Ish-drejtori i KEK-ut tregon si mund të tejkalohet kriza energjetike

16 gusht 00:41

Ish-drejtori i KEK-ut, Njazi Thaçi, ka thënë se nëse riparohet blloku i “Kosova B” në kohën e duhur atëherë dimri do të jetë më i përballueshëm.

Ai shprehet se në planin afat-shkurtër, Kosova nuk mund të ketë zgjidhje tjetër përveçse punimeve në blloqe, kurse, prishjet apo daljet e tyre nga sistemi, mund të ndodhin për shkak të vjetërsisë.

“Zakonisht, njësitë e termocentraleve në remont shkojnë deri në shtator apo tetor, për shkak se dimrit në temperatura të ulëta është i pamundur riparimi për shkaqe teknike dhe vjetërsisë së tyre,” tha ai për REL.

Korporata Energjetike e Kosovës operon me dy termocentrale në Obiliq, të cilat prodhojnë energjinë nga thëngjilli – Termocentrali “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe punuese. Blloku i parë ka filluar punën në vitin 1962.

Por, ky termocentral gati që një dekadë operon me vetëm tri blloqe.

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se aktualisht në prodhim janë dy blloqe nga “Kosova A”, edhe një bllok i ”Kosovës B”.

Ndërkohë, blloku tjetër i “Kosovës B” është në riparim dhe puna pritet të përfundojë më 26 gusht 2022.

Kriza energjetike, e cila kërcënon Evropën, e rrjedhimisht edhe Kosovën, është pasojë e çmimeve të larta dhe jostaabile të energjisë në bursat ndërkombëtare.

Ngritja e çmimeve, fillimisht nisi si pasojë e pandemisë së koronavirusit, ndërkaq hovin më të madh të ngritjes e mori pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt të këtij viti.

Çmimi i lartë i energjisë në tregje ndërkombëtare ka shtyrë KEDS–in që më 9 gusht të kërkojë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE), rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Vendimi nuk është marrë ende.

Një rritje e faturave të energjisë – për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 megavat – veçse është bërë në muajin shkurt të këtij viti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në emisionin DPT te Fidani në T7 është i ftuar…