Intervistë / Shaip Kamberi: Na nevojiten edhe 300 vota për një ulëse në parlamentin e Serbisë

06 prill 2022 | 14:10

Politikani shqiptar në Luginë të Preshevës, Shaip Kamberi, ka përsëritur kërkesën e tij për përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, që përbëhej nga Partia për Veprim Demokratik, bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik, në zgjedhjet e 3 prillit të Serbisë, mori 9 644 vota – të pamjaftueshme për një ulëse në parlament.

Kamberi në një intervistë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se kanë mbetur pa numëruar edhe 1 për qind e votave në nivel të Serbisë dhe për të marrë një ulëse të deputetit iu duhen edhe 300 vota.

“Ka mbetur vetëm, edhe 1 për qind e votave të panumëruara në nivel të Serbisë, për të kaluar pragun. Për një ulëse në parlament na nevojiten afërsisht edhe 300 vota. Prandaj votat e marra, në këtë moment nuk janë të mjaftueshme për një mandat”, ka thënë Kamberi, i cili në mandatin e kaluar ishte deputet në Parlamentin e Serbisë.

Ai ka treguar edhe arsyen pse komuniteti shqiptar në Serbi (Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc) nuk arriti të marrë asnjë ulëse në zgjedhjet parlamentare të 3 prillit.

“Procesi i pasivizimit të adresave që selektivisht po zbatohet ndaj shqiptarëve po i jep rezultatet e veta, migrimi i cili vjen si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm e që ka sjellë largimin e një numri të madh të njerëzve, sidomos të të rinjve janë dy faktorët kyç që ndikuan në numrin më të vogël të të dalurve në këto zgjedhje. Kësaj duhet shtuar edhe numrin e madh të zgjedhësve në nivel të Serbisë, që me automatizëm e rritë numrin e domosdoshëm për “pragun natyrorë” që ndikon për një mandat deputeti”, ka bërë me dije Kamberi.

“Epoka e re”: Z. Kamberi zgjedhjet e 3 prillit në Serbi u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve shqiptarë. Pse ndodhi kjo?

Shaip Kamberi: Procesi i pasivizimit të adresave që selektivisht po zbatohet ndaj shqiptarëve po i jep rezultatet e veta, migrimi i cili vjen si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm e që ka sjellë largimin e një numri të madh të njerëzve, sidomos të të rinjve janë dy faktorët kyç që ndikuan në numrin më të vogël të të dalurve në këto zgjedhje. Kësaj duhet shtuar edhe numrin e madh të zgjedhësve në nivel të Serbisë, që me automatizëm e rritë numrin e domosdoshëm për “pragun natyrorë” që ndikon për një mandat deputeti.

“Epoka e re”: A keni bërë ankesa edhe të faktori ndërkombëtar për këto probleme?
Shaip Kamberi: Për të gjitha këto probleme, sidomos për pasivizimin, bashkësia ndërkombëtare është e njoftuar me kohë, por që nuk ka ndërmarrë asgjë lidhur me këtë temë.

“Epoka e re”: “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” i përbërë nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9644 vota, a janë të mjaftueshme këto vota që ju të shkoni sërish deputet?
Shaip Kamberi: Ka mbetur vetëm, edhe 1 për qind e votave të panumëruara në nivel të Serbisë, për të kaluar pragun. Për një ulëse në parlament na nevojiten afërsisht edhe 300 vota. Prandaj votat e marra, në këtë moment nuk janë të mjaftueshme për një mandat.

“Epoka e re”: Ju kërkoni përsëritjen e zgjedhjeve në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar të Luginës së Preshevës. Sa janë gjasat që kjo kërkesë e juaja të realizohet kur kemi parasysh se pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve që rezultoi me shlyerjen e tyre nga listat zgjedhore nuk ka qenë rastësi?
Shaip Kamberi: Kam shtruar këtë kërkesë i vetëdijshëm se Serbia nuk do ta respektojë nëse nuk ka një ndërhyrje ndërkombëtare. Cili do të jetë reagimi i bashkësisë ndërkombëtare do të shihet, por, veç në këtë moment kemi disa ambasada që procesin zgjedhor në Serbi e kanë cilësuar “të rregullt”.

“Epoka e re”: Nëse ndodhë që komuniteti shqiptar të mos përfaqësohet në parlamentin e Serbisë, sa do të jetë vështirë të realizohen kërkesat që mund ketë popullata shqiptare, kur kemi parasysh se në mandatin e kaluar keni qenë zë i fortë i shqiptarëve të Luginës?
Shaip Kamberi: Edhe me pjesëmarrjen e tre deputetëve sa kemi qenë në parlament, nuk ka qenë aspak e vështirë për t’u përballur me një shtet sikurse Serbia. Tash besoj do të jetë edhe më vështirë sepse Serbia do të përdorë këtë argument, të mosarritjes së një mandati, për të arsyetuar qëndrimin e vet se nuk ka shqiptarë në Luginë të Preshevës “sa thonë shqiptarët”.

(Mal QORRAJ / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sezoni i Lakersave mund të konsiderohet i përfunduar. Ekipi kalifornian,…