Jahjaga konfirmon ardhjen e Clintonit dhe Albrightit për 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës

10 qershor 2019 | 14:10

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në një konferencë për medie në cilësinë e udhëheqëses së Këshillit organizativ për shënimin e 20-vjetorit të lirisë së Kosovës, ka shpalosur detaje për agjendën e datës 12 qershor, ku parashihen shumë aktivitete.

Jahjaga ka bërë me dije se tashmë është konfirmuar ardhja e miqve të mëdhenj të Kosovës, ish-presidentit Bill Cllinton dhe ish-sekretares së Shtetit, Madeline Albright.

Po ashtu, ajo ka bërë me dije se të ftuar do të jenë edhe miq të tjerë e personalitete politike nga vendi e rajoni.

Jahjaga ka ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e këtij organizimi, duke shpalosur edhe agjendën për atë ditë.

“Ftojmë të jenë të pranishëm edhe qytetarët e Kosovës, bashkërisht të besojmë me miqtë tanë. Në orën 11:00 do të nis tubimi qendror në sheshin ‘Skënderbeu’. Nga ora 14:00 do të jetë ecja për lirinë, nga sheshi ‘Skënderbeu’, deri tek busti i sekretares Albright, i cili edhe do të përurohet. Pastaj për të vazhduar afër shtatores së Bill Cllinton. Është e rëndësishme ta shënojmë me gjithë qytetarët. Në orën 17:00, do të jetë konferenca ndërkombëtare e sigurisë”, ka treguar Jahjaga.

Jahjaga ka treguar se ideja rreth këtij organizimi kishte qenë e një ish-këshilltareje të saj, e që ishte projektuar pastaj nga një ekip i saj.

“Projekti u ideua nga një ish-këshilltare imja dhe është projektuar nga ekipi im këto dy vjet. Unë kam propozuar që ta thërrasim si iniciativë të katër presidentëve të Republikës së Kosovës, përtej ndasive politike”, ka theksuar Jahjaga.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit