Ismaili kalon festën e 28 Nëntorit me Veselin në Hagë: Kjo ishte porosia që ma dha

28 nëntor 2022 | 19:31

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili ka njoftuar se festën e 28 Nëntorit e ka kaluar në Hagë, aty ku mbahet ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ismaili duke treguar se si e ka kaluar kohën me Veselin, ka thënë se ai i la edhe një fjalë, të cilin e ka ndarë me ndjekësit e tij në Facebook.

“Keni shumë çka me përmirësu në Kosovë, e kjo duhet të ja u definojë patriotizmin që me punu për të mirën e shtetit e mos me koritë familjen”, i ka thënë Veseli Ismailit.

Përveç Veselit, Ismaili ka njoftuar se ka pasur rast ta takoj edhe ish-deputetin e VV-së, Rexhep Selimi, ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe dy ish-krerët e UÇK-së, Hysni Gucati e Rasim Haradinaj.

Ish-presidentin Hashim Thaçi nuk e ka takuar, për të cilën gjë, ka shkruar Ismaili, i ka mbetur shumë merak.

Njoftimi i plotë:

Këtë festë të madhe të shqiptarëve e kalova në Hagë me Kadri Veselin. Sendviçat e drekës i bëmë bashkë, e muhabeti i mirë i bëri edhe ma të shijshëm. Unë flisja dhe e kujtoja të kaluarën, por ai si gjithmonë ma i interesuar me folë për të ardhmen. E kushdo që e njeh nga afër, e din që nuk të len me ikë pa një fjalë të mirë. “Keni shumë çka me përmirësu në Kosovë, e kjo duhet të ja u definojë patriotizmin që me punu për të mirën e shtetit e mos me koritë familjen”, më tha.

Fati deshi që kësaj radhe të takoj edhe udhëheqës të tjerë të UÇK-së që po mbahen në Hagë. Rexhës ia urova festën dhe e përgëzova për ekspozitën që e ka hapë në Prishtinë. I erdhi mirë që ekspozita e tij është pritë mirë dhe më qerasi me një kafe. Pastaj e takova edhe bacën Jakup me familjen e tij që gjithashtu kishin ardhë për vizitë.

E takova edhe Hysin që e kishte pasë një operacion tepër të vështirë para disa javësh si pasojë e plagëve të luftës. Djemtë e Hysit më treguan edhe për problemet me vizat 3 ditore që po i lëshohen për me vizitu babanë e tyre. Padrejtësi mbi padrejtësi.

Në fund e takova edhe Nasimin që kishte përgatitë ushqim tradicional për festë, por që nuk arrita ta provoj sepse koha e vizitës më përfundoi.

Më mbeti shumë merak që nuk e pashë Presidentin Thaçi kësaj here, sepse ashtu do të ishte kompletu vizita. E planifikova që herën e ardhshme ta takoj enkas.

U ndava nga Kryetari Veseli duke mendu se qysh Zoti i ka beku me karakter të pathyeshëm. Me buzëqeshje si gjithëmonë “Të fala andej, na jemi shumë mirë, ju mbajuni të fortë!”

Ne me u ba të fortë?! Derisa vështirësia e situatës edhe njëherë është mbi supet e tyre, ata sërish na demonstrojnë se si duhet përballur me sfidat që na ballafaqon jeta, e në veçanti mbrojtja e interesave kombëtare.

Gëzuar 28 Nëntorin nga Haga ku po mbahen të burgosur disa burra krenarë për një kohë kur ishin djem të ri që luftuan kundër robërisë e për lirinë e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas fitores 2-0 ndaj Meksikës, festa ishte e madhe në…