Ish komandanti i UÇK-së përkrah iniciativën e Veselit për pastrimin e listave të veteranëve

10 qershor 2019 | 15:44

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, ka përkrahur idenë e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, i cili të dielën ka paralajmëruar një komision hetimor për të hetuar listat e veteranëve të luftës.

Lushtaku ka deklaruar se po e pret me padurim formimin e këtij komisioni duke u shprehur se ky është gëzimi më i madh i tij që nga çlirimi i Kosovës.

“Pastrimi i listave për mua është gëzimi më i madh që nga çlirimi i Kosovës. Mezi s’po pres që t’ i shoh listat e pastruara me vetëm ata veteranë që kanë luftuar përnjëmend. Pastrimi i listave bën që ushtarët që kanë luftuar për këtë vend të ndihen krenar dhe jo të rreshtohen me ata që nuk kanë bërë asgjë, të barazohen me ata që kanë jetuar në Gjermani me ata që kanë qëndruar në istikame”, ka thënë Lushtaku për “KosovaPress”.

Ai ka deklaruar se reputacioni i UÇK-së nuk zbehet asnjëherë pavarësisht sulmeve të atyre njerëzve që tërë jetën kanë punuar kundër vlerave të luftës dhe UÇK-në.

“Lufta e UÇK-së është e shenjtë dhe nuk ka asgjë që mund ta njollosë atë”, ka vlerësuar Lushtaku.

Madje, ai ka ftuar edhe bartësit tjerë të luftës por edhe partitë politike që ta përkrahin iniciativën e Veselit për të hetuar listat e veteranëve. “Unë besoj që secili pjesëtar i UÇK-së do të ndihet shumë mirë kur kjo të ndodhë”, ka thënë Lushtaku.

Sami Lushtaku ka qenë komandant i UCK-së për Zonën e Drenicës ndërsa pas luftës ka mbajtur postin e kryetarit të Skënderajt për disa mandate.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë me dije se…