Ja kush janë 25 ambasadorët e Shqipërisë në Francë nga viti 1922

09 prill 2021 | 12:37

Ambasada shqiptare në Paris është një nga selitë më të rëndësishme në botë për vetë peshën e madhe politike, diplomatike, ekonomike, ushtarake dhe kulturore që Franca ka në arenën botërore. Çdo diplomat shqiptar, por edhe në botë e ka ëndërr të jetë ambasador në Paris. Duke patur këtë rëndësi të tillë, edhe ambasadorët, ministrat fuqiplotë apo konsujt që kanë drejtuar selinë diplomatike shqiptare në Paris kanë qenë personalitete të shquara të kombit shqiptar.

Nga 16 qershori i vitit 1922 kur u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike midis Republikës së Francës dhe Republikës së Shqipërisë e deri më sot, ambasadorët shqiptarë në Francë janë përzgjedhur me shumë kujdes nga të gjitha qeveritë shqiptare, duke filluar nga qeveria e Xhafer Ypit (30 dhjetor 1921- 4 dhjetor 1922), e cila hapi selitë e para diplomatike shqiptare në Paris dhe në botë, për të vazhduar me qeverinë e Ahmet Zogut (4 dhjetor 1922-5 mars 1924), Shefqet bej Vërlacit (5 mars 1924-2 qershor 1924), Iliaz bej Vrionit (2 qershor 1924-16 qershor 1924), Fan Nolit (16 qershor 1924-26 dhjetor 1924), Ahmet Zogut (26 dhjetor 1924-10 shtator 1925), të periudhës së Mbretërisë të Mbretit Zog I (1928-1939), të regjimit komunist (1945-1990) dhe të periudhës postkomuniste (1990 e në vazhdim): të Fatos Nanos (22 shkurt 1991-5 qershor 1991; 24 korrik 1997-2 tetor 1998; 31 korrik 2002-11 shtator 2005), Ylli Bufit (5 qershor 1991-10 dhjetor 1991), Vilson Ahmetit (10 dhjetor 1991-13 prill 1992), Aleksandër Meksit (13 prill 1992-11 mars 1997), Pandeli Majkos (2 tetor 1998-29 tetor 1999; 22 shkurt 2002-31 korrik 2002), Ilir Metës (29 tetor 1999-22 shkurt 2002), Sali Berishës (11 shtator 2005-8 shtator 2013) dhe Edi Ramës (8 shtator 2013 e në vazhdim).
Diplomati i parë i Shqipërisë në Francë ka qenë politikani i madh nacionalist Mit’hat Frashëri (1922-1923), Ministri i parë Fuqiplotë i Shqipërisë në Francë dhe Britani në Periudhën e Mbretërisë Shqiptare (1929-1932) është Iliaz Vrioni (1929-1932), i regjimit komunist Frederik Nosi (1945-1948) dhe i periudhës postkomuniste, Luan Rama (1991-1992).

Deri më 1964, selia diplomatike shqiptare në Francë ka qenë në rang Legate. Në tetor 1964, u ngrit në rang ambasade në bazë të Konventës së Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike të OKB-së.
Në historinë e shtetit shqiptar tre janë regjimet që kanë dominuar skenën politike shqiptare. Regjimi i Ahmet Zogut (dhjetor 1924-1939), regjimi komunist (1996-1990) dhe regjimi demokratik i pas ’90-tës (1991-e në vazhdim). Sipas regjimeve ka qenë dhe emërtimi i diplomatëve. Fillimisht janë quajtur konsuj (1920-1928), në kohën e Mbretërisë: Ministër Fuqiplotë, në regjimin komunist: Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë, në periudhën postkomuniste: Ambasador.

Ambasadorët e Shqipërisë në Francë u përkasin të gjitha krahinave dhe regjimeve politike në Shqipëri. Ka nacionalistë, zogistë, legalistë, komunistë, demokratë, socialistë dhe rilindas.

Përzgjedhja dhe emërimi i diplomatëve jashtë vendit ka qenë i ndryshëm në regjime të ndryshme politike. Nga viti 1922 kur u hapën selitë e para diplomatike shqiptare në Paris dhe në botë e deri kur ato u mbyllën nga Lufta e Dytë Botërore (1939-1946), përfaqësuesit e Shqipërisë në botë ishin diplomatë karriere. Nga viti 1922-1928 u përzgjodhën diplomatë të spikatur shqiptarë që kishin shërbyer në Perandorinë Osmane. Nga viti 1928 kur Shqipëria u kthye nga Republikë Parlamentare në Republikë Presidenciale me President Ahmet Zogun, e më pas në Monarki me Mbretin Zog I, e deri kur Monarkia u përmbys nga pushtuesit italianë më 7 prilll 1939, ambasadorët u përzgjodhën me konkurs. Gjuha frënge ishte e detyrueshme për të gjithë personat e interesuar. Në vendet e fuqishme siç ishte Franca, u përzgjodhën personalitetet më të spikatura shqiptare, si Mid’hat Frashëri, Xhemil Dino, Iliaz bej Vrioni, Eqerem bej Libohova etj. Pas drejtimit të shtetit shqiptar nga komunistët (1944-1990), u emëruan ambasadorë pa ndonjë eksperiencë diplomatike, ndonëse disa prej tyre ishin arsimuar në Francë apo në shkollat frankofone. Ambasadorët e regjimit komunist në Francë qenë përgjithësisht antifashistë të spikatur, drejtues dhe kuadro të lartë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe të PKSH-së, por dhe përfaqësues të klasës punëtore.

Studiuesi i njohur, Uran Asllani në një intervistë për Armand Jonuzin (gazeta “Tirana Observer”, 1 maj 2007) jep një panoramë të përgjithshme mbi emërimin e diplomatëve nga shteti shqiptar që nga viti 1922. Ai thotë: “Periudha ‘20-‘28 ishte një gjullurdi e madhe për shtetin shqiptar për shkak të situatës së ashpër politike midis forcave dhe grupimeve të ndryshme politike në Shqipëri. Meqenëse ky shtet i sapoformuar nuk kishte mundësi të bënte një përzgjedhje diplomatësh, edhe për faktin se aso kohe një pjesë e madhe e inteligjencës sonë ishin nëpër shkolla, u morën në shërbim diplomatik ish-diplomatët shqiptarë në shërbim të Perandorisë Osmane. Ata kishin qenë konsuj, sekretarë të parë të ambasadave osmane në Athinë, Bernë, Madrid, Romë, San Petërburg. Në fazën e dytë filluan të përzgjidheshin diplomatët shqiptarë të arsimuar të viteve ‘20- ‘30. Hyrja në shërbimin diplomatik aso kohe vendosej me konkurs, që në vitin 1922. Një nga kërkesat e konkursit ishte që patjetër duhej të kishe mbaruar juridikun ose shkencat politike. Kushti i dytë ishte që të njihje legjislacionin ndërkombëtar, traktatet etj. Kjo ishte nga ana teorike. Ndërsa ana praktike ishte që duhej të flisje dhe të shkruaje traktate juridike në gjuhën frënge. Unë kam parë dosje në arkivin e Ministrisë së Jashtme, traktate në frëngjisht që vetëm në Sorbonë mund të bëheshin. Nga 7-8 konkurrues, vetëm 3 fitonin të drejtën të punësoheshin.

Dhe ata merrnin titullin ose gradën e atasheut. Minimalisht nga 6 muaj deri në 1 vit, ata ishin të detyruar të rrinin me këtë titull. Pastaj, nëse do bënin kërkesë për t‘u rikategorizuar, kalonte sekretar i tretë. Duhet të kalonin dy-tri vjet që të kalonte sekretar i dytë. Pastaj duhet të kalonin po aq vjet që të kalonte sekretar i dytë, dhe katër-pesë vjet që të bëhej këshilltar legate. Pastaj nga ky pozicion të kalonte në Ministër Fuqiplotë i shkallës së tretë, të dytë, e më pas të parë. Në kohën e Zogut, nga 87 diplomatë që kishte në ‘37-ën kishte vetëm 8 Ministra Fuqiplotë të klasit të parë, dhe ata ishin ish-ministra. Periudha më e artë e diplomacisë shqiptare është pikërisht periudha kur ne u prezantuam në arenën kombëtare, periudha ‘21-‘25. Në protokollin diplomatik vendosej në vendin e nderit titullari që kishte gradën më të lartë diplomatike, pra ambasadori. Në atë kohë ambasada kishin vetëm ish-perandoritë. Të tjerët kishin Ministra Fuqiplotë. Pas ambasadorit vendosej Ministri Fuqiplotë i shkallës së parë, por i shtetit që është më i rëndësishëm. Pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist, Shqipëria u përfaqësua përgjithësisht me figura politike që ishin shquar gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Më pas u përfaqësua me diplomatë të diplomuar jashtë vendit, duke rikthyer traditën e përzgjedhjes së ambasadorëve. Kjo përzgjedhje vazhdoi edhe pas viteve ‘90, pas rënies së regjimit komunist”, -thotë z. Asllani.

Nga 25 përfaqësuesit e Shqipërisë në Paris, 4 i përkasin periudhës së viteve ’20 (Mit’hat Frashëri, Xhemil Dino, Xhafer Villa, Iliaz Vrioni), 3 Mbretërisë (Iliaz Vrioni, Xhemil Dino, Ekrem Libohova), 9 periudhës komuniste (Behar Shtylla, Dhimitër Lamani, K. Misha, J. Malo, M. Treska, Petraq Pojani, Maxhun Peka, Ksenofon Nushi, Arqile Semini), 6 periudhës postkomuniste (Luan Rama, Besnik Mustafaj, Ferit Hoxha, Mehdi Hoxha, Ylljet Aliçka, Dritan Tola).

Deri në fund të vitit 1950 u përdor fjala “zoti ambasador”, gjatë regjimit komunist u zëvendësua me “shoku ambasador”.
Ambasadorët e Shqipërisë në botë kanë patur veshjen e tyre përkatëse. Deri në vitet ’70-të mbizotëronte veshja klasike.
Gjatë dorëzimit të letrave kredenciale te Presidenti francez Charles De Gaulle më 30 maj 1962 nga ambasadori Kristaq Misha, dy shoqëruesit e tij, Myslim Sinojmeri, sekretar i parë dhe Hasan Luçi, sekretari i tretë ishin veshur me frak të marrë me qira, secilin nga 15 mijë franga për disa orë. “-Me atë rast unë bleva këmishën, dorezat, këpucët, kollaren e papijonin sipas protokollit të vendit në këtë cermoni”, -thotë Hasan Luçi. “Vajtëm në pallatin Elize pasi na mori në seli, në 131, Rue de la Pompe, Paris 16 dhe na shoqëroi shefi i protokollit me dy vetura dhe me dy policë me motoçikleta që na hapnin rrugën. Na çuan në sallën e parë të pritjes te komandanti ushtarak, pastaj në sallën ku priste Gjenerali De Gol, Titullari ynë qëndroi në rreshtin e parë dhe mbajti fjalën e rastit me shkrim (atëherë me këtë ambasador E. Hoxha synonte t’i hidhte sytë nga Franca pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, por Franca nuk i’u përgjigj). De Goli foli për marrëdhëniet e vjetra dhe miqësore që gjithmonë kanë qenë mes vendeve tona”, -thotë Luçi.

Veshja klasike diplomatike u hoq në vitet ’70-të dhe u zëvendësua me atë qytetare moderne.
“-Kur më 16 dhjetor 1975, ambasadori shqiptar në Francë, Dhimitër Lamani i paraqiti letërkredencialet presidentit Valeri Giskar d’Estenit në Pallatin Elize, veshja e kësaj ceremonie nuk qe më fraku, por veshja e zakonshme me kostum të errët e gri. E veçanta kësaj radhe qe se titullari dhe dy sekretarët qenë veshur me të njëjtën pallto gri”, -thotë z. Luçi.

Emrat, mandati diplomatik dhe biografia e ambasadorëve në Francë

1. Mit’hat Frashëri (1922 -1923)
2. Dhimitër Berati (1924 -1925)
3. Xhaferr Villa (1925 -1925)
4. Iliaz bej Vrioni (1925 -1927; 1929-1932)
5. Xhemil Dino (1932 -1933)
6. Ekrem Libohova (1933 -1936)
7. Frederik Nosi (1945 -1948)
8. Kahreman Ylli (1948 -1950)
9. Behar Shtylla (1950 -1952)
10. Dhimitër Lamani (1958 -1962; 1975 -1979)
11. Kristaq Misha (1962 -1967)
12. Javer Malo (qershor 1967 -1975)
13. Dhimitër Lamani (1975 -1979)
14. Misto Treska (1979 -1981)
15. Petraq Pojani (1981 -1982)
16. Maxhun Peka (1982 -1988)
17. Ksenofon Nushi (1988 -1989)
18. Arqile Selimi (1989 -1991)
19. Luan Rama (1991 -1992)
20. Besnik Mustafaj (1992-1997)
21. Luan Rama (1997-2001)
22. Ferit Hoxha (2001 -2006)
23. Mehdi Hoxha (2006 -2007)
24. Ylljet Aliçka (2007 -2013)
25. Dritan Tola (2013 e në vazhdim)

…Siç shihet nga lista me emrat e 25 drejtuesve të ambasadës shqiptare në Francë, të gjithë janë figura të shquara politike, diplomatike, letrare, kulturore, mediatike, shkencore dhe akademike. Franca, duke qenë kryeqendra e diplomacisë botërore dhe djepi i kulturës dhe i letërsisë, edhe ambasadorët e Republikës së Shqipërisë që kanë shërbyer në vendin e frankëve kanë qenë figurat më të shquara të kombit shqiptar. Janë dy ish kryeministra: Iliaz bej Vrioni dhe Ekrem bej Libohova, një President i Kuvendit Popullor: Behar Shtylla (Kryetar i Asamblesë Popullore të Shqipërisë), 8 ministra: Mit’hat Frashëri, Dhimitër Berati, Xhafer Villa, Iliaz Vrioni, Xhemil Dino, Ekrem Libohova, Kahreman Ylli, Behar Shtylla dhe Besnik Mustafaj (5 prej tyre ministra të Jashtëm), tre nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë: Mit’hat Frashëri, Iliaz bej Vrioni, Dhimitër Berati, 6 diplomatë karriere, tre të dekoruar nga Presidenti i Francës me Urdhrin Kombëtar të Legjionit të Nderit: Iliaz Vrioni, Xhemil Dino dhe Luan Rama, një që ka ndërruar jetë në Paris: Iliaz Vrioni, 7 nga fusha e kulturës, letërsisë, gazetarisë, studimeve dhe përkthimit: Mit’hat Frashëri, Kristaq Misha, Javer Malo, Besnik Mustafaj, Luan Rama, Misto Tresta dhe Ylljet Aliçka.

Biografia e 25 ambasadorëve shqiptarë në Francë nga viti 1922 e në vazhdim

Mit’hat Frashëri (1880-1949). Politikan, diplomat, atdhetar, ideolog, orator, filolog, albanolog, shkrimtar, eseist, publicist, përkthyes, prozator, botues i disa mediave dhe autor i 5 librave në frëngjisht. Nga viti 1912 kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë e deri më 1944 kur u detyrua të largohet nga Shqipëria nga fitorja e komunistëve shqiptarë ishte një nga politikanët më të rëndësishëm dhe më elitar në Shqipëri dhe në Europë. Ka qenë nëpunës i lartë në administratën Osmane në Stamboll, ndër ideatorët dhe delegatët e Kongresit të Manastirit (14 nëntor -22 nëntor 1908) ku u hodhën bazat e alfabetit të gjuhës shqipe dhe u vendos hapja e shkollës Normale në Elbasan, Kryetar i këtij Kongresi dhe Nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, Delegat në Kuvendin e Vlorës (28 nëntor 1912) ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë, Ministri i parë i Punëve Botore (28 nëntor 1912-30 mars 1912, u dorëhoq), Kryetar i Delegacionit të Qeverisë shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris (25 nëntor 1920-1922), Ambasador në Paris 1922 -1923), Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë (9 janar 1923-16 dhjetor 1926, u dorëhoq), Kryetar i organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” (1941-1944), Delegat në Kongresin e Mukjes (gusht 1943), Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” me seli fillimisht në Paris, më pas në SHBA (1947-1949), i cili do të shërbente si Qeveri Provizore pas rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri.

Gjatë shërbimit tre vjeçar diplomatik në Pars si Kryetar i Delegacionit të Qeverisë shqiptare në Konferencën e Paqes (25 nëntor 1920-1922) dhe si ambasador i Shqipërisë (1922 -1923), krahas veprimtarisë diplomatike për mbrojtjen e tërësisë tokësore botoi edhe shumë artikuj në shtypin francez: në “France-Orient”, “L’Europe nouvelle”, “Mercure de France”, “Revue de Genève” dhe “Les Peuples libres” etj. ku propagandoi qëndrimin e Shqipërisë në ristrukturimin e Evropës së pasluftës. Krahas kontributit të madh politik dhe diplomatik, dha një kontribut të madhe edhe në fushën e kulturës dhe të historisë shqiptare si studiues, botues, përkthyes dhe autor i disa librave studimorë dhe i dhjetra artikujve brenda e jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Francë. Botoi në frëngjisht veprat: L’affaire de l’Empire (1915), La population de l’Empire (1915), Les Albanais chez eux et a la l’Etranger (1919), Albanais et Slaves (1919), përktheu vepra nga autorët e famshëm francez: Guillaume Tell, Alfons de Lamartin, Franc Hofman, Defo, Gustave Le Bon etj. U lind në më 25 mars 1880 në Janinë. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi si emigrant politik në SHBA ku dhe ndërroi jetë. Vdekja e tij u pasqyrua nga gjitha mediat botërore. U varros në SHBA. Eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri nga qeveria shqiptare në nëntor të 2018-ës, pas 69 vitesh. U varros në mënyrë madhështore kur morën pjesë Kryeministri dhe figura të larta politike e shoqërore.

Është djali i Abdyl Frashërit, Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe nipi i rilindasve të mëdhenj, Sami dhe Naim Frashëri. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në Stamboll ku u diplomua. Nga 30 marsi i vitit 1913 kur u dorëhoq si ministër e deri më 7 prill 1939 kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë nuk u mor me politikë, por me botime letrare, krijimtari, përkthime dhe studime. Madje refuzoi edhe postin e Kryeministrit pas dorëheqjes së Iliaz Vrionit. U aktivizua në politikë pas pushtimin italian të Shqipërisë (1939-1944).

Dhimitër Berati (1888-1970). Politikan, ministër, diplomat, shkrimtar, jurist, botues, anëtar i Këshillit të Administratës së Ministrisë së Jashtme (28 mars 1944-nëntor 1944), Ministër Sekretar i shtetit i Kulturës Popullore (1941-1943), Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme (nëntor 1936 -1939), Ministër i Ekonomisë Kombëtare (1934-1935), Punonjës i Institutit Shqiptar të Studimeve (12 prill 1940-1934), zv. Ministër Arsimi (në qeverinë e tretë të Pandeli Evangjelit, pas 30 gushtit 1935), Ministër Fuqiplotë në Romë (1936), Sekretar në Ministrinë e Jashtme (1926-1934), Ministër Fuqiplotë në Francë (dhjetor 1924-1925, i akredituar dhe për Londrën (dhjetor 1924-1927, zëvendësoi Xhemil Dinon si i ngarkuar me punë në Paris), Kryekonsull në Sofje (1924-dhjetor 1924), Drejtor politik i ministrit të Jashtëm (1923- 1924), Komisar i shtetit shqiptar në Komisionin Ndërkombëtar për Caktimin e Kufijve, Sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1921), Sekretar për punët politike e komerciale në Ministrinë e Jashtme (1920), botues i gazetës “Përlindj’ e Shqipëniës” (24 gusht 1913 -1914), Senator (1912), përfaqësues i shqiptarëve të Bukureshtit në Kuvendin e Vlorës (28 nëntor 1912) dhe nëshkrues i Deklaratës së Pavarësisë (28 nëntor 1912). Gjatë shërbimit diplomatik në Paris botoi në anglisht librat “Shqipëria dhe shqiptarët” (Paris, 1920) dhe “Çështja shqiptare” (Paris, 1920). U lind më 1886 në Korçë. U diplomua në Fakultetin e Shkencave Politike Administrative dhe në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Bukureshtit. Më 1944 u largua familjarisht nga Shqipëria. U vendos si emigrant politik në Itali ku edhe vdiq më 6 shtator 1970 në Itali në një aksident me makinë. Fliste frëngjisht dhe rumanisht.
Xhaferr Villa (1889-1938). Konsull në Francë dhe në Angli njëkohësisht (1925), Ministër Fuqiplotë në Jugosllavi (1929-1932), Greqi (1932-1933) dhe Itali (1936-1938) dhe Sekretar i parë i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme (1923). Lindi më 1889 në Frashër të Përmetit, vdiq më 30 prill 1938 në një aksident ajror në Itali gjatë kohës që ishte Ministër Fuqiplotë. Aeroplani që po udhëtonte përplaset me një majë mali afër Formia-s midis Napolit dhe Romës dhe merr flakë. Ai bashkë me 19 personat brenda aeroplanit gjetën vdekjen. U varros në Shqipëri me nderime të mëdha ku morën pjesë personalitetet më të larta të shtetit shqiptar.

Iliaz bej Vrioni (1882-1932). Latifondist, nëpunës, politikan, diplomat dhe atdhetar i shquar. Një nga figurat kryesore politike në vitet ’20-’30. Emrin e tij e mban sheshi në qendër të qytetit të Beratit (nga 22 dhjetori 1917) dhe disa rrugë e institucione në Shqipëri. Ka qenë 3 herë Kryeministër dhe 5 herë Ministër i Jashtëm; Kryeminisitër dhe Ministër i Jashtëm (19 nëntor 1920-16 tetor 1921), Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm (27 maj 1924-10 qershor 1924), Ministër i Jashtëm (30 mars 1924-27 maj 1924; dhjetor 1924 – janar 1925; 12 shkurt 1927-18 prill 1929), Ministër Fuqiplotë në Francë dhe Britani në dy mandate (1925-1926, 1929-1932), deputet i prefekturës së Dibrës (1921-1922) dhe i Beratit (1923-1925), kryetar i Shoqatës “Bashkimi”, Kryetar i delegacionit të Beratit në Kongresin e Lushnjës (1920) ku u zgjodh Qeveria e parë moderne shqiptare, Kryetar i Bashkisë së Beratit (1909-1911 dhe 1920), Përfaqësues (bashkë me Kolë Tromarën), i qeverisë së S. Delvinës me mision diplomatik jozyrtar në Romë, Paris dhe Athinë, Anëtar i delegacionit shqiptar që i dorëzoi kurorën Princ Vidit (1914), Delegat në Kuvendin historik të Vlorës (28 nëntor 1912), nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe Anëtar i Pleqësisë në Kuvendin e Vlorës. Gjatë mandatit të tij si Kryeministër, Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve. Për kontributin e tij të madh në marrëdhënie ndërkombëtare është dekoruar nga Presidenti i Francës me Urdhërin Kombëtar “Grand Officier de la Légion d’Honneur” (“Oficer i Legjionit të Nderit”, 1920). Më 17 mars 1932, ndërsa ishte më mandatin e tij të dytë si Ministër Fuqiplotë i Mbretërisë së Shqipërisë në Paris dhe në Londër zemra e tij pushoi nga infarkti i miokradit në spitalin ‘Saint Clus’. U shua në moshën 50 vjeçare. Shteti francez i kreu të gjitha nderimet e rastit. Xhenazja e tij u fal në xhaminë e madhe të Parisit, arkivoli u mbulua me flamurin shqiptar dhe kortezhi mortor e shoqëroi trupin e pajetë në shtratin e topit. U përcoll nga Franca me të gjitha nderimet. Populli i Beratit e priti me mirënjohje të madhe. U ulën në gjysëmshtizë flamujt në institucionet lokale, u bënë falje në xhami për shpirtin e tij nga imamët dhe këmbanat e kishave gjëmuan ngado. Në qendër të Xhamisë së Plumbit, në pjesën veriore u ndërtua Mauzoleu ku do të prehej trupi i tij. Më 1946, kur komunistët erdhën në pushtet, një turmë e harlisur nga urrejtja klasore, marrin eshtrat e tij dhe i hedhin në lumin Osum. Eshtrat vazhdojnë të mbeten të humbura duke e lënë ende pa varr këtë figurë të shquar. Përgjatë 45 viteve të regjimit komunist emri i tij mbulua me urrejtje dhe heshtje varri, ndonëse qe firmëtar i Pavarësisë dhe kryeministër për tre mandate. U lind më 1882 në Berat në një nga familjet më të mëdha aristokrate shqiptare. Babai i tij, Mehmet Ali Pashë Vrioni ka qenë nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. U diplomua në Shkollën e Lartë Administrative në Stamboll. U martua me Xhemile Dinon nga familja e shquar çame “Dino”. Djali i tij, Jusufi (1916-2001) u arsimua në shkollat më prestigjioze në Francë dhe qe Ambasador i Shqipërisë në UNESCO (1998 -2001).

Xhemil Dino (1894-1972). Ishte politikan, ministër i Jashtëm, diplomat dhe deputet. I dekoruar nga Presidenti i Francës me Urdhrin Kombëtar “Oficer i Legjionit të Nderit”. Ka qenë Komisar i Lartë i Thesprotisë-Çamëria (1941-1944), Ambasador në shërbimin italian gjatë pushtimit të Shqipërisë (1939-1941), Ministër i Jashtëm (12 prill 1939-qershor 1939), Ministër Fuqiplotë në Sofje (1936-1939) dhe në Londër (1931-1934, pas vdekjes së Iliaz Vrionit shërbeu edhe si Ministër për Francën me rezidencë në Londër, 1932 -1933), Ministër Fuqiplotë në Romë (1927-1931), i ngarkuar me punë në Bukuresht (1926-1926), deputet i Dibrës (shkurt 1925 -1926), Sekretar i Përgjithshëm i MPJ-së (shkurt 1925-17 maj 1925), Përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (shkurt 1925-1927), Sekretar i Parë i Legatës Shqiptare në Paris (emëruar më 1922, zëvendësohet nga Dhimitër Berati), përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (1922-qershor 1924), delegat i Shqipërisë në Asamblenë e 6-të, 7-të dhe 8-të Lidhjes së Kombeve (1925-1927), zv. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Sekretar për korrespodencën në Lidhjen e Kombeve dhe Këshilltar i kryeministrit Iliaz Vrioni. Lindi më 1894 në Prevezë, Janinë në familjen e shquar çame “Dino”, vdiq më 2 korrik 1972 në Madrid, u varros në Romë. U diplomua në Liceun perandorak “Gallatasaraj” në Stamboll (1913) dhe në Fakultetin e Jurisprudencës në Romë (1921). U fejua me një nga motrat e Mbretit Zog, por ajo e theu fejesën dhe miqësia e tyre u ftoh shumë. Në vjeshtën e 1934-ës martohet me ish të fejuarën e Mbretit Zog, vajzën e Shefqet bej Vërlacit, pronari më i madh i tokave në Shqipëri.

Ekrem Libohova (1882-1948). I njohur edhe si Eqrem bej Libohova. Politikan, diplomat dhe ushtarak. Karrierën e nisi në Perandorinë Osmane. Ka qenë dy herë Kryeministër i Shqipërisë (18 janar 1943 -11 shkurt 1943), Ministër Sekretar Shteti i Punëve të Brendshme (18 janar -23 janar 1943), Ministër i Jashtëm (9 janar 1936-2 prill 1939), Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Paris (1933-1936), Ministër i Oborrit Mbretëror (1929-1933), Ministër Fuqiplotë në Itali (1925-1927) dhe Atashe ushtarak në Romë (1926-1929). Pas kapitullit të Italisë shkoi në Itali. Në fund të vitit 1944 internohet për dy vjet rresht në një provincë të Leçes. Më 1947 u rivendos në Romë ku dhe ndërroi jetë më 1948. U lind më 28 shkurt 1882 në një familje të njohur. Babai i tij Ali Neki pashë Libohova qe mytesarif i Gjirokastrës dhe anëtar i Këshillit të Shtetit në Perandorinë Osmane. U martua me Fizilete Hanëmi, e bija Syrja bej Vlorës me të cilën pati dy fëmijë: Ballkiz dhe Shenisha hanëmi. Kreu gjimnazin Zosimea në Janinë, liceun Gallatasaraj në gjuhën frënge dhe Akademinë Ushtarake të Kavalerisë në Bruksel (1904). Pas diplomimit hyri në ushtrinë osmane, gradohet major në Regjimentin e Pestë të ushtrisë osmane, emërohet Myhtar (krahinar civil, 1909) në ishullin Tenedos në ngushticën e Dardaneleve, mytesarif në Vlorë (1910) dhe zëvendësvali dhe komandant brigade në Çamëri.

Frederik Nosi (). Diplomat, jurist, përkthyes, ambasador në Francë (1945-1948) dhe Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.
Kahreman Ylli (1917-1975). Ndër figurat më të shquara politike, diplomatike dhe akademike të shtetit komunist shqiptar: Pjesmarrës në Luftën Antifashiste (1941-1944), Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë në Francë (1946-1949), Anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1946), Ministër Arsimi (1949-1952), Përfaqësues i Qeverisë shqiptare në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës (1946), Përfaqësues i Shqipërisë në OKB (1961), Rektori i parë i Universitetit të Tiranës (1961-1970), Deputet i Skraparit në të gjitha legjislaturat e Kuvendin Popullor (2 dhjetor 1945 deri më 1975 kur vdiq) dhe Anëtar Presidiumit të Kuvendit Popullor në 6 legjislatura. Si diplomat spikati për luftën që bëri për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Gjyqin e Hagës (1946). Me një frëngjishte të pastër dhe oratorinë e përsosur habiti trupin gjykues. Si ministër arsimi dha një kontribut të madh në ngritjen e Universitetit të Tiranës, të Akademisë së Shkencave dhe të instituteve shkencore në Shqipëri. Si rektor i parë i Universitetit të Tiranës luajti një rol të rëndësishëm në organizmin dhe modernizimin e këtij Universitetit ku u përgatitën udhëheqësit dhe punonjësit e shtetit shqiptar. U lind më 22 prill 1917 në Skrapar, vdiq më më 3 shtator 1975 në plazhin e Durrësit. Kreu Shkollën Normale të Elbasanit (1936) dhe studimet e larta në Akademinë Pedagogjike të Lionit, Francë (1936- qershor 1940). Gjatë studimeve në Francë njihet me kulturën e madhe universale e revolucionare franceze, angazhohet me grupet antizogiste dhe antifashiste të emigracionit politik shqiptar në Francë, aderon në Partinë Komuniste Franceze dhe bëhet anëtar i shoqërisë “Vëllazëria” të Lionit (nëntor 1936). Vitet që kaloi në Francë i përshkruan në ditarin e tij me titull “Vitet e mia të rinisë në Francë” (dorëshkrim).

Behar Shtylla (1918-1994). Politikan, diplomat, antifashist i njohur, ndër kuadrot e parë të Luftës Antifashiste dhe ndër krerët e Partisë Komuniste. Është kryediplomati më jetgjatë i shtetit shqiptar. Ka qenë Ministër i Jashtëm për 17 vite me radhë (24 korrik 1953 -18 mars 1966), President i Kuvendit Popullor (Kryetar i Asamblesë Popullore të Shqipërisë, 13 Janar 1969-1970), Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë në Kinë (1973- tetor 1979), në Francë (1950-1952) dhe në Itali (1952-1954), Deputet i Durrësit dhe i Beratit për 9 mandate radhazi (1954-1982), Anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së (shkurt 1961-1990) dhe autor i monografisë “Fan Noli, siç e kam njohur” (1997). U lind më 11 mars 1918 në Korçë, vdiq më 1994 në Tiranë. Kreu Liceun francez të Korçës (1930 -korrik 1939) dhe studimet e larta në Moskë.

Dhimitër Lamani (). Diplomat karriere. Ka qenë Ambasador në Francë për tetë vite (1958 -14 mars 1962; 26 shtator 1975-1979), Drejtor i Zyrës së Shtypit në Ministrinë e Jashtme dhe Kryeredaktor i revistës mujore “Shqipëria e re” që botohej në shqip, frëngjisht dhe në gjuhë të tjera. Në periudhën që drejtoi ambasadën shqiptare në Paris, marrëdhëniet shqiptaro-frënge u forcuan shumë, pasi Shqipëria në atë kohë ishte një vend i izoluar nga vendet perëndimore.
Kristaq Misha (1913-1967). Atdhetar, antifashist, pionier i lëvizjes punëtore në Korçë dhe diplomat. Ka qenë Ambasador në Francë (14 mars 1962-1967), Kryeredaktor i gazetës “Puna” dhe Sekretar i përgjithshëm i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare punoi në shtypin ilegal të PKSH-së. U emërua ambasador në Francë për t’u kuruar në Paris nga sëmundja e leuçemisë dhe u largua nga kjo detyrë po nga kjo sëmundje, e cila fatkeqësisht i mori jetën. Më 17 mars ai mbërriti në Paris me tren. U prit nga Drejtori për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Francës, Santon. Kredencialet ia dorëzoi Presidentit francez Sharl De Gol më 30 maj 1962. Vdiq më 29 prill 1967 në Tiranë. Fliste shkëlqyeshëm frëngjisht.
Javer Malo (1920-1997). Diplomat, politikan, përkthyes dhe një nga diplomatët dhe gazetarët më të mirë shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore. Një rrugë në qytetin e Delvinës mban emrin e tij me vendim të Këshillit Bashkiak. Ka qenë Atashe (1950-1956) dhe Ambasador Fuqiplotë i Shqipërisë në Francë dhe UNESCO (2 gusht 1967- 26 shtator 1975) dhe Ambasador Fuqiplotë i Shqipërisë në Holandë, Belgjikë dhe Luksemburg (jo resident, 1972-1975). Letrat kredenciale ia dorëzoi më 6 shtator 1967, Presidentit francez, Valeri Giskar d’Esteni i shoqëruar nga këshilltari Rako Naço. U lind më 1920 në Delvinë. U diplomua për Gazetari në Moskë dhe në Paris. Fliste shkëlqyeshëm frëngjisht dhe disa gjuhë të huaja. Përktheu në shqip mjaft libra kushtuar gazetarisë dhe diplomacisë, si dhe librin me kujtime “Paris 1967- 1975” (Sh.B “Albin”, Tiranë 1994). Lindi më 1920 në Delvinë, vdiq më 29 gusht 1997.
Misto Treska (1914-1993). Diplomat, major, prokuror, gjykatës, përkthyes, pjesmarrës në Luftën Antifashiste dhe organizator e drejtues i formacioneve partizane. Ka qenë Ambasador në Francë dhe UNESCO (1979 -janar 1981), njëkohësisht ambasador jorezident në Holandë, Belgjikë e Luksemburg (1979 -janar 1981), Konsull në Boston, SHBA, Kryetar i delegacionit shqiptar në Këshillin e Përgjithshëm të UNESCO-s (1958), Kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore me Jashtë (27 mars 1958-1974), Delegat i shtetit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1946), Pjesëmarrës e kryesues i disa delegacioneve shqiptare në Francë, Bashkimin Sovjetik, Rumani, Bullgari (1944-24 tetor 1958) etj., ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve, ndër personat më të rëndësishëm të PPSH-së që mbështeti pluralizmin në Shqipëri më 1990 dhe ndër përkthyesit më prodhimtarë të gjuhës e letërsisë frënge. Përktheu “Kodin Rrugor Francez”, “Kodin e Transportit Hekurudhor” dhe mjaft vepra nga autorët e njohur francezë: Viktor Hygo, Romain Roland, Guy de Maupassant, Stendhal, Alphonse Daudet, Paul Éluard, Gabriel Péri, Molière, Denis Dedero, Louis Aragon, Claire Etcherelli, Vercors, Jean Racine, Harry Mulisch, Bel-Ami, Lysien Lëven, Colas Breugnon, Paul Éluard. Romani “Të mjerë” i V. Hygo, i përkthyer prej tij u botua në shqip rreth një shekull pas përkthimit në turqisht nga Sami Frashëri. Përkthimet e tij gjenden në Muzeun e Hygoit në Paris, bashkë me përkushtimin e tij “Të përkthesh Hygoin do të thotë të përkthesh Francën”. I nderuar me titujt dhe çmime të shumta, ku veçohen: titulli “Nderi i qytetit Rubelles të Francës” (24 janar 1981), titulli “Qytetar Nderi i Qarkut Korçë” (19.11.2004), Çmimi i Parë për kontributin në marrëdhëniet franko-shqiptare, “Diploma e Nderit” (20 mars 2018) nga Ministria për Evropën dhge Punët e Jashtme të Shqipërisë për kontributin në promovimin e kulturës frënge, Çmimi i Parë i Republikës për përkthimin e “Colas Breugnon” të R. Roland, Medalja “Emblema e Artë” e qytetit të Korçës si “pjesë e Liceut francez të Korçës (tetor 2017), “Medalja e Kujtimit” dhe “Medalja e Çlirimit”, “Urdhëri i Flamurit” dhe mjaft urdhra të tjerë. Emrin e tij e mban një rrugë në Tiranë dhe Bibloteka Nr. 5 në kryeqytet (nga viti 2006). U diplomua në Liceun francez të Korçës (1934).
Petraq Pojani (1935-). Diplomat me një eksperiencë 40 vjeçare. Ka qenë Ambasador në Beograd (2001-), Anëtar i Këshillit të Ambasadorëve në Ministrinë e Jashtme, koordinator për Bashkëpunimin Ballkanik (1987-1990), Shef i Misionit të Shqipërisë pranë Komunitetit Evropian, Drejtor i Drejtorisë së Bashkëpunimit Shumëpalësh (1987-1990), Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Shqiptar të Marrëdhënieve Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme (1983-1987), Ambasador në Francë (1981-1982, i akredituar edhe në Belgjikë, Holandë, Luksemburg, Portugali dhe UNESCO), Drejtor i Drejtorisë së Organizatave Ndërkombëtare (1980-), Këshilltar në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në OKB, (1971-1973), Anëtar i Delegacionit Shqiptar në sesionet e AP të OKB-së (1961-1980), Drejtor i Këshillit Shqiptar për Marrëdhënie me Jashtë dhe Drejtues i Misionit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë etj. U lind më 19 korrik 1935 në Tiranë. I diplomuar në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë (1954-1960).

Maxhun Peka (). Diplomat me një karrierë 50 vjeçare. Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave (2005-2006), Ambasador në Kinë (2006-2013), në Francë (1982-1988) dhe në Vietnam (1980-1982). Gjatë 13 viteve në Vietnam, si sekretar ambasade dhe si ambasador përjetoi luftën Vietnam-SHBA ku u vranë 60 mijë amerikanë dhe 3 milionë vietnamezë. Në atë kohë Shqipëria përkrahu Vietnamin me 3 milionë dollarë në vit, duke i dërguar tekstile, uniforma ushtarake, produkte farmaceutike, tela bakri etj. Disa përjetime nga kjo luftë, i përshkruan në librin e tij “Një jetë në diplomacy” (Onufri, Tiranë, 2018). U lind në Krumë të Hasit. I diplomuar në Vietnam për letërsi. Dy fëmijët e tij u lindën në Hannoi.
Ksenofon Nushi (1925-2000). Antifashist, emigrant politik në Francë dhe diplomat i rangut të lartë në disa seli diplomatike shqiptare. Ka qenë Komisar batalioni në formacionet e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, Kapiten me gradën e dytë në formacionet e Divizionit të Mbrojtjes, Punonjës në Drejtorinë e Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes (1952-1958), Këshilltar në Ambasadën shqiptare në Egjip (6 maj 1958-1963), Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë në Itali (1967-1972), Zv.Ministër i Jashtëm (pranverë 1972 -shtator 1982), Ambasador në Greqi (shtator 1982-korrik 1988), Ambasador në Francë (1988- gusht 1989) dhe këshilltar në ambasadën shqiptare në Francë (nëntor 1965-1967). Nga viti 1930 kur ishte 5 vjeç e deri në moshën 10 vjeçare jetoi familjerisht në Lyon të Francës. Pas pushtimit italian të Shqipërisë u kthye familjerisht në Shqipëri për të marrë pjesë në qëndresën antifashiste. Bëhet anëtar i Rinisë Komuniste, merr pjesë në njësitet guerile të Tiranës dhe në Luftën Antifashiste, anëtarësohet në Partinë Komuniste dhe emërohet në detyra të larta. U diplomua për diplomaci.
Arqile Semini (). Diplomat karriere dhe kuadër i lartë në Aparatin e Komitetit Qendor të PPSH-së. Për 6 vite radhazi qe funksionar i lartë i ambasadës shqiptare në Paris. Fillimisht si këshilltar politik (25 maj 1985-1989), më pas si ambasador (1989-1991). Luajti një rol të madh në përmirësimin e marrrëdhënieve shqiptaro-frënge, pasi në periudhën e emërimit të tij në Francë nuk ishin aspak të mira, përshkak të azilit politik në Francë të familjes “Papavrami” (1985) dhe të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare më 1989. Në një intervistë ai thotë se “ikja e Papavramëve ishte e nxitur nga Franca, përshkak se Shqipëria nuk po hapej drejt Perëndimit”. Në librin e tij me kujtime “Misioni i fundit”(2003) ai jep një panoramë të misionit të tij diplomatik në Francë për ngjarjet më të bujshme në vitet e fundit të erës komuniste, si vdekja e Enver Hoxhës, ikja e bujshme të familjes “Papavrami” dhe e Kadaresë, si dhe për shumë ngjarje të tjera shqiptare në Francë.

Luan Rama (1952). Diplomat, shkrimtar, regjisor, skenarist, kineast, publicist, gazetar, studiues, historian dhe eseist i njohur. Ka dhe nënshtetësi franceze. I vlerësuar me shumë tituj, urdhra dhe çmime në Francë. Veçohet Urdhri Kombëtar “Grand Officier de l’Ordre National du Mérite” (Oficer i Madh i Rendit Kombëtar të Meritës”, 2002), i dhënë nga Presidenti francez Zhak Shirak “Për meritat si ambasador i Shqipërisë në Francë” dhe çmimi në Paris nga Shoqata e Shkrimtarëve në Gjuhë Franceze për librin “Rruga e gjatë nën tunelin e Platonit: Fati i Artistit nën Censurim në Shqipëri: 1945-1990” (Éditions du Petit Vehicle, 1999). Nga viti 1991 jeton në Paris. Është ndër personalitetet më të shquara të komunitetit shqiptar në Francë: Profesor në Gjeopolitikë në Institut des Langues et Civilisations Orientales në Paris (2008 e në vazhdim), Anëtar i Këshillit të Lartë të Frankofonisë (1991-1992-2007), I ngarkuar me punë në ambasadën shqiptare në Paris (1991-1992), Ambasador i Shqipërisë në Francë, Portugali, Monako dhe Algjeri (1991-1992, 1997-2001), Përfaqësues i Shqipërisë në UNESCO (1991-1992, 1997-2001), Përfaqësues i Presidentit shqiptar në La Francophonie, Kryesues i disa delegacioneve të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë për vëzhgimin e zgjedhjeve, Redaktor në revistën franceze “Courrier International” (1993-), zv. Drejtor, udhëheqës artistik (1981-1984) dhe redaktor skenarësh e skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re” (1975-1981), pjesmarrës në shumë konferenca e mediume shkencore, letrare, kulturore e diplomatike në Francë dhe në vendet frankofone, autor i mbi 20 librave në frëngjisht e shqip (romane, novela, tregime, ese, monografi historike e studimore, përkthime dhe publicistikë (veçanërishtpër pikëtakimet franko-shqiptare), autor i mbi 50 skenarëve (4 për filma artistikë, 10 për filma vizatimorë dhe 45 për filma dokumentarë). Me 12 librat e tij në frëngjisht mbi pikëtakimet franko-shqiptare, ai e ka bërë të njohur historinë dhe kulturën shqiptare në Francë dhe në vendet frankofone. Autor i dy librave në shqip për dy presidentët e shquar francezë: “Gjenerali De Gol -një legjendë e gjallë” dhe “Miteran dhe zotërit vdesin gjithashtu” (Les livres Rama, 2014), si dhe i disa librave për disa personalitete franceze. Ka përkthyer në shqip poetët e shquar francezë Prévert, Éluard, Verlaine etj. dhe disa libra që flasin për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ka prezantuar e promovuar në Francë disa shkrimtarë dhe piktorë të njohur shqiptarë në Paris, si Bujar Luca, Omer Kaleshi, Zamir Mati, Artur Muharremi etj.

Besnik Mustafaj (1958). Politikan, ministër, përkthyes, poet, prozator, publicist, eseis, botues dhe pedagog. Ndër themeluesit e drejtuesit e PD-së dhe bashkëthemelues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Ka qenë Ministër i Jashtëm (12 shtator 2005 -30 prill të 2007, u dorëhoq), Nënkryetar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar (2001-2005), Ambasador në Francë dhe Përfaqësues i Shqipërisë në UNESCO-s (1992-1997), Drejtor për Marrëdhëniet me Jashtë në PD-së dhe Deputet në tre legjislatura (1992-2009). Më 2009 u largua nga politika. U rikthye më 2019 si përzgjedhës i listës së deputetëve që do të garojnë nën siglën e PD-së në zgjedhjet e 25 prillit. Aktualisht është anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së (28 janar 2021 e në vazhdim). Arritja e tij më e madhe si Ambasador në Francë është firmosja e Traktatit të Miqësisë Francë-Shqipëri (Traktati i parë i miqësisë i Shqipërisë me një vend perendimor që nga paktet e viteve ‘30). Ka qenë negociatori i hyrjes së Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Veprimtarinë e tij diplomatike në Paris e përshkruan në librin e tij “Ditari i një ambasadori në Paris”. Krahas kontributit të shquar si politikan, kryediplomat dhe diplomat ka shkëlqyer edhe si shkrimtar, publicist dhe eseist. Është autor i mbi 15 librave me prozë, poezi dhe eseistikë. Romani i tij “Vera pa kthim” është botuar në Francë me titullin “Un été sans retour” (Arles, 1992)”. I përfshirë në disa antologji të letërsisë shqiptare në Francë. Ka botuar disa artikuj dhe ka dhënë intervista në mediat e njohura franceze në lidhje me diplomacinë, letërsinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. U lind më 4 shtator 1958 në Tropojë. I diplomuar për Gjuhë-Letërsi Frënge në Universitetin e Tiranës (1982). Pas diplomimit punoi si pedagog i Letërsisë së Huaj në Universitetin e Tiranës, gazetar, e më pas përkthyes e kryeredaktor te revista “Bota letrare”. I martuar me Donikën, gazetare e njohur në RTSH dhe skenariste e shumë filmave dokumentarë. Djali i tij, Andi jeton e punon në Paris ku ka kryer studimet pasuniversitare në Shkollën Kombëtare të Administratës Publike (2015), ndër shkollat më prestigjioze në botë në 7 dekadat e fundit. Nga auditoret e saj kanë dalë presidentët e Francës: Valery Giscard d’Estaing (1974-1981), Jacques Chirac (1995-2007), Fraçois Hollande, kryeministrat e Francës: Laurent Fabius, Michel Rocard, Edouard Balladur, Alain Juppe, Lionel Jospin, Domenique de Villepin etj. si dhe disa presidentë e kryeministra nga shtetet e tjera.

Ferit Hoxha (1967). Diplomat karriere. Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme (2006 -2009), Ambasador në Francë (2001-2006), Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme (2006-2009), Përfaqësues personal i Kryetarit të Shtetit shqiptar në Këshillin e Përhershëm të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (2001-2007), Ambasador në Portugali me rezidencë në Paris (2003-2006), Ambasador në OKB (i akredituar dhe për Kubën), Ambasador në Belgjikë e Luksemburg (1999-2001), Guvernator i Shqipërisë në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAKEA, shtator 2007-Shtator 2009), Shef i Misionit të Shqipërisë në BE në Bruksel (1998-2001), Drejtor për Bashkëpunim Shumëpalësh dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme (1996-1998), Këshilltar i Misionit të Përhershëm Shqipërisë OKB (1995-1996), zv. Drejtor për Bashkëpunim Multilateral dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme (1993-1995). U lind më 22 shkurt 1967 në Koplik, Shkodër. I diplomuar për Gjuhë dhe Kulturë Frënge në Universitetin e Tiranës (1988), në Institutin Hollandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Clingendael” në Hagë dhe në Qendrën e Studimeve Ndërkombëtare të Sigurisë në Maryland, SHBA. Ka kryer dhe një Kurs Special për menaxhim të nivelit të lartë në Universitetin Georgetoën (2007).
Mehdi Hoxha (1938). Diplomat shqiptar. Ka dhe nënshtetësi franceze. Ka qenë ambasador në Francë (2006-2007).
Ylljet Aliçka (1951). Diplomat, profesor, shkrimtar, prozator, skenarist, regjisor, redaktor dhe përkthyes i njohur i gjuhës frënge. Ka dhe nënshtetësi franceze. Ka këtë karrierë profesionale: Ambasador në Francë, Portugali, Monako dhe UNESCO (2007-2013), Përfaqësues i Presidentit shqiptar në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë (2007-2013), Lektor në Universitetin Europian të Tiranës dhe në Universitetin e Arteve në Tiranë (2013-), Përgjegjës për informacionin dhe komunikimin pranë Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë (1997-2007), Drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve (1992-1997), Drejtor i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor (1983-1992), Bashkëpunëtor në 14 botime në shkencat natyrore dhe autor i disa librave në prozë, Anëtar i Akademisë Franceze “Zhorzh Sand”, Paris, (2010-), i shoqatës së shkrimtarëve frankofonë, Paris (2012-) dhe i shoqatës së autorëve dramatikë dhe audiovisualë, SACD (Paris, 2006). Ka botuar në frëngjisht librat: “Slogans Stone” (Edition Climats, 1999), Les étrangères (Edition Pyramidion, 2010), Histoire albanaises (Edition Picollec, 2013), “Kronikë e qyteteve provinciale” (Edition Jean Picollec, 2013) etj. Ka patur disa bashkëpunime franko-shqiptare për skenarët e tij kinematografikë, si “Slogans” (bashkëprodhim franko-shqiptar, 2001, regjisor Gjergj Xhuvani), “Chronique du province” (bashkëprodhim franko-italo-shqiptar, 2008), “Ndërkombëtarët” (bashkëprodhim franko-shqiptaro-maqedonas, 2015) dhe “Një ndodhi shqiptare” (prodhim italo-franko-shqiptar). Librat dhe skenaret e tij janë vlerësuar me medalje dhe çmime në Francë, veçohen: Medalja e bronztë nga Académie Internationale de Lutèce, Paris (2000) për “Les slogans de pierre”, Çmimi i dytë në Konkursin ndërkombëtar “Arts et Lettres de France” (Bordo, 2000), Çmimi i parë në Festivalin e Filmit të Evropës Lindore në Paris (2011) për filmin franko-italo-shqiptar “Chronique du provincë”, Medalja e Frankofonisë nga Komiteti Kombëtar i La Francofonisë (Shqipëri, 2005) dhe titulli Qytetar nderi i “Republikës së Artistëve të Montmartrit”, Paris (2011). Lindi më 23 qershor 1951 në Tiranë. I diplomuar në Universitetin e Tiranës. Ka titullin “Profesor i Asociuar” (1993) dhe “Doktor i Shkencave Didaktike” (1989).

Dritan Tola (1970). Ambasador i Shqipërisë në Francë dhe Monako (Mars 2013 e në vazhdim), Përfaqësues i Kreut të shtetit shqiptar në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe Anëtar themelues i “Lions Club Albania”. Nga viti 1992 e deri më 2013 kur u emërua ambasador në Paris punoi në Komisionin Evropian në Tiranë dhe në Bruksel, dhe në Delegacionin e BE-së në Shqipëri. Ka qenë Këshilltar politik për çështje politike dhe marrëdhëniet midis BE-së dhe Shqipërisë, Përgjegjës për programet evropiane në fushën e të drejtave të njeriut, shoqërisë civile, administratës publike dhe mjedisit, Anëtar i disa organizatave kombëtare e ndërkombëtare, si Fondacioni “Soros”, Banka Botërore, UNDP, Qendra Rajonale Evropiane për Mjedisin dhe Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike. U lind më 1970 në Tiranë. I diplomuar për Drejtësi dhe Gjuhë-letërsi frënge. Flet frëngjisht, anglisht dhe italisht.

Nga Mentor Hoxha -Paris –

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me ndeshjen ndërmjet AS Prishtinës dhe Marigona Hill Prishtinës, kanë…