Intervistë / Ligjet që ndalojnë rrugën Deçan – Plavë janë diskriminuese

17 gusht 2020 | 20:29

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka ftuar institucionet e Kosovës që t’i marrin parasysh kërkesat e tij në lidhje me ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.

Ai ka thënë se punimet në këtë rrugë do të vazhdojnë dhe ligjet që e pengojnë ndërtimin e kësaj rruge janë të padrejta për qytetarët e Deçanit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se punimet në këtë rrugë do të vazhdojnë. “Këto ligje janë të padrejta dhe diskriminuese për qytetarët e Komunës së Deçanit, sepse nuk mund t’u mohohet 70 mijë qytetarëve të Komunës së Deçanit një e drejtë. Sipas regjistrimit të vitit 2011, komuna jonë i ka 41 167 banorë rezidentë dhe rreth 30 000 banorë që jetojnë në botën e jashtme. Është diskriminuese që këtyre banorëve mos t’u jepet shpresë dhe motiv për të jetuar në këtë qytet”, ka thënë Ramosaj.

Ai ka theksuar se institucionet qendrore duhet ta ndreqin këtë padrejtësi që e kanë krijuar vetë. “Institucionet është dashur që sa më shpejt të merren seriozisht me kërkesat që unë i kam adresuar përmes letrës së hapur. Pra, të mos na fusin në një rrugë të keqe, që nuk i bën nder askujt në këtë shtet, e sidomos Komunës së Deçanit. Padrejtësinë që e kanë krijuar vetë është mirë ta rregullojnë vetë e jo të abuzojnë me një qytet dhe me të ardhmen e këtij shteti”, është shprehur ai.

Ramosaj ka thënë se institucionet qendrore shumë shpejt duhet ta gjejnë një zgjidhje për këtë çështje dhe të mos e shtyjnë këtë komunë në një rrugë të keqe, e cila nuk i bën nder askujt në Kosovë. “Ne kemi filluar sot me punime dhe përsëri kemi pasur reagime negative, por jo nga kryeministri. Mirëpo kjo rrugë është e rëndësisë së veçantë për mirëqenien e qytetarëve të Deçanit, për zhvillimin ekonomik të kësaj komune, sepse kjo rrugë do të krijojë qasje në resurset më të mëdha që Komuna e Deçanit ka”, ka thënë Ramosaj.

“Epoka e re”: Z. Ramosaj, fillimi i punimeve në rrugën Deçan – Plavë ka nxitur reagime të shumta, ndërsa kryeministri i vendit ka kërkuar pezullimin. Si i keni parë këto reagime?
Ramosaj: Para një muaji kemi filluar ta ndërtojmë segmentin prej 5 kilometrave e cila është zonë e veçantë, e rrugës Deçan-Plavë. Mirëpo në momentin që është deklaruar data 2 shtator, ku do të mbahet takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ka filluar retorika e njëjtë sikurse më herët. Pra, nuk është hera e parë që unë vihem në këtë pozicion si kryetar komune, përgjatë zhvillimit të punimeve në atë rrugë. Ndërkohë personeli i manastirit ka reaguar tepër ashpër, duke i ftuar ambasadat, kryeministrin dhe komandantin e KFOR-it. Më pas kryeministri ka kërkuar nga unë që të pezullohen këto punime me kusht që ta gjejmë një zgjidhje të përbashkët për ndërtimin e kësaj rruge.

“Epoka e re”: Çfarë i keni thënë kryeministrit kur ai ka kërkuar nga ju që t’i pezulloni punimet?
Ramosaj: Unë ditën e premte kur jam ftuar nga kryeministri që t’i ndal këto punime, e kam mirëkuptuar atë për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet Kosova dhe për shkak të takimit të 2 shtatorit. Kam kërkuar nga kryeministri që të bëjë zgjidhje të shpejtë të mundshme që ditën e hënë të fillojmë punimet, mirëpo nuk është bërë ndonjë reagim në këtë drejtim. Më tepër më ka indinjuar edhe thirrja e presidentit Vuçiq i cili ka kërkuar të ndalen punimet dhe ftesa për një mbledhje për ta zgjidhur këtë çështje. Ne kemi filluar sot punimet dhe përsëri kemi pasur reagime negative, por jo nga kryeministri. Kjo rrugë është e rëndësisë së veçantë për mirëqenien e qytetarëve të Deçanit dhe për zhvillimin ekonomik të kësaj komune, sepse kjo rrugë do të krijojë qasje në resurset më të mëdha që Komuna e Deçanit ka.

“Epoka e re”: Pra, ju prapë i keni filluar punimet?
Ramosaj: Po, i kemi filluar përsëri punimet. Deri para pak orëve kemi punuar për shkak të dinamikës së kompanisë. Në dhjetë ditët në vazhdim do të shohim, pra në bazë të konsultimeve që do t’i kemi, edhe do të veprojmë më tutje. Nuk duam të bëjmë ndonjë skandal në këtë situatë në të cilën ndodhet Kosova për hir të situatës politike. Kanë kaluar 20 vjet që ne po merremi me të njëjtën temë dhe shpresa e motivimi i qytetarëve të Deçanit është i humbur për të jetuar në këtë qytet. Po ashtu, kam kërkuar nga Policia e Kosovës, nga KFOR-i dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë që të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm në këtë periudhë kohore me sigurinë e manastirit, sepse këta dinë të bëjnë skandale edhe vetë, në mënyrë që të na lënë fajtorë edhe neve.

“Epoka e re”: Kur thoni se gjatë këtyre dhjetë ditëve do të konsultoheni, a do të thotë se gjatë kësaj kohe do t’i pezulloni punimet?
Ramosaj: Punimet do të vazhdojnë, njëkohësisht edhe zgjidhja është mirë të bëhet sa më shpejt.

“Epoka e re”: Çfarë zgjidhje mund të ofrohet për këtë rrugë?
Ramosaj: Unë i kam dërguar një letër të hapur me 15 pika presidentit të vendit, z. Thaçi, kryetares së Kuvendit, znj. Osmani dhe kryeministrit z. Hoti, të cilën institucionet më të larta të shtetit është dashur ta marrin për bazë në mënyrë që ta bëjnë zgjidhjen e duhur. Mos të harrojmë, jemi duke u përballur me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, i miratuar më 20 shkurt 2008, tri ditë pas shpalljes së pavarësisë, i cili i ka përjashtuar qytetarët e kësaj komune nga e drejta e shfrytëzimit të pasurisë së tyre, pronësisë së tyre. Pastaj ne përballemi me Ligjin për Parkun Nacional, i cili, po ashtu, i ka përjashtuar qytetarët e Deçanit nga zhvillimi i infrastrukturës në këto pjesë. E mos të flasim edhe për marrëveshjen a për ndërtimin e Bai-Pasit të vitit 2014, me të cilën ka pajtim që rruga ekzistuese të mos ndërtohet duke u bërë një rrugë e re e cila nuk prek në Zonën Veçantë të Mbrojtur prej 800ha përreth zonës së mbrojtur. Gjithashtu, kemi të bëjmë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të vitit 2014, ku Manastirit të Deçanit i jepen në pronësi 24ha tokë të ndërmarrjeve Apliko dhe Iliria, që në njëfarë mënyre e ngufatin cakun e zhvillimit të Komunës së Deçanit.

“Epoka e re”: Duke u bazuar në këto ligje që i përmendet, po vlerësohet se ndërtimi i kësaj rruge është i kundërligjshëm. Pse po vazhdoni në këtë mënyrë ndërtimin e kësaj rruge?
Ramosaj: Këto ligje janë të padrejta dhe diskriminuese për qytetarët e Komunës së Deçanit, sepse nuk mund t’u mohohet 70 mijë qytetarëve të Komunës së Deçanit një e drejtë. Sipas regjistrimit të vitit 2011, komuna jonë i ka 41 mijë e 167 banorë rezidentë dhe rreth 30 mijë banorë që jetojnë në botën e jashtme. Është diskriminuese që këtyre banorëve mos t’u jepet shpresë dhe motiv për të jetuar në këtë qytet.

“Epoka e re”: A po kërkoni nga institucionet qendrore që t’i ndryshojnë këto ligje, në mënyrë që ndërtimi i kësaj rruge të mos jetë në kundërshtim me ligjet në fuqi?
Ramosaj: Institucionet është dashur që sa më shpejt të merren seriozisht me kërkesat që unë i kam adresuar përmes letrës së hapur. Pra, të mos na fusin në një rrugë të keqe, që nuk i bën nder askujt në këtë shtet, e sidomos Komunës së Deçanit. Padrejtësinë që e kanë krijuar vetë, është mirë ta rregullojnë vetë e jo të abuzojnë me një qytet dhe me të ardhmen e këtij shteti.

“Epoka e re”: Meqenëse po thoni se po vazhdojnë punimet, a frikësoheni se mund të reagojë KFOR-i dhe t’i ndalojë punimet?
Ramosaj: Intervenime mund të ketë nga KFOR-i dhe nga Polica e Kosovës, mirëpo unë shpresoj se nuk do të vijmë deri në atë pikë. Por, megjithatë, kam deklaruar edhe sot, kur bëhet boll, bëhet boll. Më tutje kështu nuk mund të ecim.

“Epoka e re”: E përmendet marrëveshjen për ndërtimin e Bai-Pasit të vitit 2014. Pse nuk po ndërtohet rruga sipas kësaj marrëveshje?
Ramosaj: Rruga që ka nisur në vitin 2014 ka qenë përjashtuese për një rrugë tradicionale, një rrugë historike, një rrugë që me shekuj ka qenë aty. Bai-pasi i 2014-s është rrugë për aventura, është rrugë për njerëz që duan adrenalinë. Ajo rrugë nuk është për qarkullim të mallrave, nuk është për qarkullim të njerëzve. Pra, ajo rrugë është për sporte ekstreme, për njerëz që kërkojnë adrenalinë. Ajo fillon në kuotën 600 metra, vazhdon në kuotën 1800 meta dhe prapë bie në kuotën 700 metra, me gjatësi prej tri kilometrave.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në institucionin e Presidencës u zhvillua sot në mbrëmje ceremonia…