Intervistë me Zafir Berishën: Qeveria Kurti do të vetëshkatërrohet

30 qershor 2021 | 11:11

Anëtari i Kryesisë i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka kritikuar qeverinë Kurti për 100 ditët e para të qeverisjes. Ai ka thënë se kjo qeveri nuk do të ketë jetë të gjatë në pushtet.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Berisha ka thënë se qeveria Kurti mund të bie në muajin mars apo prill të vitit të ardhshëm.

“Nuk mendoj se do të ndryshojë diçka në këtë qeverisje. Unë jetëgjatësinë e kësaj qeverie e shoh deri në muajin mars apo prill të vitit të ardhshëm sepse, përveç dështimit në politikën e jashtme, kemi një dështim edhe në politikën e brendshme për shkak të krizës që është duke u thelluar si rezultat i pandemisë”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, kjo qeveri do të vetëshkatërrohet. “Kjo qeveri ka mungesë të dijës dhe ideve se si të dilet nga kjo situatë. Faktikisht unë pres që kjo qeveri të vetëshkatërrohet deri në atë shkallë sa do të kërkojë vetë të shkojë në shtëpi dhe të lëshojë rrugë, sepse Kosova meriton një qeverisje më ndryshe”, është shprehur ai.

Berisha ka thënë se kjo qeveri do të mbahet mend për politizim të institucioneve publike. “Gjatë kësaj kohe kjo qeveri është marrë vetëm me ngarkim-shkarkime dhe politizimin ekstrem të institucioneve publike dhe bordeve. Një qeveri që do të mbahet mend për punësimin e tezeve, hallave, mbesave, nipave dhe xhaxhallarëve. Fatkeqësisht kjo qeveri ka devijuar nga përcaktimi i Kosovës në politikën e jashtme. Kur kemi një ministre të Punëve të Jashtme që nuk po e dallon flamurin e NATO-s nga ai i OKB-së, nuk e di sa ia vlen për të diskutuar për 100-ditëshin e dështuar të qeverisë Kurti”, ka thënë Berisha.

Në këtë intervistë ai ka folur edhe për përgatitjet e Nismës për zgjedhjet lokale.

Berisha, i cili është edhe kandidat i Nismës për kryetar të komunës së Prizrenit, ka shprehur optimizëm për rezultatet e kësaj partie në këto zgjedhje. “Mendoj se ofrimi i alternativës qeverisëse që do të bëjë Nisma nëpër komunat e Kosovës do të jetë një befasi e këndshme për të gjithë qytetarët. Nisma, edhe pse është subjekt i ri, ka njerëz me përvojë në politikë dhe ka çfarë u jep qytetarëve të Kosovës nga fryma e saj politike, nga personalitetet që i ka në terren”, është shprehur Berisha.

“Epoka e re”: Z. Berisha tashmë është caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Sa është përgatitur Nisma për këto zgjedhje?
Berisha: Paralelisht me mbajtjen e kuvendeve zgjedhore nëpër degë të Nismës, jemi duke e bërë edhe riorganizimin si dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale. Si anëtar i kryesisë jam koncentruar në Prizren. Mendoj se fryma socialdemokrate do të triumfojë për shumë arsye.

“Epoka e re”: Nisma do të garojë në të gjitha komunat e Kosovës?
Berisha: Sigurisht se do të garojmë në të gjitha qytetet e Kosovës dhe presim rezultate pozitive në këto zgjedhje.

“Epoka e re”: Çfarë ju bën të besoni se do të keni rezultate pozitive në këto zgjedhje?
Berisha: Qytetari i Kosovës çdo ditë është duke u bindur se është mashtruar nga Albin Kurti dhe suita e tij. Mendoj se ofrimi i alternativës qeverisëse që do të bëjë Nisma nëpër komunat e Kosovës do të jetë një befasi e këndshme për të gjithë qytetarët. Nisma edhe pse është subjekt i ri, ka njerëz me përvojë në politikë dhe ka çfarë u jep qytetarëve të Kosovës nga fryma e saj politike, nga personalitetet që i ka në terren.

“Epoka e re”: Në cilat qytete mendoni se Nisma do të jetë më konkurruese në këto zgjedhje?
Berisha: Pas komunës së Malishevës është komuna e Prizrenit. Edhe lexuesit tuaj besoj e dinë se Nisma ka qenë faktori kyç për t’u bërë ndryshimi në këtë komunë, pra për ta larguar PDK-në nga pushteti. Siç dihet ne kemi qenë pjesë e koalicionit në këtë mandat, mirëpo kur e kemi parë se çfarë hajdutë ordinerë janë këta të LV-së, që ia kalojnë edhe PDK-së, kemi dalë nga koalicioni. Mendoj se kjo do të vlerësohet nga qytetarët e Prizrenit sepse ne nuk jemi pajtuar me keqqeverisje asnjëherë. Besoj se parimet e Nismës për qeverisjen lokale, përveç Prizrenit, do të pranohen edhe në disa komuna të tjera të Kosovës.

“Epoka e re”: Cila do të jetë oferta juaj për Prizrenin?
Berisha: Qytetarët tashmë kanë parasysh qëndrimet e mia. Aktualisht unë jam një veteran i politikës në nivel lokal. Kam qenë pjesë e kuvendit komunal, pjesë e Kuvendit të Kosovës dhe pjesë e qeverisë, ndërsa në Prizren kam kontribuar në jetën politike aq sa kam pasur mundësi dhe asnjëherë nuk jam pajtuar me keqqeverisjen. Qytetarët e Prizrenit nuk e harrojnë se unë pasi e kam sjell PDK-në në pushtet si kryetar i degës, jam larguar duke dhënë dorëheqje, sepse nuk jam pajtuar me keqqeverisjen. Po ashtu, as në këtë mandat nuk jam pajtuar me keqqeverisjen e Mytaher Haskukës. Jam një alternativë më ndryshe nga “shkollat” që kanë qeverisur Prizrenin. Ky qytet e ka provuar LDK-në shtatë vjet, PDK-në dhjetë vjet, kurse në këto katër vjet qytetarët janë të tmerruar nga keqqeverisja e LV-së. Apriori mendoj se ekipin që tashmë jam duke e prezantuar do të jetë ekip i cili do ta bëjë politikën autoktone të qytetit të Prizrenit. Po e them autoktone sepse edhe në kohë të PDK-së dhe tash në kohë të qeverisjes së LV-së Prizreni është qeverisur nga njerëz që kanë ardhur prej vendeve të tjera. Pra, është një ofendim i madh që i është bërë Prizrenit me qeverisjen e LV-së dhe Mytaher Haskukën kryetar, duke sjell drejtorë nga Prishtina dhe duke i nënçmuar kuadrot e qytetit të Prizrenit. Mendoj se këto gjëra qytetarët e Prizrenit i kanë parë dhe më 17 tetor në zgjedhje lokale do të vlerësojnë drejt.

“Epoka e re”: Në qytetin e Prizrenit dhe në qytetet e tjera me siguri do t’ju duhet bashkëpunim me subjektet e tjera. A ka menduar Nisma se me cilat parti do të bashkëpunojë për t’i arritur qëllimet në këto zgjedhje?
Berisha: Me shumë përgjegjësi dhe siguri them se unë do të jem në balotazh. Pastaj, varësisht prej fuqisë së forcave të tjera politike, do të bashkëpunoj. Natyrisht nuk do të bashkëpunoj me hajdutë të asnjë soji politik. Mendoj se edhe bashkëpunimi në të ardhmen me subjektet e tjera politike duhet të jetë mbi disa kritere, që personat që marrin pozicione politike në komunë të kenë një kredibilitet individual, politik dhe profesional. Në këto 20 vjet koha ka treguar se shumë njerëz kur hyjnë në qeveri po devijojnë nga ai përcaktim. Unë nuk do të lejoj që të përsëriten më gabimet e të kaluarës.

“Epoka e re”: Jemi në prag të 100-ditëshit të qeverisë Kurti. Cili është vlerësimi juaj për këtë kohë të qeverisjes?
Berisha: Kjo qeveri ka bërë vetëm vendnumërim. Nuk ka marrë ndonjë vendim që ia vlen të vlerësohet. Gjatë kësaj kohe kjo qeveri është marrë vetëm me ngarkim-shkarkime dhe politizimin ekstrem të institucioneve publike dhe bordeve. Një qeveri që do të mbahet mend për punësimin e tezeve, hallave, mbesave, nipave dhe xhaxhallarëve. Fatkeqësisht, kjo qeveri ka devijuar nga përcaktimi i Kosovës në politikën e jashtme. Kur kemi një ministre të Punëve të Jashtme që nuk po e dallon flamurin e NATO-s nga ai i OKB-së, nuk e di sa ia vlen për të diskutuar për 100-ditëshin e dështuar të qeverisë Kurti.

“Epoka e re”: Besoni se do të vazhdojë kështu kjo qeverisje apo do të ndryshojë diçka?
Berisha: Nuk mendoj se do të ndryshojë diçka në këtë qeverisje. Unë jetëgjatësinë e kësaj qeverie e shoh deri në muajin mars apo prill të vitit të ardhshëm sepse, përveç dështimit në politikën e jashtme, kemi një dështim edhe në politikën e brendshme për shkak të krizës që është duke u thelluar si rezultat i pandemisë. Kjo qeveri ka mungesë të dijes dhe ideve se si të dilet nga kjo situatë. Faktikisht unë pres që kjo qeveri të vetëshkatërrohet deri në atë shkallë sa do të kërkojë vetë të shkojë në shtëpi dhe të lëshojë rrugë. Kosova meriton një qeverisje më ndryshe.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës me 62 për, 3 kundër dhe 11…