Ja pse kemi nevojë për më shumë dhembshuri

25 mars 2022 | 08:33

Nga: Matthew Reisz, i biri i regjisorit të famshëm Karel Reisz / The Guardian


Kur ndodhin krizat e refugjatëve, mendoj për babanë tim të ndjerë, Karel Reisz. Si regjisor i famshëm, ishte dikush që ndihmoi në transformimin rrënjësor të kinemasë britanike gjatë viteve 1950 dhe 1960.

Por, në fillim të vitit 1939, në moshën vetëm 12 vjeçare, e la përgjithmonë familjen dhe u nis me Kindertransportin e fundit nga Praga (largimet e organizuara të fëmijëve nga tokat e kontrolluara nga nazistët, në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore – v.j.) – pak para se gjermanët ta pushtonin Çekosllovakinë dhe t’i mbyllnin kufijtë. Dhe, u bë fëmijë refugjat në Mbretërinë e Bashkuar. Njohuria e tij e atëhershme e anglishtes ishte e kufizuar në emrin e ish-kryeministrit “plaku i mirë z. Baldwin (Stanley)” dhe në ilaçin që një xhaxha e përdorte për problemet e veta me stomakun – “pilulat e vogla të Karterit për mëlçi”.

Nëse babai im nuk do të kishte shpëtuar, tre djemtë e tij, pesë nipërit dhe mbesat e tij dhe tre stërnipat e stërmbesa nuk do të ishin sot këtu. Kjo është arsyeja se pse e mbështes mikpritjen – me zemër të hapur – të të gjithë atyre që ikin, kudo nga persekutimi, e që nuk kanë mbresa të mira nga përgjigjet e qeverive të fundit britanike.

Megjithatë, ajo që po ndodhë në Ukrainë ndjehet se është edhe më afër shtëpisë. Është pjesërisht çështje gjeografie evokimi i vazhdueshëm i Kindertransportit dhe paralelet e tërhequra mes Adolf Hitlerit dhe Vladimir Putinit.

Por, ajo që për mua këtë e bën të jetë më prekëse është se, mbesa ime më e madhe, një nga njerëzit e mi më të dashur në botë, në fund të këtij muaji bëhet 12 vjeçe. Ajo sapo e preki pubertetin. Shpesh i kthen flokët e saj të bukura e të gjata në një “spektakël të pabesueshëm sfilate” dhe shfaq shenja të humorit fillestar të adoleshencës. Por, është gjithashtu një vajzë e vogël që, kur është e trishtuar, ngushëllohet me lodrat prej pelushi. Është mosha në të cilën babai im u detyrua të ikte, por është pothuajse e paimagjinueshme të mendosh nëse ajo do të duhej të kalonte Evropën për ta bërë një jetë të re veç për veten e saj – edhe pse, me siguri, do të ketë raste kur fëmijët ukrainas do të detyrohen ta bëjnë po këtë. Kur reflektoj për mbesën  – dhe atë nëpër çfarë kaloi babai im – kjo më ndihmon të sqaroj se pse veprimet e fundit të qeverisë britanike ishin shumë të këqija.

Kindertransportet ishte iniciativë kryesisht private e njerëzve si Nicholas Winton, të cilëve qeveria përfundimisht ua dha një mbështetjen goxha ngurruese, me kushtin që sponsorët të pranonin të paguanin 50 funte – për të qenë të sigurt se fëmijët e ardhur nuk do të ishin barrë financiare për shtetin.

Ishte shpëtimi dhe ndërtimi i babait tim që u bë figurë qendrore në lëvizjen e Kinemasë së Lirë të viteve 1950 – i përcaktuar për të dalë nga kazermat, nga kështjellat dhe nga dhomat e pritjes – që e shtyri për t’i vënë në skenë aspektet e ndryshme të jetës britanike. Filmat si “E shtunë mbrëma dhe mëngjesi i së dielës” (1960) u duartrokitën si frymë e re – madje edhe nga shtypi i krahut të djathtë, jo më pak për shkakun se filmat  e tij ofruan perspektiva të reja të fuqishme të të lëçiturve të shoqërisë angleze. “Gruaja e togerit francez” – suksesi tjetër i tij i vitit 1981 – u nominua për pesë çmime Oscar. Dhe, ai nuk ishte i vetëm. Shumë refugjatë dhe emigrantë tjerë të asaj kohe patën ndikim të thellë në jetën tonë kombëtare.

Tash flitet për rreziqet ndaj sigurisë, ndaj mbrojtjes, dhe sigurisht që ka pasë raste të abuzimit me Kindertransport, kur sponsorët merrnin fëmijë sepse kërkonin shërbëtorë të lirë ose sepse mendonin se kishin mision për t’i kthyer hebrenjtë në krishterim. Një numër shumë më i madh i grave hebraike – që u lejuan të futeshin në Mbretërinë e Bashkuar, për të punuar në shërbimin shtëpiak – ndonjëherë përballeshin me ngacmime ose me mizori. Pra, është e kuptueshme se duhet të ketë kontrolle ndaj atyre që ofrojnë t’i mbajnë ukrainasit në shtëpi. Ajo që është e pafalshme është politika që i traumatizon edhe më shumë refugjatët që tashmë veçse janë thellësisht të traumatizuar.

E gjithë kjo duhet të jetë e qartë për një kabinet që i përfshin njerëzit, familjet e të cilëve kanë përjetuar persekutim. Dominic Raab nga ana a babait ka prejardhje çeko-hebraike, të ngjashme me timen; Nadhim Zahawi u largua nga Iraku në vitin 1979 – në moshën nëntëvjeçare – në prag të fillimit të regjimit të Sadam Huseinit; ndërsa Priti Patel është e bija e aziatikëve nga Uganda që ikën në Mbretërinë e Bashkuar pak para se Idi Amin të urdhëronte dëbimin e të gjithë atyre.

Megjithatë, në konferencën pranverore të fundjavës së kaluar të Partisë Konservatore, sekretari i Brendshëm goditi me një temë të njohur të paranojës patriotike. E quajti si “naive dhe të gabuar të mendosh se vetëm burrat mund të jenë operativë të fshehtë ose se flukset e refugjatëve nuk mund t’i nënshtrohen ndonjë forme shfrytëzimi”, duke paragjykuar në mënyrë të errët për njerëzit që vijnë në këtë vend e “të cilët komplotojnë për ta goditur rrugën tonë jetësore”.

Vetëm katër vjet më parë, tha Patel, “shërbimet e inteligjencës ushtarake ruse përdorën armë kimike në tokën britanike”. A nuk është e mundur të bëhet dallimi midis spiunëve nga niveli qendror që e kryen helmimin në Salisburi (rasti i Sergei dhe Yulia Skripalit – v.j.) dhe të refugjatëve të dëshpëruar ukrainas që i shohim çdo ditë në ekranet tona televizive? Dhe, a i konsiderojmë tashti ne edhe fëmijët si “operativë të fshehtë” të mundshëm?

Ku do ta linte kjo qasje babanë tim? Çfarë do të thoshte kjo për kontributin që ai dhe shumë të tjerë dhanë në jetën britanike? A është e tepërt të kërkojmë që parimi ynë i udhëzimit duhet të jetë dhembshuria e jo dyshimi? /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Liberale Demokratike në Serbi, Çedomir Jovanoviq, deklaroi…