Irani dhe Koreja e Veriut bashkëpunojnë në programin raketor

09 shkurt 2021 | 11:26

Një raport i Kombeve të Bashkuara ka bërë me dije se gjatë vitit të kaluar, Irani dhe Koreja e Veriut kanë rifilluar bashkëpunimin për zhvillimin e projekteve të raketave me rreze të gjatë veprimi.

Për këtë, raporti ka cituar një shtet anëtar të OKB-së të paemëruar, i cili ka siguruar informacione se Koreja e Veriut dhe Irani kanë rifilluar këtë bashkëpunim. Raporti është publikuar nga një grup i pavarur ekspertësh që monitorojnë sanksionet ndërkombëtare ndaj Koresë së Veriut.

Duke u përgjigjur akuzave, ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara, Majid Takht Ravanchi, u ka thënë anëtarëve të panelit në dhjetor se në hetimet e tyre mund të jenë përdorur “informacione të rreme dhe të dhëna të fabrikuara”.

Sipas raportit, Koreja e Veriut ka vazhduar me zhvillimin e programeve të saj bërthamore gjatë vitit 2020 duke shkelur sanksionet ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara në vazhdimësi kanë akuzuar Korenë e Veriut dhe Iranin për bashkëpunim në zhvillimin e raketave.

Raporti publikohet në kohën kur administrata e re e presidentit të ShBA-së, Joe Biden po rishikon politikën e ish-presidentit, Donald Trump ndaj Koresë së Veriut.

Administrata e Bidenit po përpiqet gjithashtu të ringjallë diplomacinë me Iranin pasi Trump kishte tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e Teheranit me fuqitë botërore dhe vendosi përsëri sanksionet. Trump thoshte se marrëveshja ishte e negociuar keq dhe se ajo i mundësonte Iranit të ketë armatim bërthamor.

Në një intervistë për “CNN” më 8 shkurt, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka përsëritur se “nëse Irani u kthehet detyrimeve të tij sipas marrëveshjes bërthamore, edhe SHBA-ja do të vepronte njëjtë”.

Ai ka thënë se pastaj ShBA-ja do të punonte me aleatët dhe partnerët për një marrëveshje më të fuqishme duke adresuar më shumë çështje.

Zyrtarët iranianë kanë këmbëngulur që Shtetet e Bashkuara fillimisht duhet të lehtësojnë sanksionet ndërkombëtare.

Ata kanë thënë gjithashtu se programi raketor i vendit dhe politikat rajonale nuk mund të jenë tema të diskutimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në përpjekje për të ringjallur turizmin e dëmtuar nga pandemia…