
Isa Mustafa flet rreth kandidaturave për kryetar të LDK-së
Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se LDK-ja do të rikthehet fuqishëm, pasi sipas tij Kosova ka nevojë për një parti shtetformuese si LDK-ja.
Mustafa është deklaruar edhe rreth kandidaturave të deritanishme për kryetar të partisë.
Lidhur me kandidaturën zyrtare të Anton Qunit, Lumir Abdixhikut dhe Lutfi Hazirirt, Mustafa ka thënë se është shumë e rëndësishme se kush do të zgjidhet në krye të partisë.
“Vlerësoj se është shumë e rëndësishme kush do të jetë në krye të LDK-së. Por mbi të gjitha është uniteti dhe fryma fundamentale e LDK-së, demokracia e brendshme dhe solidariteti partiak. Janë këto vlera që e dallojnë LDK-në nga partitë e tjera”, ka thënë Mustafa për “Periskopin”.
Më tutje, ai ka thënë se “asnjë frymë e as parti e konjukturave nuk e zëvendëson një parti shtetformuese, siç është LDK-ja”
“Kosova ka nevojë për një parti shtetformuese, si LDK-ja. Prandaj LDK-ja do të rikthehet fuqishëm. Asnjë frymë e as parti e konjukturave nuk e zëvendëson një parti shtetformuese, siç eshte LDK. Popullizmi nuk mund të jetë substitut i shtetformimit”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i LDK-së pritet të zgjedhjet të dielën.