Ish-ministri i Shëndetësisë kritikon qeverinë për menaxhimin e pandemisë Covid-19

14 prill 2021 | 20:30

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Zemaj përmes një postimi në “Facebook” ka akuzuar Qeverinë se ky menaxhim i pandemisë do të mund ta rikthej Kosovën në krizë të ashpër shëndetësore.

“Sot, si çdo ditë e qeverisjes së kësaj Qeverie, dhjetëra jetë të humbura nga Covid-19, numër i madh i të infektuarve, ndërsa qeveria me masa politike pa konsultim me profesionistët e fushës e pa asnjë strategji të uljes së numrit të të infektuarve. Të ndikuar nga popullizmi i jashtëm e fushatat e ‘Facebook’-ut menaxhimi pa motiv e përkushtim me mbikëqyrje selektive, do ta rikthej vendin pas një viti të mundimshëm të menaxhimit të pandemisë, në krizë të ashpër shëndetësore”, ka shkruar Zemaj në “Facebook”.

Ai po ashtu ka kërkuar që së paku të lexohet e të zbatohet nga Qeveria, Manuali për mbrojtjen dhe përhapjes e virusit.

“Derisa po e shqyejnë gurmazin në fushata zgjedhore jashtë shtetit, Qeverisë për situatën shëndetësore në vend, asnjë fjalë nuk i shpëton nga goja. Lexojeni e zbatojeni së paku Manualin për mbrojtjen dhe përhapjen e virusit Covid 19”, shtoi Zemaj.

Kujtojmë se në 24 orët e fundit janë shënuar 14 viktima dhe 701 raste të reja me Covid-19.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ndeshjen për vendin e tretë të Ligës Unike, Rahoveci…