Ish-drejtori i Policisë: Qeveria po gënjen për shtesat e zyrtarëve policorë

07 qershor 2023 | 08:57

Mbi 80 mijë punonjësve të sektorit publik u janë ekzekutuar pagat në fillim të muajit.

Por, në ato paga nuk janë llogaritur edhe shtesat për rrezikshmërinë në punë për policët.

Tash e tre muaj, pjesëtarët e policisë janë duke pritur që t’iu dalin shtesat për rrezikshmërinë në punë.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave muaj më parë pati thënë se shtesat e muajit shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj mos ekzekutimin e shtesave për policët po e sheh të gabuar.

Qalaj tha se qasja e Qeverisë Kurti kundrejt policës është e padrejtë.

Ai tha se krahas rrezikshmërisë që kanë, këtij institucioni i nevojitën më së shumti shtesat.

“Shumë e gabuar dhe e padrejtë kjo qasje e Qeverisë kundrejt policisë. Nëse ndonjë institucion ka nevojë për pagesën e shtesave të rrezikshmërisë padyshim është institucioni i policisë dhe është e pakuptimtë vonesa dhe mos veprimi i qeverisë në këtë aspekt. Policia e Kosovës duhet t’i ketë të gjitha llojet e shtesave edhe të pagesave për ndërrim të natës edhe për shujtat por më të nevojshmet janë shtesat për punën në rrezikshmëri duke e marr parasysh që është profesioni më i rrezikshëm në këtë vend”, u shpreh Qalaj për Front Online.

Ish-drejtori i Policisë, njëherësh deputet i PDK-së, Rashit Qalaj premtimet e Qeverisë po i cilëson si gënjeshtra.

Qalaj thotë se sa ma shpejt duhet të ekzekutohen shtesat e rrezikshmërisë për këtë kategori.

“Qeveria është duke premtuar shumë gjëra në këtë shoqëri,por të gjitha ato po dalin gënjeshtra si duket edhe shtesat për rrezikshmëri për policët është e njëjta situatë vetëm premtime boshe dhe asgjë tjetër. Është e nevojshme dhe duhet sa ma shpejt që t’iu dalin policëve shtesat që nuk ju kanë dal që sa muaj”, thotë Qalaj.  

Ditë më parë lidhur me këtë çështje ka folur edhe kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.

Ai tha se janë në pritje të një takimi me ekzekutivin.

Zeqiri tha se pas daljes së pagës të qershorit nëse nuk dalin shtesat, do të vendosin për hapa sindikal.

Tutje, ai tha se Qeveria po gjen arsyetime për mos-ekzekutimin e shtesave për rrezikshmërinë.

“Nuk e kemi asnjë lajm se a ekzekutohen apo jo. Ne do ta kemi edhe një takim me Qeverinë në momentin kur ekzekutohen pagat që të jemi të njoftuar se a janë dalë shtesat apo jo dhe do të vendosim për hapa sindikale varësisht prej kërkesave të policëve ashtu do të veprojmë, do presim vetëm deri në fund të muajit. Ata vetëm po arsyetohen për këto shtesa se s’ kanë pas mundësi të bëjnë llogaritjen e mjeteve për me i vendos shtesat apo kanë të tjera telashe unë nuk e di”, u shpreh Zeqiri.

Ndërsa sot, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se policëve nuk iu është paguar asnjë cent në tre muajt e fundit për rrezikshmërinë në punë.

“Rrezikshmëria nuk është paguar në tre muajt e fundit, jemi në bisedime me Ministrinë e Brendshme këtë muaj presim që të paguhemi”, tha Hoxha në Komisionin për Siguri.

Ligji për pagat ka hyrë në fuqi më 5 shkurt dhe është përcaktuar koeficienti në vlerë prej 105 eurosh për vitin 2023. Ndërsa me 7 prill i njëjti ligj është dërguar në Kushtetuese nga avokati i Popullit me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian presin që…