Irani kërcënon me tërheqje nga marrëveshja bërthamore

22 shkurt 11:34

Irani ka kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me fuqitë botërore, nëse nuk ka përfitime ekonomike prej saj dhe nëse bankat e mëdha vazhdojnë të mos bëjnë biznes në Teheran.

Me marrëveshjen e vitit 2015, Irani është pajtuar të frenojë programin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare.

“Nuk mund të mbetemi në një marrëveshje nga e cila nuk kemi përfitime”, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, në një fjalim në Institutin Chatham në Londër.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka dhënë ultimatum fuqive evropiane, muajin e kaluar, duke thënë se ato duhet të rregullojnë “të metat e marrëveshjes”, në të kundërtën ai nuk do të vazhdojë lehtësimin e sanksioneve për Iranin.

“Marrëveshja nuk do të mbijetojë në këtë mënyrë”, ka thënë Araqchi.

“Nëse vazhdon politika e njëjtë e konfuzionit dhe e paqartësisë rreth marrëveshjes bërthamore, nëse kompanitë dhe bankat nuk punojnë me Iranin, ne nuk mund të qëndrojmë në marrëveshje”, ka thënë ai.

Vendet nënshkruese të marrëveshjes me Republikën Islamike janë Britainia, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para votimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi…