Ish-burri i Drenusha Latifit shoqërohet në polici

01 mars 2024 | 17:56

Atilla Kardesh, ish-burri i ish-missit Drenusha Latifi është duke u intervistuar nga Policia e Kosovës, pasi ka shkelur një nga nenet e vendimit që Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë kundrejt tij, që të mos i afrohet ish-gruas së tij dhe të mos komunikojë në asnjë mënyrë me të, duke publikuar gjatë ditës së sotme një bisedë telefonike mes tyre.

Kështu ka konfirmuar për Paparacin Saranda Keqekolla, avokatja e viktimës Drenusha Latifi, e cila tha që për momentin janë në stacion policor bashkë me Drenushën dhe fëmijët e saj, duke pritur të përfundojë intervistimi i të akuzuarit, Atilla Kardesh.

Gjatë një bisede telefonike, avokatja Keqekolla është shprehur se i akuzuari ka shkelur dy vendime, njëri prej tyre ka qenë me datën 12 shkurt kur është arrestuar ku gjykata ia ka ndaluar që t’i afrohet viktimës në çfarëdo mënyrë, por ai nuk e ka respektuar duke bërë disa postime në lidhje me të dhe sot e ka përsëritur.

“Gjykata e ka caktuar masën e mbrojtjes ndaj personit, është cekur që personi nuk guxon me komuniku drejtpërdrejtë, tërthorazi, nuk guxon me publiku përmes rrjeteve sociale gjëra që kanë të bëjnë me të dëmtuarën edhe që i shkaktojnë shqetësim, kjo është shkelje shumë e rëndë, nëse nuk shkon në paraburgim neve nuk na mbet gjë tjetër veç me e marrë me vete viktimën”, është shprehur avokatja.

Tutje, Keqekolla është shprehur se pasi sot ka publikuar videon e radhës, ku dëgjohet një bisedë telefonike mes Kardesh dhe ish-gruas së tij, Drenushës, policia e ka ftuar për intervistim por ai ka gënjyer duke thënë se është jashtë kufinjve të Kosovës, kurse në anën tjetër ka shkuar në Qendrën për Punë Sociale për të marrë fëmijët, pasi gjykata ka vendosur që komunikimin me fëmijët ta bëjë përmes qendrës.

“Policia e kanë marrë vesh këtë fakt por nuk e di çka po ndodh, ne jemi duke prit në stacion bashkë me Drenushën e dy fëmijët, Drenusha ka ardh prej mëngjesit këtu, çdo ditë po i duhet me ardh bashkë me fëmijët”, ka shtuar avokatja Keqekolla për Paparacin.

Më tej, ajo tha se Drenusha nuk po pranon që t’ia dorëzojë fëmijët sipas vendimit të Gjykatës, duke qenë se fëmijët kanë pasaporta suedeze, pasi po frikësohet që do t’i marrë dhe do të largohet.

“Drenusha s’po pranon me ja jep fëmijët se po tutet mos po ia dërgon jashtë pasi i kanë pasaportat e Suedisë, tu e dit që i ka gënjy edhe policinë”, ka shtuar ajo.

Avoktatja tha se presin që ndaj tij të zëvendësohet masa e mbrojtjes me paraburgim, duke qenë se e ka shkelur vendimin e gjykatës dy herë me radhë, dhe se shpresojnë që institucionet të marrin vendime më të ashpra, para se të vijë tek vrasja e më pas të reagojnë e gjithë Kosova.

Atilla Kardesh, gjatë ditës së sotme ka publikuar në rrjete sociale një video me ish-gruan e tij, ku ajo i thotë të shkojë dhe t’i marrë fëmijët.

Pas publikimit të kësaj video, është ftuar në polici për intervistim, pasi sipas vendimit të gjykatës, i ndalohet çdo publikim, komunikim, apo afërsi që mund ta shqetësojë viktimën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në prag të shënimit të “Epopesë së UÇK-së”, me iniciativë…