Izraeli i përgjigjet koronavirusit me teknologjinë antiterror

15 mars 2020 | 09:08

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se vendi i tij është duke planifikuar që ta përdorë teknologjinë antiterroriste për përcjelljen e lokacionit dhe një izolim të pjesshëm të sektorit të ekonomisë për ta zvogëluar rrezikun nga përhapja e koronavirusit.

Vëzhgimi me teknologji kibernetike do të përdoret për gjetjen e vendndodhjes së njerëzve që kanë qenë në kontakt me personat e infektuar, tha kryeministri izraelit gjatë një konference për gazetarë në Jerusalem.

“Ne shumë shpejt do ta nisim përdorimin e teknologjisë dhe teknikave digjitale, të cilat i kemi përdorur për ta luftuar terrorizmin”, tha Netanyahu, duke shtuar se e ka kërkuar miratimin e Ministrisë së Drejtësisë për këtë masë, sepse ajo mund ta prekë të drejtën e pacientëve për privatësi.

Përpos përdorimit të teknologjisë, qeveria e Izraelit njoftoi se nga e diela do të mbyllen qendrat tregtare, hotelet, restorantet dhe teatrot, ndërsa punëtorët nuk duhet të shkojnë në vendet e tyre të punës, përpos rasteve kur diçka e tillë është shumë e nevojshme.

Zyrtarët shëndetësorë bënë thirrje që njerëzit të mbajnë distancë dhe të mos bashkohen më shumë se dhjetë persona në një dhomë, shkruan “Reuters”.

Izraeli edhe më herët ka marrë masa kundër koronavirusit, përfshirë kthimin e ushtarëve në bazat e veta, e të cilët do të mbahen të mbyllur deri një muaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koronavirusi Covid 19 po përhapet shpejt në gjithë botën, sidomos…