Integrimi euroatlantik, platformë e përbashkët Kosovë-Maqedoni

12 dhjetor 2017 | 20:13

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur të martën në takim kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, me ç’rast ka thënë se Kosova dhe Maqedonia kanë aspirata dhe ambicie të njëjta për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Do të bashkëpunojmë dhe do ta përkrahim njëri-tjetrin në realizimin e këtyre aspiratave. Në rrafshin bilateral kemi bashkëpunim në rritje dhe e vlerësojmë përkrahjen që Maqedonia na jep në skenën ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se vlerëson angazhimin e Qeverisë së Maqedonisë për akomodimin e të gjitha komuniteteve në Maqedoni. “Të dyja vendet tona, si dy vende fqinje me një frymë, përkushtim e vizion euroatlantik janë të përcaktuara të bashkëpunojnë shumë ngushtë mes veti”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka thënë se është fat që ndërmjet dy shteteve nuk ka ndonjë çështje të hapur. “Veç fqinjësia e mirë është faktor përcaktues për të ardhmen tonë euroatlantike të përbashkët si rajon. Kosova respekton integritetin territorial të Maqedonisë dhe mbështet fuqishëm implementimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi ka theksuar se dy shtetet kanë vetëm një platformë dhe ajo është integrimi euroatlantik. Ndërsa kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka falënderuar presidentin Thaçi për mikpritjen, duke thënë se kjo dëshmon përkushtimin e përbashkët për të përforcuar bashkëpunimin ndërshtetëror. “Për fat të mirë, Maqedonia dhe Kosova nuk kanë çështje të hapura, që do të thotë se do të vazhdojë mbështetja e ndërsjellë në rrugëtimin tonë drejt integrimeve euroatlantike”, ka thënë kryeministri Zaev.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar…