Intervistë / Sjellja e Kurtit me aleatët është e rrezikshme, vendi të shkojë në zgjedhje

16 prill 2024 | 17:03

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka bërë vetëm hapa prapa në politikën e jashtme dhe të brendshme.

Çitaku në këtë intervistë dhënë “Epokës së re” ka thënë se sjelljet e Kurtit në raport me aleatët janë të rrezikshme për Kosovën.

Ajo ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Çitaku ka bërë me dije se PDK-ja do të ndërmarrë veprime konkrete në Kuvendin e Kosovës për ta çuar vendin në zgjedhje.

Ajo është shprehur e bindur se PDK-ja do të dalë fituese e këtyre zgjedhjeve dhe se Kosova do të drejtohet nga Bedri Hamza.

Në këtë intervistë Çitaku ka drejtuar akuza ndaj drejtueseve institucionalë sa i përket procesit gjyqësor në Hagë. Ajo ka thënë se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë braktisur nga shteti.

“Epoka e re”: Znj. Çitaku, si i vlerësoni zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë nga këndi i partisë më të madhe opozitare?
Çitaku: Fatkeqësisht jo vetëm në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, por në çdo sferë relevante për kualitetin e jetës të qytetarëve dhe për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, Kosova ose ka qëndruar në vendnumërim në rastin më të mirë ose, fatkeqësisht, ka bërë hapa prapa. Sot, kur jo vetëm kontinenti evropian, por i tërë globi është duke u ballafaquar me sfida të jashtëzakonshme, Kosova, për shkak të udhëheqëses së kryeministrit Kurti, shoqëria është më e polarizuar se kurrë nga brenda dhe raportet me aleatët kryesorë janë më të cenuara se asnjëherë më parë. Çfarë është e rëndësishme për një shtet relativisht të vogël siç është Kosova, por jo vetëm për shtete të vogla sepse sfidat nëpër të cilat është duke kaluar kontinenti ynë dhe bota me gjerë dëshmojnë më shumë dhe më qartë se aleancat janë po aq të rëndësishme sa edhe sovraniteti. Për shtetet si Kosova është shumë e rëndësishme që aleancat të mirëmbahen dhe të rreshtohemi drejt.

“Epoka e re”: Në këtë kontekst, ku qëndron sot Kosova?
Çitaku: Kosova, fatkeqësisht, sot është nën sanksione të Bashkimit Evropian (BE) dhe tani më shumë se dy vjet nuk kemi asnjë vizitë e asnjë takim të nivelit të lartë nga kryeministri apo nga ndonjë eksponentë qeveritar në Uashington D.C. Kjo situatë është alarmante dhe do të duhej të na shqetësonte të gjithëve.

“Epoka e re”: Raportet me aleatët, a kanë qenë ndonjëherë më të këqija sesa në qeverinë e drejtuar nga Kurti?
Çitaku: Imagjinojeni para 25 vitesh UÇK-ja në rrethana tërësisht të pabarabarta dhe pakrahasimisht më të vështira seç janë këto sot, kishte arritur të nënshkruante paktin e parë në mes të Kosovës dhe Perëndimit dhe arriti që fuqinë më të madhe politike dhe ushtarake ta ketë aleat. Ndërkohë që sot, në vitin 2024, ndonëse jemi shtet i pavarur e sovran dhe me më shumë se 100 njohje, Kosova, për shkak të sjelljes aventureske dhe të papërgjegjshme të kryeministrit Kurti, ka reduktuar deri në ekstrem ambiciet e aleatëve tanë për Kosovën. Kjo qasje dhe kjo sjellje është jashtëzakonisht e rrezikshme. Kur një kryeministër flet me një lehtësi të padurueshme dhe etiketon sekretarin e Shtetit si naiv, më pas është tërësisht i paparashikueshëm në pikat të cilat janë të ndjeshme për aleatët tanë, siç është siguria dhe veriu i Kosovës, sigurisht që çon sinjale jo të duhura në Bruksel, Berlin, Londër, Paris dhe Uashington. Para pak ditësh presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka pritur kryeministrin e Shqipërisë dhe presidentin e Serbisë. Ku ishte Kosova? Mungoi.

“Epoka e re”: Doni të thoni se kjo ka ndodhur për shkak të sanksioneve të BE-së?
Çitaku: Dhe jo vetëm për shkak të sanksioneve sepse kryeministri Kurti që nga dita e parë kur ka ardhur në pushtet ka demonstruar qasje shumë aventureske dhe të paparashikueshme. Kosova në koordinim me aleatët ka arritur t’i dëbojë forcat policore, ushtarake dhe administratën serbe nga Kosova, duke fituar lirinë. Në koordinim me aleatët ka arritur ta shpallë pavarësinë. Fatkeqësisht, për botëkuptimet dhe frymën ideologjike të kryeministrit Kurti, bashkërendimi dhe koordinimi me aleatët nënkupton nënshtrim.

“Epoka e re”: Vlerësoni se kryeministri Kurti është duke i bërë këto veprime me qëllim apo nga mosdija?
Çitaku: Koordinimi me ShBA-në nuk është nënshtrim. Koordinimi me aleatët nuk është nënshtrim. Koordinimi fuqizon Kosovën. Do të doja të besoja se Kurti është duke i bërë këto veprime nga mosdija edhe pse rezultati në fund fare është i njëjtë, pra është i dëmshëm për Kosovën. Mungesa e ekspertizës e ka karakterizuar këtë qeveri në çdo fushë. Ka mungesë të ekspertizës në politikë të jashtme, ekonomi, shëndetësi, arsim etj. Kësaj mungese të ekspertizës dhe kësaj qasje aventureske, PDK-ja i ka dhënë përballë eksperiencën dhe profesionalizimin. Ne besojmë se kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, përfaqëson ofertën më serioze jo vetëm përballë kryeministrit Kurti, por ofertën më serioze për qytetarët tanë duke garantuar parashikueshmëri, stabilitet dhe zhvillim.

“Epoka e re”: Znj. Çitaku, kur jemi te raportet e Kosovës, konkretisht të qeverisë Kurti me aleatët ndërkombëtarë, ku është PDK-ja në këtë mes? Cili ka qenë roli i saj dhe a mendoni se ka luajtur mjaftueshëm këtë rol apo ka qenë indiferente?
Çitaku: PDK-ja ka bashkëpunim dhe kontakte të vazhdueshme me ShBA-në, Bashkimin Evropian (BE), me shtetet veç e veç brenda BE-së dhe më gjerë. Ne në mënyrë të vazhdueshme kemi kërkuar që Kosova mos të ndëshkohet për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të kryeministrit Kurti. Qeveria është e përkohshme, ndërsa Kosova është e përhershme dhe ne kemi kërkuar në çdo takim që Kosova dhe qytetarët e saj mos ta bartin koston dhe barrën e sjelljeve të papërgjegjshme dhe aventureske të kryeministrit. Ne ende vazhdojmë të lobojmë dhe të kërkojmë në çdo takim që masat ndëshkuese t’i hiqen Kosovës sa më parë sepse ne vlerësojmë që dëmi këtu i shkon Kosovës dhe qytetarëve dhe jo Albin Kurtit. Në fund të fundit, kryeministri Kurti dhe partia e tij nuk është që shquhen për ndonjë interesim apo mirëmbajtjen e aleancave. Unë e mbaj mend që kur kam qenë ministre për Integrime Evropiane, partia e vetme që nuk e ka votuar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim (MSA) ka qenë pikërisht Lëvizja Vetëvendosje. Kështu që unë mendoj që në fund të ditës, atyre nuk u bëhet shumë vonë se a është Kosova nën masa.

“Epoka e re”: Kur jemi te sjelljet e qeverisë dhe kryeministrit Kurti, shihni ndonjë rrezik se mund t’i kushtojë Kosovës kur tashmë jemi në fazën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës?
Çitaku: Ne besojmë se Kosova do ta kalojë suksesshëm edhe këtë fazë sepse kjo fazë është në dorën e Asamblesë Parlamentare ku ne tash e shumë vite kemi votat e nevojshme për të kaluar në fazën tjetër. Në këtë fazë nuk përfundon procesi i anëtarësimit të Kosovës në KE, por vetëm kalohet një hap shumë i rëndësishëm. Procesi më vendimtar do të jetë ai në muajin maj ku do të takohen ministrat dhe aty do të merret vendimi se si do të procedohet tutje. Çdo anëtarësim i Kosovës në organizatat ndërkombëtare është bërë me ndihmën e aleatëve tanë dhe unë shumë po shpresoj se në këto pak javë që kanë mbetur, kryeministri dhe qeveria do të këndellen dhe do t’i bashkërendojnë raportet me aleatët.

“Epoka e re”: A prisni që Kosovës t’i vihet ndonjë kusht i ri për anëtarësim në KE, e kam fjalën për dërgimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese?
Çitaku: Nga aleatët tanë është thënë në mënyrë eksplicite dhe jo vetëm tani, por në vazhdimësi, që Kosova duhet t’i respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese sepse janë vendime të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës, ngjashëm me vendimin për pronat e manastirit të Deçanit. Ndërkohë në mënyrë eksplicite kam dëgjuar të jetë kërkuar çështja e Asociacionit, pra ndërlidhur me procesin në Këshillin e Evropës, por kjo nuk do të thotë se vende anëtare brenda KE-së nuk do ta kushtëzojnë votën e tyre lidhur me Asociacionin.

“Epoka e re”: Znj. Çitaku, të ndalemi pak edhe te politika e brendshme e Kosovës. Si e keni parë qeverisjen e qeverisë Kurti gjatë këtyre viteve?
Çitaku: Ajo çfarë kemi parë në këto katër vjet, qeverisja është në vendnumërim në rastin më të mirë dhe kthim mbrapa në rastin më të keq. Është shumë e qartë se kryeministri Kurti nuk dëshiron të qeverisë. Kryeministri Kurti dëshiron të nënshtrojë. Ai dëshiron t’i nënshtrojë mediet, sektorin privat, bizneset, sindikatat, arsimtarët, mjekët etj. Mirëpo, Kosova dhe ky popull nuk nënshtrohen. Unë besoj se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një mundësi për ta rikalibruar sërish peizazhin politik në Kosovë dhe për t’i dhënë fund një mendësi qeverisëse, e cila bashkëpunimin edhe mes nesh, por edhe me aleatët, e sheh si nënshtrim. Qeveria Kurti edhe kompromisin shoqëror e sheh si nënshtrim. Ne kemi nevojë për dialog social. Ne kemi nevojë të flasim me njëri-tjetrin. Sa iu përket projekteve, nuk mund ta përmend një të vetëm, qoftë në fushën e rendit dhe ligjit, qoftë në fushën e zhvillimit ekonomik, qoftë reformave në arsim apo shëndetësi, etj. Pra, nuk mund ta gjeni një projekt të vetëm që ka filluar apo realizuar nga kjo qeveri.

“Epoka e re”: Por, qeveria është duke e thënë të kundërtën, madje vazhdimisht duke publikuar statistika…
Çitaku: Statistikat e vërteta janë aeroportet dhe stacionet e autobusëve.

“Epoka e re”: Kryeministri Kurti ka deklaruar se më shumë qytetarë janë duke u kthyer në Kosovë sesa duke u larguar…
Çitaku: E kam dëgjuar deklaratën e tij, në fakt e kam lexuar dhe më është dashur ta gjej dhe ta dëgjoj me veshët e mi për ta besuar, sepse ajo deklaratë me lë të kuptojë se kryeministri është duke jetuar në një univers paralel të shkëputur tërësisht nga realiteti në Kosovë.

“Epoka e re”: Si do ta përmblidhni punën e qeverisë Kurti?
Çitaku: Unë do të thosha nëse ka vetëm një gjë të mirë nga ky mandat qeverisës është demistifikimi i figurës së Albin Kurtit.

“Epoka e re”: Në kontekst të politikës së jashtme dhe të brendshme, si e keni parë rolin e presidentes Osmani?
Çitaku: Fatkeqësisht, në disa momente vendimtare, posaçërisht për raportet e Kosovës me aleatët, sepse funksioni i presidentes është bartës i politikës së jashtme. Presidentja ka dështuar të flasë qartë, hapur dhe publikisht për çështje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe vitale. Sigurisht, ne po marrim sinjale se qëndrime të ndara po jep në takime, mirëpo kjo nuk mjafton. Presidentja ka ditur të jetë shumë më e zëshme dhe, fatkeqësisht, meqë është në pozitë e kemi parë shumë më të heshtur edhe atëherë kur nuk do të duhej të ishte.

Mbështetja për kandidaturën e Bedri Hamzës për kryeministër tejkalon kufijtë e PDK-së

“Epoka e re”: Znj. Çitaku, PDK-ja para disa ditësh ka bërë disa ndryshime brenda strukturës drejtuese si dhe ka paraqitur kandidatin për kryeministër për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në këtë drejtim ku është PDK-ja sot?
Çitaku: PDK-ja është çdo ditë në terren, në bashkëbisedim me qytetarët anekënd, në fshatra dhe qytete. Jemi në bashkëbisedim me grupe të ndryshme, me mjekë, mësimdhënës dhe shoqërinë civile. Jemi duke punuar në projektin qeverisës që do të udhëhiqet nga kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Bedri Hamza. Ne këtë vit hyjmë në proces zgjedhor dhe kërkojmë që zgjedhjet të mbahen sa më parë. PDK-ja hynë në këtë proces zgjedhor me bindje të plotë që do të dalim fitimtarë.

“Epoka e re”: Në çfarë e bazoni optimizmin se do të dilni fitues të zgjedhjeve përderisa nga partia në pushtet thuhet se gara do ta zhvillohet për vendin e dytë në mes të PDK-së dhe LDK-së?
Çitaku: Arrogancë të tillë partia në pushtet pati demonstruar edhe në zgjedhjet lokale dhe përfundoi me katër komuna. Kështu që ne nuk po flasim pa matje dhe matja më e mirë është dalja në terren dhe bashkëbisedimi me qytetarë të cilët janë të zhgënjyer me qeverinë Kurti. Ne jemi shumë të bindur se rezultati do të jetë ndryshe, pra në favor të PDK-së. Dhe nëse Lëvizja Vetëvendosje është aq konfidente, atëherë pse nuk është duke e pranuar kërkesën e PDK-së që të shkojmë në zgjedhje. Në fakt, kryeministri Kurti njëherë tha do të shkojmë në zgjedhje kur të dëshirojë opozita, e tash si duket është kthyer disa hapa prapa.

“Epoka e re”: A keni pasur ndonjë iniciativë që ta shtyni përpara datën të cilën e keni kërkuar që të mbahen zgjedhjet?
Çitaku: Kërkesa jonë është që zgjedhjet të mbahen më 9 qershor, por ne e dimë se si PDK dhe si një nga partitë parlamentare, ndonëse më e madhja në opozitë, nuk e kemi monopolin mbi përcaktimin e datës së zgjedhjeve. Jemi ta hapur të diskutojmë për një modalitet rreth të cilit pajtohemi të gjithë.

“Epoka e re”: A do të ndërmerreni ndonjë iniciativë konkrete sa i përket shkuarjes në zgjedhje të parakohshme?
Çitaku: Po. Do të ketë iniciativa konkrete në Kuvendin e Kosovës, por ne nuk duam ta befasojmë askënd sepse kjo në fund fare nuk është një përpjekje e kotë për bajraktarizëm as për ta marrë flamurin. Ne do të bashkëbisedojmë. Kemi pasur disa takime, por do të vazhdojmë edhe në të ardhmen dhe do të dalim me një nismë në Kuvendin e Kosovës.

“Epoka e re”: Ju thoni se vazhdimisht jeni në terren. Si është pritur kandidatura e Bedri Hamzës për kryeministër?
Çitaku: Mund të them se ka një frymë jashtëzakonisht pozitive dhe një mbështetje që i tejkalon kufijtë e PDK-së. Katër vjet aventurë, presion dhe duket se e kanë lodhur qytetarin e Kosovës dhe duket se ata me padurim presin një kryeministër serioz, i cili garanton stabilitet, prashikueshmëri dhe zhvillim. Të gjitha këto i garanton figura e Bedri Hamzës.

Liderët e UÇK-së në Hagë janë braktisur nga shteti

“Epoka e re”: Znj. Çitaku, është bërë më shumë se një vit nga nisja e procesit gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë. Si jeni duke e parë këtë proces?
Çitaku: Ajo çfarë është evidente është se në atë tavolinë të gjykimit nuk janë emrat e përveçëm. Aty është historia jonë. Fatkeqësisht, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ne nuk i ndajmë. Janë atje të braktisur nga shteti dhe nga institucionet e Kosovës.

“Epoka e re”: Në çfarë aspekti janë të braktisur nga shteti?
Çitaku: Nuk u ofrohet ndihma e nevojshme dhe e domosdoshme jo vetëm financiare, por edhe politike dhe publike, pa ndërhyrë në proces. Dy prej tyre në Hagë janë ish-kryetarë Kuvendi, njëri ish-kryeministër e ish-president dhe tjetri ish-deputet, të cilët janë atje jo si politikanë, jo si emra të përveçëm, por si liderë politikë të UÇK-së.

(Lirim GECI / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës përmes një komunikatë për medie ka theksuar…