Inspektorati policor: Një zyrtar policor dhe një qytetar, të dyshuar për sulmin ndaj drejtorit të PTK-së

30 dhjetor 2017 | 22:41

Inspektorati Policor i Kosovës është deklaruar në lidhje me rrahjen e sotme të ndodhur rreth orës 13:00 në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë ku, siç është raportuar gjatë ditës, të përfshirë kanë qenë drejtori i PTK-së, Agron Mustafa, një polic i njohur me nofkën “Tarkani”, dhe shefi i Krimeve Ekonomike dhe Anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti.

Këtë rast, Prokurori i rastit e ka cilësuar si vepër penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe deri tani dy persona janë cilësuar si persona të dyshuar.

“Nga Prokurori kompetent rasti është cilësuar si vepër penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe deri tani dy persona janë cilësuar si persona të dyshuar (njëri nga ta zyrtar policor A.B. dhe tjetri qytetar)”, thotë IPK në komunikatën për media.

IPK thotë se në informatën e pranuar nga Policia e Kosovës, është mësuar se të përfshirë në këtë rrahje kanë qenë disa persona prej të cilëve dy kanë pësuar lëndime trupore.

Lidhur me rastin në fjalë personat e përfshirë në këtë rast kanë shkuar në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë.

“Pasi që dyshohej që në këtë rast ka pasur të përfshirë edhe zyrtarë policorë, bazuar në kompetencat ligjore dhe autorizimet e Inspektoratit Policor të Kosovës janë njoftuar edhe hetuesit e IPK-së. Të njëjtit (hetuesit e IPK-së) kanë dalë në vend ngjarje dhe është kontaktuar edhe prokurori kujdestar i cili edhe ka autorizuar ndërmarrjen e një sërë veprimesh hetimore drejt ndriçimit të këtij rasti duke përfshirë intervistimin e personave të dyshuar, disa dëshmitarëve, sigurimin e disa video-incizimeve që mund të kenë pamje të incidentit etj”, thotë IPK në këtë komunikatë.

Ndërkaq, me vendim të prokurorit kompetent, IPK thotë se rasti vazhdon në procedurë të rregullt përderisa do të vazhdohet me ndërmarrjen edhe të veprimeve tjera hetimore në konsultim me prokurorin nga hetuesit e IPK-së deri në ndriçimin e plotë të rastit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata e Presidentit Trump ka shkarkuar anëtarët e mbetur të…