Iraku po përgatitet ta mbyllë misionin e koalicionit të udhëhequr nga ShBA-ja

05 janar 2024 | 12:34

Qeveria e Irakut është duke formuar një komitet për t’u përgatitur për mbylljen e misionit të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) në këtë vend, ka njoftuar të premten zyra e kryeministrit, Mohammed Shia al-Sudani.

Njoftimi ka ardhur një ditë pasi një sulm i ShBA-së ka vrarë një udhëheqës milicie në Bagdad, duke shkaktuar zemërim në mesin e grupeve mbështetëse iraniane që kërkonin nga qeveria t’i japë fund pranisë së koalicionit në Irak.

“Qeveria cakton një datë për fillimin e punës së komitetit dypalësh për të hartuar marrëveshjet për përfundimin e përhershëm të pranisë së forcave të koalicionit ndërkombëtar në Irak”, është thënë në deklaratën e zyrës së kryeministrit.

Komiteti duhet të përbëhet nga përfaqësues të koalicionit ushtarak, ka thënë një zyrtar qeveritar.

Ushtria amerikane ka kryer sulmin të enjten si hakmarrje për sulmet e fundit ndaj personelit amerikan, ka njoftuar Pentagoni.

ShBA-ja ka 900 trupa në Siri dhe 2 500 në Irak në kuadër të një misioni që thotë se synon të këshillojë dhe ndihmojë forcat të parandalojnë rikthimin e të ashtuquajturit Shteti Islamik, i cili pushtoi pjesë të mëdha të të dy vendeve në vitin 2014, para se të mposhtej.

Milicitë pro-iraniane në Irak dhe Siri kundërshtojnë ofensivën izraelite në Rripin e Gazës.

Sudani ka kontroll të kufizuar mbi disa fraksione të mbështetura nga Irani, mbështetja e të cilave i duhej për të ardhur në pushtet një vit më parë. Këto grupe tani formojnë një bllok të fuqishëm në koalicionin e tij qeverisës.

“Ne theksojmë qëndrimin tonë të vendosur për t’i dhënë fund ekzistencës së koalicionit ndërkombëtar pasi të kenë mbaruar justifikimet për ekzistencën e tij”, ka thënë Sudani në një deklaratë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë…