Ish-kancelari gjerman padit Bundestagun për heqjen e privilegjeve

12 gusht 2022 | 16:32

Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, ka paditur parlamentin gjerman në një përpjekje për të rivendosur privilegjet që iu hoqën në maj të këtij viti.

Sipas avokatit të tij, në padinë e ngritur në Gjykatën Administrative të Berlinit, 78-vjeçari Schroeder kërkon t’i kthehet e drejta për të pasur një zyrë në parlamentin gjerman.

Komiteti parlamentar gjerman i buxhetit vendosi në maj që Schroeder, subjekt i kritikave të ashpra në Gjermani për lidhjet e tij me Rusinë, duhet të hiqte dorë nga e drejta e tij për një zyrë në Bundestag, megjithëse ai do të vazhdonte të merrte pensionin e tij.

Ekipi ligjor i ish-kancelarit po argumenton se vendimi i komitetit të buxhetit të Bundestagut për të shkurtuar fondet për zyrën parlamentare të Schroeder-it dhe për ta mbyllur atë ishte i paligjshëm.

Ish-kancelari, i cili ishte në detyrë midis viteve 1998 dhe 2005, është kritikuar për vite me radhë për përfshirjen e tij me kompanitë shtetërore ruse dhe konsiderohet një mik i ngushtë personal i presidentit rus Vladimir Putin.

Presioni ndaj Schroder-it për t’u distancuar nga Putini është rritur pas pushtimit rus në Ukrainën fqinje.

Në maj, Schroeder më në fund ka njoftuar se do të largohej nga bordi mbikëqyrës i gjigantit rus të energjisë “Rosneft”. Ai gjithashtu ka hedhur poshtë një nominim për një pozicion të bordit mbikëqyrës në Gazprom, një tjetër gjigant energjetik rus.

Të hënën, partia e tij e qendrës së majtë (SPD) ka vendosur se nuk kishte arsye për ta përjashtuar atë nga partia pas disa javësh shqyrtim.

Komiteti në qytetin verior gjerman të Hanoverit, ka thënë se Schroederi nuk ka shkelur rregullat partiake të SPD-së duke u angazhuar me kompanitë shtetërore ruse, që do të thotë se nuk ka bazë për dëbim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i mirënjohur kosovar, Kushtrim Gashi dhe FC Prishtina kanë…