Ish-deputetët padisin Kuvendin, kërkojnë pagat për muajt e bojkotit

31 mars 2019 | 15:48

I dogjën mandatet, por ish-ligjvënësit opozitarë i janë drejtuar gjykatës për të marrë rrogat e bojkotit të fundit parlamentar.

“Top Channel” ka siguruar paditë që kanë depozituar në gjykatën administrative ish-deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj dhe katër ish-deputetë demokratë, Valentina Duka, Fatbardha Kadiu, Luan Baçi dhe Luçiano Boçi, ky i fundit kërkon kompensimin financiar për 3 bojkote.

Vlera që kërkohen nga Kuvendi kap shifrën e 1 milion e 373 mijë lekëve të reja. Me largimin nga Kuvendi, karriget bosh të opozitarëve po vijojnë të mbushen me deputetë të cilët vijnë nga radhët e opozitës, por PD-ja dhe LSI-ja nuk i njohin kandidatët të cilët vendosën vetë në lista.

Të njëjtin qëndrim mbajti dhe presidenti Ilir Meta, i cili deklaroi se Parlamenti ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë 3 deputetët Hajdari, Koka dhe Murrizi, të cilët nuk pranuan të dorëzojnë mandatin.

Por, kryetari i shtetit edhe pse deklaroi se nuk e njeh atë që po etiketohet si opozitë e re, ka dekretuar ligjet e miratuara në Parlament edhe nga deputetët e rinj.

Kuvendi arriti numrin e 100 deputetëve. Pas disa ditësh pjesë e tij bëhet edhe Korab Lita, ish-zëvendëskryetari i Bashkisë së Kamzës, dikur njeriu më i afërt i kryebashkiakut Xhelal Mziu.

Në Kuvend Korab Lita do të zëvendësojë Dashamir Shehin, kryetarin e LZHK-së. Me betimin e Korab Litës dhe Amra Borovës, e cila mungoi në seancën e shkuar pasi u bë nënë, Parlamenti numëron 21 deputetë që vijnë nga radhët e opozitës.

Deputetët e rinj të Kuvendit do të formojnë dy grupe parlamentare. I pari është ai që do të drejtohet nga demokratja Rudina Hajdari dhe do grupojë deputetët që vijnë nga lista e Partisë Demokratike. Një tjetër grup është ai nga radhët e LSI-së, për të cilin ende nuk është rënë dakord se kush do ta drejtojë, megjithëse po mendohet për një deputete zonjë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modeluesja dhe aktorja amerikane, Lindsey Pelas, ka paralajmëruar një verë…