suaza të opinionit i cili jo gjithherë zbatohet nga ana e autoriteteve kontraktuese, ndërsa Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk ka kapacitete që të kujdeset dhe të sigurohet se vendimet që ky institucion nxjerr gjejnë zbatim.

Monitoruesi i INPO-s, Diell Haxhimusa, rekomandoi që autoritetet kontraktuese të sigurohen që anulojnë aktivitetet e prokurimit në përputhje me dispozitat ligjore në mënyrë që të mos shkelen të drejtat e operatorëve ekonomik dhe të shmanget situata ku autoriteti kontraktues është përgjegjëse për dëmet eventuale të shkaktuara kundrejt operatorëve ekonomik.

Rekomandohet që Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, në kuadër të kompetencave ligjore për monitorim të aktiviteteve të monitoroj në një masë më të madhe aktivitetet e anuluara dhe të lëshoj opinione në drejtim të autoriteteve të cilat anulojnë aktivitete pa bazë ligjore.

Haxhimusa përfundoi duke rekomanduar që Organi Shqyrtues i Prokurimit të kujdeset se zbatohen vendimet e tij, respektivisht ti rris kapacitetet dhe të mundësohet monitorimi i të gjitha vendimeve të ky organ nxjerr, duke u siguruar kështu që për secilin aktivitet merren vendime të ligjshme dhe në përputhje me vendimet e këtij institucioni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas largimit të Bernard Challandes nga Përfaqësuesja e Kosovës, grupi…