Ismaili: BQK-ja e përkushtuar për ta forcuar stabilitetin financiar që lidhet me rreziqet e mjedisit në Kosovë

05 tetor 2023 | 11:39

Me pjesëmarrjen e mbi 140 personaliteteve nga e gjithë bota, për herë të parë në Prishtinë është mbajtur Forumi për Qëndrueshmërinë në Financa.

Ky forum është organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Shoqata e Bankave të Kosovës, Rrjeti për Qëndrueshmërinë e Bankave dhe Financave dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare, anëtare e grupit të Bankës Botërore, në partneritet me sekretariatin shtetëror të Zvicrës për Çështje Ekonomike.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili në fjalën hyrëse të këtij forumi, ka theksuar se BQK-ja është e përkushtuar për të forcuar përpjekjet për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar në vendin tonë, ndaj rreziqeve të lidhura me mjedisin dhe klimën në veçanti.

Ai ka shtuar se BQK-ja ka hartuar strategjinë që do të kontribuojë në forcimin dhe rregullimin e praktikave të bankave për të rritur stabilitetin financiar në vend.

“Veprimet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për të adresuar rrezikun mjedisor do të jenë në drejtim të forcimit të kornizës rregullative dhe direktivave të Bashkimit Evropian dhe standardeve të Bazelit, forcimit të praktikave mbikëqyrëse, duke përfshirë vlerësimin dhe kuptimin e plotë të ekspozimit të bankave ndaj rreziqeve klimatike”, ka thënë guvernatori Ismaili.

Gjithashtu, guvernatori Ismaili ka potencuar se BQK-ja do të punojë në ngritjen e kapaciteteve me qëllim të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe përshtatjes ndaj rreziqeve që vijnë nga ndryshimet klimatike.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do të punojë në ngritjen e kapaciteteve të brendshme, rritjen e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse vendore, për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, duke marrë parasysh angazhimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”.

“Edukimi financiar dhe komunikimi më i gjerë përmes pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare, punëtori, forume me qëllim të zgjerimit të ekspertizës dhe njohurive në fushën e rreziqeve klimatike, është pjesë e planit të BQK-së”, ka thënë ai.

Guvernatori Ismaili në këtë forum ndërkombëtar, ka thënë se bankave qendrore i është shfaqur nevoja për të ndërmarrë veprime ndaj rreziqeve financiare që lidhën me klimën.

“Bankat potencialisht janë të ekspozuara ndaj rreziqeve financiare të lidhura me klimën, pavarësisht nga madhësia, kompleksiteti ose modeli i tyre i biznesit. Andaj, bankave qendrore, autoriteteve rregullatore, institucioneve financiare dhe politikëbërësve të tjerë, u është shfaqur nevoja për të ndërmarrë veprime në përgjigje të këtyre sfidave”, ka potencuar guvernatori Ismaili.

Në fund, guvernatori Ismaili, ka thënë se angazhimet mjedisore të Republikës së Kosovës janë në përputhje me strategjinë e Bashkimit Evropian.

Ndërsa Petrit Balija, drejtor i Shoqatës së Bankave të Kosovës, ka thënë se BQK-ja treguar përkushtim të madh për të tejkaluar dhe ka ofruar mbështetje si për bizneset e bankat për të tejkaluar inflacioni.

Në anën tjetër, Nicolas Marquier, menaxher Rajonal për Ballkanin Perëndimor (IFC), ka thënë se janë të përkushtuar që t’i dalin në ndihmë sektorit privat.  “Kemi 6.7 miliardë financim në lidhej me klimën dhe 8 miliardë të tjera që të përfshijmë bankat qendrore në të gjitha këto përpjekje”, ka thënë ai.

Kurse Christoph Fuchs nga ambasada e Zvicrës në Kosovë, ka thënë se duke marr parasysh rreziqet që paraqiten nga ndryshimet klimatike është e rëndësishme që përpjekjet e të gjithëve të jenë gjithëpërfshirëse.

Më tutje, Rong Zhang, koordinator global nga  Banka e Qëndrueshme e mbështetur nga IFC dhe Rrjeti Financiar (SBFN), ka thënë se ky rrjet ka 81 institucione anëtare që përfaqëson 63 shtet në gjithë botën.

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Strategjinë e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022–2031, që parasheh sektor të qëndrueshëm energjetik të integruar në tregun pan-evropian dhe duke garantuar siguri e përballueshmëri energjetike për qytetarët.

Kujtojmë se Republika e Kosovës ishte një nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor që nënshkruan Deklaratën e Sofjes në nëntor 2020, ku vendet e njohën Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, si një nismë për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Blinera Gjikokaj shpall të pavlefshme diplomën e fakultetit Filologjik të…