Interesim i ulët i qytetarëve për të marrë pjesë në diskutimet publike të komunave

18 nëntor 2020 | 16:35

Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar të mërkurën konferencën për lansimin e dokumentit “Raport mbi performancën e komunave në fushën e komunikimit me qytetar/e”, ku u prezantuan të gjeturat nga matja e perceptimit të qytetarëve në tërë territorin e Kosovës në muajin qershor të vitit 2020, duke bërë një krahasim me të dhënat e ngjashme të viteve paraprake.

Sipas hulumtimit të realizuar nga D4D, pjesëmarrja e qytetarëve në procese politikëbërëse dhe vendimmarrëse të organizuara nga komuna nuk është shumë e kënaqshme, ku vetëm 11.1 për qind e të anketuarve kanë marrë pjesë një herë apo më shumë në diskutime publike të organizuara nga komuna, 20.1 për qind e tyre nuk kanë marrë pjesë në këto diskutime publike edhe pse kanë qenë të informuar, derisa rreth 68.7 për qind e tyre nuk kanë marrë pjesë dhe as që kanë qenë të informuar mbi organizimin e këtyre dëgjimeve publike nga komuna në të cilën jetojnë.

Prezantimi i këtij raporti u pasua me një diskutim mbi rezultatet e raportit por edhe për gjendjen aktuale të qeverisjes së mirë në nivel lokal dhe atë qendror, ku të ftuar ishin Bekim Salihu, Instituti GAP, Besnik Muçaj, Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), dhe Visar Rashiti, organizata Demokraci Plus (D+). Në këtë drejtim, të ftuarit në panel theksuan se problemi nuk qëndron vetëm tek komunat, por edhe tek interesimi i ulët i qytetarëve për të marrë pjesë në diskutime publike, meqë një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk konsiderojnë që kërkesat dhe shqetësimet e tyre merren parasysh nga Komuna gjatë hartimit të politikave lokale. Paneli gjithashtu theksoi rëndësinë e gjetjes së një mënyre nga komunat për nxitje të qytetarëve për pjesëmarrje në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse, dhe se çdo takim që realizohet me qytetarë në këto procese të evidentohet.

Si përfundim, përkundër që nga matja e perceptimit të qytetarëve mbi punën e komunave dhe cilësisë së shërbimeve komunale, në përgjithësi ka përmirësim në qeverisjen e nivelit lokal, mirëpo duhet një angazhim më i madh në këtë drejtim si nga Komunat, ashtu edhe nga qytetarët dhe Shoqëria Civile, për të përmirësuar edhe më shumë gjendjen e shoqërisë kosovare.

Ky aktivitet dhe raport është realizuar në kuadër të projektit “Qeverisje lokale transparente dhe llogaridhënëse”, mbështetur nga Friedrich Ebert Stiftung, zyra në Prishtinë (FES) në kuadër të programit Kosova që Duam, dhe implementuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi gati dy vite hetimesh, probleme brenda korporatës dhe shumë…