Ismaili: Kosova është në rrugë të mirë për të tërhequr një shumë rekord të investimeve të huaja direkte

31 mars 2026 | 15:22

Kosova është në rrugë për të tërhequr një nivel rekord të investimeve të huaja direkte, pasi vlera e vitit të kaluar tejkaloi për herë të parë në histori 1 miliard euro, kështu është shprehur guvernatori i Bankës Qendrore së Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili për “Bloomberg”.

Guvernatori Ismaili ka thënë se investimet e huaja direkte, të cilat janë rritur me 30 për qind në baza vjetore në vitin 2025 janë nxitur nga investimet në patundshmëri, shërbime si dhe në sektorët e teknologjisë dhe sigurisë kibernetike. Sipas tij, ato kanë ardhur kryesisht nga diaspora e vendit. “Ne besojmë se ky ritëm do të vazhdojë për disa vite dhe kjo do të jetë një bazë shumë e mirë për rritje”, ka thënë guvernatori Ismaili për “Bloomberg News”.

Ekonomia e vendit varet nga remitancat, të cilat përbëjnë rreth 13 për qind deri në 14 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (GDP). Pjesa më e madhe e kësaj mbështetje vjen nga diaspora e Kosovës në Gjermani dhe Zvicër. Ndërsa, remitancat më parë ushqenin sektorin në rritje të patundshmërive dhe konsumin e brendshëm, vitet e fundit është vërejtur një zhvendosje drejt aktiviteteve të tjera investuese. Guvernatori Ismaili është shprehur optimist për perspektivën ekonomike të Kosovës pas disa vitesh me rritje rreth 4 për qind.

Ai ka shtuar se kjo normë mund të jetë edhe më e lartë nëse vendi arrin të përparojë në aspiratat e tij për anëtarësim në Bashkimi Evropian. Përvoja e vendeve të tjera që i janë bashkuar bllokut tregon se rritja mund të marrë një shtysë të madhe nga anëtarësimi në BE.

Në rastin e Kosovës, kjo mund të nënkuptojë edhe një zgjerim me dy shifra, sipas tij. Megjithatë, anëtarësimi në BE varet nga një sërë faktorësh, ndër të cilët edhe pajtimi i Kosovës me kundërshtarin e saj të kohës së luftës, Serbia, që mbetet një pengesë e madhe për këtë proces. Aktualisht ka pak dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Vitin e kaluar, Banka Botërore e ka hequr Kosovën nga Lista për Vendet në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit (FCS/FCV), duke sinjalizuar se nuk e klasifikon më si zonë të paqëndrueshme apo me rrezik të lartë konflikti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues në…