Intervistë/ Edhe PDK-së i konvenon Haradinaj president

20 dhjetor 2020 | 16:28

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haxhi Shala, ka bërë me dije se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket kandidatit për president të ri të vendit.

Ai thotë se AAK-ja mbështet kandidaturën e liderit të saj për president, Ramush Haradinaj.

“Ne si AAK mendojmë se në këtë kohë Haradinaj është personi më adekuat në këtë kohë për president”, ka thënë Shala në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”.

Ai ka thënë se nëse një gjë e tillë nuk ndodh, rrugë tjetër mbesin zgjedhjet. “Sipas mendimit tim, nuk është momenti që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por nëse partitë politike nuk gjejnë një zgjidhje për ta mbështetur Haradinaj për president, atëherë nuk kemi rrugë tjetër, duhet të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë ai.

Shala thotë se kandidatura e Haradinajt për president i konvenon edhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ai shpreson se me ketë subjekt politik do të arrijnë një marrëveshje që ta përkrahin Haradinajn për president.

“Besoj se do të arrijmë një marrëveshje me PDK-në sepse edhe PDK-së i konvenon që Haradinaj të jetë president. Situata që është krijuar pas arrestimit të Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, kandidat më adekuat se Haradinaj për president të shtetit, nuk ka. Pra, lideri ynë duhet të jetë në një pozitë të nivelit të lartë në këtë situatë në të cilën ndodhet vendi”, është shprehur ai.

Deputeti Shala në këtë intervistë ka folur edhe për Gjykatën Speciale.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të jenë më syçelë kur është në pyetje përkrahje për çlirimtarët të cilët ndodhën në Hagë.

“Institucionet tona duhet ta mbrojnë UÇK-në sepse atje është Kosova dhe UÇK-ja, jo individët. Atje po dënohet UÇK-ja. Institucionet e Kosovës duhet të jenë më syçelura, më të hapura dhe më transparente për t’u dalë në ndihmë çlirimtarëve”, ka deklaruar Haxhi Shala.

“Epoka e re”: LDK-ja ka paralajmëruar mbajtjen e një tryeze për të diskutuar rreth zgjedhjes së presidentit të ri, por një tryezë e tillë ende nuk është mbajtur. Si AAK keni ndonjë informatë se çfarë po ndodh?
Shala: Nuk kam ndonjë informacion përpos që janë deklaruar zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në media, se do të ndodhë një tryezë e partive politike për zgjedhjen e presidentit. Një iniciativë e llojit të tillë i takon LDK-së sepse është bartëse e koalicionit qeverisës dhe duhet sa më shpejt të vendoset për kandidatin për president. Mendoj se Isa Mustafa, si lider i LDK-së, është vonuar në këtë drejtim sepse është dashur t’i thërrasë partnerët e koalicionit për të diskutuar me ta dhe pastaj ta bëjë një ftesë për të gjitha partitë politike.

“Epoka e re”: Rreth zgjedhjes së presidentit ka deklarime edhe nga PDK-ja, se ky post i takon asaj dhe se ju si AAK keni propozuar Ramush Haradinaj për president. A ka ndryshuar qëndrimi i AAK-së?
Shala: Ne si AAK e kemi propozuar liderin e partisë për president. Ai e ka marrë mbështetjen e organeve të partisë. Ne qëndrojmë mbrapa propozimit të kandidatit tonë që ai të jetë presidenti i ardhshëm i vendit, pra Ramush Haradinaj.

“Epoka e re”: A prisni që nga kjo tryezë e partive politike të arrihet bashkim për kandidatin për president?
Shala: Shpresoj se po. AAK-ja është partia e dytë më e madhe brenda koalicionit qeverisës. Tashmë LDK-ja i ka dy pozita të nivelit të lartë të cilat i udhëheq, atë të kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, ndërkaq posti i presidentit i takon AAK-së.

“Epoka e re”: Por pa votat e PDK-së nuk do të mund ta zgjedhni presidentin?
Shala: Besoj se do të arrijmë një marrëveshje me PDK-në sepse edhe PDK-së i konvenon që Haradinaj të jetë president. Situata që është krijuar pas arrestimit të Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, kandidat më adekuat se Haradinaj për president të shtetit, nuk ka. Pra, lideri ynë duhet të jetë në një pozitë të nivelit të lartë në këtë situatë në të cilën ndodhet vendi.

“Epoka e re”: Vetëm për këtë arsye mendoni se PDK-ja duhet ta votojë Haradinajn për president pa marrë hise në qeveri?
Shala: Nuk do të thotë se duhet ta mbështetë por, së paku, të jetë e pranishme në sallë, nëse jo atëherë vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja. Të gjitha partitë politike duhet të mendojnë mirë nëse Kosova e ka luksin të shkojë në zgjedhje të reja në këtë kohë, pa i mbushur ende një vit e gjysmë kjo qeveri.

“Epoka e re”: A duhet të shkojë vendi në zgjedhje të reja?
Shala: Sipas mendimit tim, nuk është koha që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por nëse partitë politike nuk gjejnë një zgjidhje për ta mbështetur Haradinaj për president, atëherë nuk kemi rrugë tjetër, duhet të shkojmë në zgjedhje.

“Epoka e re”: A mund të konsiderohet kërcënim ky: ose Haradinaj president, ose zgjedhje të reja?
Shala: Nuk është kërcënim. Mund të zgjedhet dikush tjetër. Është PDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje. Por ne si AAK mendojmë seHaradinaj është personi më adekuat në këtë kohë për president të shtetit.

“Epoka e re”: Po supozojmë se Haradinaj nuk zgjedhet president, pasi në këtë pozitë mund të zgjedhet dikush tjetër, atëherë AAK-ja do të dalë nga koalicioni qeverisës?
Shala: AAK-ja ka Këshillin Drejtues dhe ai do të dalë me vendim për çdo situatë. Ne jemi në koalicion për ta qeverisur vendin. Të shohim pastaj.

“Epoka e re”: Si deputet dhe zyrtar i AAK-së, çfarë vlerësimi keni për punën e qeverisë pasi si parti jeni pjesë e saj?
Shala: Vetë situata e pandemisë ka krijuar një atmosferë pak më të vështirë të qeverisjes së vendit. Asnjë qeveri, cilado që të ishte, nuk do të mund të bënte diçka më shumë në këtë situatë. Pandemia e ka futur në krizë vendin. Kosova po shkon drejt një krize ekonomike. Si parti politike qoftë në pushtet apo opozitë duhet të jemi të kujdesshëm në çfarëdo vendimi. Të krijojmë konsensus për çfarëdo teme.

“Epoka e re”: Lideri juaj ka kërkuar lehtësim të masave anti-Covid për festat e fundvitit, kur disa vende evropiane po i shtrëngojnë masat.
Shala: Duke marrë për bazë se bashkatdhetarët tanë janë duke ardhur për festa të fundvitit në vendlindje, kemi menduar që qeveria dhe IKShPK-ja do të duhej të bënin lehtësime në masa. Por, gjithmonë edhe ne si qytetarë duhet të jemi striktë për zbatimin e masave, siç është mbajtja e distancës fizike dhe bartja e maskave. Pra, të kemi një lehtësim të lëvizjes që bashkatdhetarët të kenë hapësirë që t’i vizitojnë të afërmit e tyre për aq sa janë në pushim.

“Epoka e re”: Kosova po përballet edhe me Gjykatën Speciale. A do të duhej që institucionet të jenë me të vëmendshme në përkrahje të ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe ish-ushtarëve të UÇK-së të cilët po akuzohen nga kjo gjykatë?
Shala: Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të bëjnë më shumë në mbështetje të çlirimtarëve, të atyre që tashmë janë arrestuar. Institucionet tona duhet ta mbrojnë UÇK-në, sepse atje është Kosova dhe UÇK-ja, jo individët. Atje po dënohet UÇK-ja. Institucionet e Kosovës duhet të jenë më syçelura, më të hapura dhe më transparente për t’i dalë në ndihmë UÇK-së.

Mal QORRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër  (e hënë) në orën 11:02 minuta fillon stina e…