Ish-presidenti kroat: Marrëdhëniet Kosovë-Serbi paraqesin rrezikun më të madh për paqen në Ballkan

08 qershor 2021 | 12:24

Ish-presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, ka thënë në një intervistë se sado tronditëse të duken për publikun disa nga “non-paper”-at, ato nuk e kanë kapacitetin për ta prishur stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Josipoviqi ka thënë se “non-papers” që flasin për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor nuk prishin marrëdhëniet në asnjë vend ose rajon.

“Unë mendoj se të gjithë e kuptuan se kjo është një praktikë e zakonshme politike e ‘ndjenjës’ së pranueshmërisë së zgjidhjeve të caktuara. Tronditja e pretenduar për propozimin e Janshas dukej si një destabilizim i caktuar për shkak të publicitetit në media, si dhe reagimeve të mprehta. Por efekti praktik i atij ‘non-paper’ është në të vërtetë pothuajse inekzistent. Unë nuk e shoh që ai ka destabilizuar ose prishur marrëdhëniet me të vërtetë në ndonjë vend, veçanërisht jo në rajon. Ai ishte aq i papranueshëm sa që, në fakt, të gjithë hoqën dorë nga autorësia e tij. Sot, pothuajse askush nuk e përmend këtë ‘non-paper’ si të rëndësishëm”, ka thënë Josipoviqi.

Sipas tij, marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë paraqesin rrezikun më të madh për paqen në Ballkanin Perëndimor.

“Problemi më i madh është marrëdhënia midis Serbisë dhe Kosovës. Serbia, nga pandryshueshmëria e kufijve, me siguri do të thotë që Kosova është pjesë e Serbisë, dhe Kosova, si shumica e botës, beson se është një shtet sovran i sapo krijuar me kufij të tillë siç i kishte gjatë Jugosllavisë. Dhe disa vende të tjera, megjithëse e pranojnë parimin e pandryshueshmërisë së kufijve, kanë mosmarrëveshje reciproke se ku është, në fakt, kufiri”.

“Kroacia nuk e ka përcaktuar ende përfundimisht kufirin me Slloveninë, Bosnjën, Serbinë ose Malin e Zi. Për fat të mirë, tonat, nuk do të them mosmarrëveshje, por keqkuptimet rreth vendit se ku është kufiri i njohur ndërkombëtarisht, i cili nuk duhet të ndryshohet, nuk janë ‘të nxehta’ dhe regjimet e përkohshme të vendosura ligjërisht ose faktikisht funksionojnë mirë”, ka thënë Josipoviqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe një dekadë pasi Serbia ka ekstraduar në Gjykatën e…