Islam Pacolli synon mandatin e dytë të deputetit

11 shtator 2019 | 12:11

Anëtari i Kryesisë së Aleancës Kosova e Re (AKR), Islam Pacolli, ka vendosur që ta sfidojë vetën për herë të dytë në garën për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ai është kandidat për deputet me numër pesë në listën zgjedhore të koalicionit Nisma-AKR për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Pacolli është zotuar se koalicioni Nisma-AKR do t’i mbrojë interesat e qytetarëve të vendit.

Fotografia e Islam Pacolli

“Jam kandidat për deputet me numër rendor 5 nga radhët e AKR-së, në koalicion AKR-Nisma. Ne i mbrojmë interesat e qytetarit”, ka shkruar ai.

Pacolli në legjistraturën e kaluar ka qenë mjaftë aktiv në Kuvend duke ngritur shumë çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me interesin e qytetarëve. Ish-deputeti Pacolli ka rikujtuar se gjatë mandatit të tij të parë si deputet asnjëherë nuk ka ngritur zërin për interesa personale apo partiake, por gjithmonë për interesin e qytetarëve.

“Puna e ndershme e AKR-së besoj se do të vlerësohet nga qytetarët. Unë kam qenë një ndër deputetët më të zëshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe çdoherë i kam trajtuar çështjet që kanë qenë në interes të qytetarëve. Asnjëherë në Kuvend nuk kemi ngritur zërin për çështje personale apo partiake. Ajo që më ka penguar shumë dhe vazhdon të më pengojë shumë është se shumica e politikanëve thirren në interesat e qytetarëve, por punojnë për interesat personale dhe partiake. Edhe pse kam pasur vështirësi, sepse kam qenë deputet pa grup, megjithatë çdo çështje e kam trajtuar në mënyrë adekuate. Nuk jam ithtar i atyre që e zhvatin shtetin, sepse buxheti nuk është i pushtetarëve, por i taksapaguesve. Jam një ndër deputetët që asnjëherë nuk ka udhëtuar me buxhet të shtetit. Është vështirë të realizohet programi nëse nuk ke fuqi të mjaftueshme politike. Ka pasur progres gjatë kësaj qeverisje në disa aspekte. Rajoni i Gollakut ka qenë i anashkaluar nga qeveritë e kaluara dhe, përveç AKR-së, të tjerat nuk kanë bërë asgjë sidomos për rrugët në atë pjesë. Gollaku nuk e ka asnjë metër autostradë, prandaj qeveria e ardhshme duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim”, ka deklaruar Pacolli në një intervistë dhënë javë më parë për gazetën “Epoka e re”.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derisa pjesës dërrmuese të ish-deputetëve i është ndërruar vendi në…