Ish-kryeprokurori i rikthehet politikës, flet për aktivitetin e tij brenda LDK-së

11 janar 2021 | 12:25

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, më pas prokuror në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, i është rikthyer aktivitetit të tij politik në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Hoxha është parë në një aktivitet të kësaj partie, i cili është mbajtur para disa ditësh në Prizren, ku i pranishëm ka qenë edhe kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti.

Në një bisedë për “Express”, Hoxha tregon për aktivitetin e tij brenda partisë si dhe nëse ka ambicie për të kandiduar si deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Po jam anëtar i kësaj partie. Kam qenë edhe më herët edhe në funksion, tash jam anëtar edhe kam shkuar në tubim. Kurdo që ka tubime shkoj, se tash jam anëtar. Ju e dini se jam në pension dhe mundem me shkuar, e nuk kam ndonjë ndalesë, anëtar jam”, ka thënë Hoxha.

Ai ka thënë se pjesë e partisë ka qenë edhe në të kaluarën, por aktivitetin e tij e kishte pushuar për shkak të punës në prokurori.

“Në parti kam qenë edhe më herët në LDK, por mandej e kam pushu aktivitetin sepse kam qenë në prokurori, e tash jam rikthyer prapë. Jam rikthyer pasi kam dal në pension dhe kam drejt me u marrë me aktivitet si anëtar i partisë”, ka thënë ai.

I pyetur nëse ka ndonjë funksion brenda partisë, ish-prokurori special ka thënë: “nuk kam për momentin ndonjë funksion”.

Ndërsa në pyetjen se a ka pretendime për të qenë kandidat për deputet, ai është përgjigjur: “Nuk varet ajo prej meje”.

Më tutje, Hoxha ka thënë se askush nuk i ka ofruar të jetë kandidat për deputet.

“Nuk më ka ofruar askush deri më tani, nuk e di”, ka thënë Hoxha.

Sylë Hoxha është pensionuar në shkurt të vitit 2020, ndërsa emri i tij ishte përmendur edhe në përgjimet e publikuara si “Dosja e Shefave”.

Disa vjet para pensionimit ai ishte transferuar si prokuror special në Prishtinë, pasi nuk kishte arritur të triumfonte sërish si kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

Hoxha në të kaluarën ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë nga radhët e LDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhudistja Majlinda Kelmendi e mposhti polaken Agata Perenc pas 5:17…