Izraeli planifikon të mbyllë kanalin televiziv Al Jazeera

29 tetor 2023 | 21:09

Në kuadër të përshkallëzimit të fushatës ushtarake ndaj Hamasit, Izraeli ka ndërmarrë hapa për të goditur një media të cilën e akuzon se po përkrah grupin militant.

Si pjesë të rregullave të situatës së jashtëzakonshme, Izraeli ka përfshirë një plan për të mbyllur zyrën e kanalit televiziv Al Jazeera për shkak të transmetimit, sipas autoriteteve izraelite, të propagandës së Hamasit.

Kritikët e këtij plani thonë se përpjekjet për të heshtur gazetarët apo një organizatë të tërë mediatike janë cenzurë.

Drejtorja ekzekutive e organizatës “Neni 19” për lirinë e shtypit, Quinn McKew thotë se një veprim i tillë është shqetësues.

“Ndalimi i qasjes ndaj informacionit dhe mbyllja e një agjencie legjitime lajmesh, siç është Al Jazeera, kurrë nuk duhet pranuar lehtësisht dhe ky është një hap shqetësues i humbjes së një burimi të besueshëm lajmesh, që krijon një hendek informacioni për audiencat në mbarë botën dhe Lindjen e Mesme”, ka thënë ajo.

Konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit është shoqëruar me dezinformata dhe keqinformime të qëllimshme si mjet lufte. Informacionet e pavërteta janë të dukshme në internet, sidomos në rrjetet sociale.

Organizatat për mbrojtjen e mediave thonë se roli i organizatave mediatike për të demaskuar dezinformimin është qenësor dhe se asnjë zë nuk duhet heshtur.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe ekspertë të tjerë të medias po nxisin Izraelin të mos e ndërmarrë një hap të tillë drastik.

Radioja publike amerikane NPR ka një ekip prej tetë gazetarësh që po mbulojnë luftën nga terreni. Drejtuesi i kësaj medie, John Lansing, që dikur drejtonte Agjencinë Amerikane për Media Globale, – thotë se detyra parësore e gazetarëve është e vërteta.

“Vetëm vigjilencë. Pavarësisht a bëhet fjalë për Zërin e Amerikës, transmetuesin NPR apo gazetën New York Times, duhet ta kemi të qartë, se krejt çfarë kemi është besueshmëria çdo gjë që kërcënon besueshmërinë e asaj që njerëzit lexojnë apo shikojnë është dështim, dhe ne duhet gjithmonë t’iu japim përparësi audiencave tona”, ka thënë ai.

Izraeli thotë se e konsideron raportimin e Al Jazeeras kërcënim ndaj sigurisë kombëtare, ushtarëve dhe civilëve të tij.

Por kodi i etikës së publikuar nga kjo organizatë mediatike thotë se gazetarët e saj duhet të sillen në përputhje me vlerat e paanësisë dhe pavarësisë.

Disa organizata për mbrojtjen e mediave thonë se Al Jazeera nuk është një organizatë mediatike çfarëdo që shpërndanë dezinformata.

“Ata ofrojnë një këndvështrim shumë interesant, të balancuar dhe të veçantë. Mbyllja dhe heqja e tij nga transmetimi do të ishte një hap rrëqethës për lirinë e shprehjes dhe në atë rajon, do të hapte rrugën për kufizime dhe shtypje të tjera të të drejtave”, thuhet në reagimin e organizatave për mbrojtjen e mediave.

Me përshkallëzimin e konfliktit, ekspertët e mediave po përcjellin me kujdes lëvizjet që mund të kufizojnë mbulimin e ngjarjeve nga dy anët e luftës./VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri holandez Mark Rutte tha se nuk e përjashton mundësinë…