Jam ndjekur në çdo hap

02 shkurt 2023 | 17:17

Bisedë me Avni Lamën (4)

Në banesën e Avni Lamës, Prishtinë, 22 dhjetor 1999.

Me ne janë edhe bashkëshortja e Avniut, Atifetja dhe vajza e tyre, Vlora.

Si të shikonin gjakovarët kur u ktheve?

– Nuk me flisnin fare. Në izolim total. Nga shokët e mi të shkollës, nuk erdhi asnjë. Kisha vetëm gruan time dhe dilja me të. Edhe plaku, nuk lejonte. Ku ta dinte njeriu, edhe këtu më vëzhgonin, si atje. U martova. Pa punë. Kishin nevojë për profesor. Ku kam konkurruar unë në gjimnaz, më ka dal konkurrente një nxënëse imja, njëfarë Fakete Hana. Ekremi ka qenë drejtor aty dhe ma ka shkruar në refuzim se nuk është i përshtatshëm.

A ishit të vetëdijshëm se nuk do t’ju pranonin?

– Isha fort i vetëdijshëm për këtë. Doja ta provoja. Ishte shkolla e mesme teknike. Edhe në byro kur jam paraqitur, më ka dalë njëfarë konkurrenti, Bajram Olloni, nxënës i dikurshëm. Pranohet ai, e unë mbeta pa punë.

Sa vjet mbete pa punë?

– Dy vjet.

Pastaj?

– Kisha mundësi të ikja në Shqipëri.

Ju kishin thënë, mund të ikësh në perëndim, por ju nuk keni dashur?

– Mund të bëja kërkesë si i huaj, apo edhe ashtu si kishte dalë Agim Gjakova.

Me kërkesë ka dalë ai?

– Po, me kërkesë ka dalë Agimi! Unë kisha mundësi ashtu të dilja. Agimin e mbajtën një javë dhe e lëshuan me nënën e me një teze të dilte andej. Mund të ikja. E kam ditur rrugën kudo.

Kemi shkuar me Aliun në Prizren. Aty jem njohur me një Sabit Gashin. Ishte një simpozium për përudhën ’41-’99. Nuk ishim përga­titur. Foli Aliu. Foli Shaban Braha. Mund të merrej një periudhë, si, për shembull ’41-’48. Edhe Aliu edhe Kadriu, po thonë çka keni bërë kështu? Shabani pak më i përgatitur. Kur u ulëm aty, si mysafirë, po më thotë Zymber Zymberi; Avni, bre, ti ke mundur të ikësh kur të duash.

Shabani po thotë: Ti ke qenë normalist i parë, i ke ditur shumë gjëra. U bashkuam aty edhe me Aliun. Po u them shokëve, kërkoja shtetësi, e ata më kërkonin diçka tjetër. Po tash, çka kërkoj unë në Shqipëri? Të shtoje dhe një të ri me aq shumë probleme. Këto ia kam thënë Shabanit. Të dilja në Shqipëri, me kanë lutur shumë të tjerë, pa asnjë problem. Babai i shoqes më ka garantuar të m’i mbante fëmijët, e kur ta rregulloja punën të m’i dërgonte gruan e fëmijët atje ku do të jem. Baba më thoshte, çka po bën, Avni? Askush nuk fliste me mua, sikur të isha jashtëtokësor.

Mahmud Hysa, koleg i 53-s, më thotë kam ardhur nga Gjakova e kam pyetur disa të rinj për ty. Ku e ka shtëpinë Avni Lama, bre? Ata kanë ikur prej meje.

Kështu, mbeta i izoluar tepër. Ndonjëherë, me Kadriun ngrinim nga një gotë. Kadriun e kanë burgosur, pas një muaji. Ka ardhur të japë mësim Qamil Muhaxhiri. Më vonë u bë sekretar i “fadilave”, pastaj i ambasadës në Tiranë! Ka ardhur këtu Mehmet Surdulli nga Gjilani të japë mësim. Ka ardhur ai të japë mësim aty, se nuk me lejohej mua askund të punoja. A nuk kishte vend për Surdullin në Gjilan, a? Kanë ardhur edhe mësues katundi të jepnin mësim aty në Gjakovë.

Ata nuk i nënçmoj, por aty në gjimnaz nuk kanë pasur vend. Pas burgut të parë, nuk kam hyrë në punë fare. Pastaj, punën time e lidhën me burgun e dytë.

Pas burgut të parë, si u bë puna e burgut të dytë?

– Adem Demaçi e ka bërë organizatën. Isha në Pejë rastësisht. Ka qenë 24 prill i vitit 1964. Selatin Daci, po më thotë, dua të rri me ty. Hysen Dacin e ka pasur kushëri. A dalim shëtisim? Dalim! Ka ardhur Ramadan Shala, pa e njohur fare. Kanë filluar të bisedonin me mua, se po formohej një organizatë. Avni, ti ke qenë në këto rrjedha. Kemi dashur të ta hapim ty këtë bisedë. Kam biseduar me Ademin. Kemi njerëz në Gjakovë.

Po u them: po, ku me keni gjetur mua në shënjestër, e mund t’ju rrezikoj, sepse ata më ndjekin kudo? Nëse ju doni, ju vazhdoni. Unë jam kështu e kështu, por shpirtërisht ju përkrah. Jo, jo! Ke për të ardhur. Biseda ka mbaruar në Gjakovë. I kam thënë Dushit, kështu e kështu. Unë jam “i vëzhguar”, po më ndjekin. Ka rënë Ramadani në kontakt me Kadri Kusarin, Xajë Nurën, Riza Nurën, poetin Asim Vulën, Hydajet Dobrunën, Din Saphiun, një njëri që ka kaluar një vit e gjysmë në Goli Otok edhe Teki Dervshin. Kanë bërë një mbledhje. Kadri Kusari është zgjedhur kryetar. Në mbledhje nuk kam marrë pjesë me vetëdije. Kanë filluar punën. Din Spahiun e kanë arrestuar pak më përpara, nja një muaj.

Si u bë arrestimi juaj?

– Jemi tradhtuar. Ademi e ka pas formuar këtë organizatë. Ajo organizatë ishte me degëzime. Në Pejë, Mitrovicë…

Çka keni bërë?

– Asgjë. Një gjë e kanë bërë mirë të rinjtë që i kanë vendosur flamujt kombëtarë. Flamuri ynë ka shkuar deri në Shumadi e në Beograd. Edhe një aksion e ka bërë Hilmi Rakovica dhe ka rënë në burg. Kemi rënë të gjithë në burg. Edhe mua më kanë burgosur.

Kur keni ardhur në Gjakovë, mos u infiltrua armiku brenda jush, apo ishit të pakujdesshëm?

– Ne kemi qenë Grupi i Gjakovës. Thoshin, një Isuf Dobruna nga Deçani ka qenë i inkuadruar në stafin tonë. Është dënuar nja dy muaj. Ai nuk gjendet askund. Humbi diku. Kurrë nuk kam kuptuar se kush ishte ai!

A ishte ai në grupin tuaj?

– Nuk e kam njohur. Askush nuk e ka njohur. Grupi i Pejës ka thënë se ka qenë njëfarë Isuf Dobruna. Ademi thoshte haptas të merrej ai në mbledhje. Po, më ngadalë, kemi thënë ne. Kemi tërhequr vërejtjen haptas se po na ndjekin.

A kishte shumë besim Adem Demaçi, apo për çka ishte fjala?

– Nuk e di! Unë jam takuar me Ademin herën e fundit, kur studionte letërsinë e huaj në Beograd. Kam pasur një simpati. Kemi biseduar sipërfaqësisht. Po e shihja nga po shkonte. Me mençuri, e pak me vigji­lencë. Ai, në të ’58-tën, qe dënuar tre vjet e gjysmë. Unë nuk di sot si ndodhi kjo puna jonë. Pa një organizim, pa një kontribut. Bash, siç thotë populli, shkuam në gojë të ujkut; “si cjapi te kasapi”. Më ka munduar shumë puna e arrestimit tonë. Kam dashur vetëm një bisedë me Ramadan Shalën dhe asgjë tjetër. Kadri Kusarit i kam thënë se puna është kështu e kështu, sa mora vesh unë. Kadriut i kam thënë, jam me ju, por jam i komprometuar. Jam i ndjekur në çdo hap. Unë po rri anash, për të mos rënë në sy. E po të kishte folur Kadri Kusari se çka kam biseduar unë me të, do të kishin grumbulluar shumë mater­ial.

Si e vlerësonte këtë organizim Kadri Kusari?

– Ai ishte patriot i rrallë. Ai ka qenë në gjendje ta jepte jetën në çdo çast. Ai e ka dëshmuar këtë edhe në gjyq. Më duket se e kemi bërë një lëshim pak, kur ishte fjala te Shaban Braha. Pse nuk ke ardhur, Avni? Çka ke bërë?

Si u bë zbulimi? Kush erdhi dëshmitar? Kush u gjykua?

– Kanë qenë shumë dëshmitarë. U gjykuan: Kadri Kusari, Murteza Nura, Asim Vula… Hydajet Dobruna, Din Spahia, Avni Lama,…Teki Dervishi…

Cila datë ishte, në cilën kohë?

– Më 1964.

Kush ishte kryetar i gjyqit?

– Ishte prokurori serb Zhiva Cvejiqi.

A kishit avokatë privatë, apo të caktuar në detyrë?

– Vetëm Dushi (Kadri Kusari) ka pasur avokat privatisht, të motrën. Ne të tjerët kemi pasur avokat vetëm sipas detyrës, që na i ka dhënë shteti në atë rast.

Sa zgjatën hetimet?

– Jemi burgosur me tetë qershor. Me njëmbëdhjetë gusht kemi dalë para gjyqit. Në të vërtetë, hetimet kanë zgjatë deri kur kemi shkuar në Pejë. Faktikisht, një vit e më shumë. Prej pesë qershorit kemi qëndruar në Gjakovë, afër një muaj e pak ditë më shumë. Kanë vazhduar me hetime edhe më tutje. Jemi dënuar në gusht dhe në Nish na kanë dërguar nga fillimi i vitit 1965.

A keni pasur tortura?

– Krejt ato tortura kanë qenë sipas rastit. Të gjithë kanë folur për dhunën që kanë përjetuar. Nuk po më kujtohet emri i prokurorit. Ai na ka sjellë herë në Gjakovë e herë në Pejë. Në Gjakovë na merrte në pyetje njëfarë Andrea, ka qenë serb. Pastaj Mileviqi, e një Sllobodani. Një kohë, na e kanë ndalur edhe bukën edhe ujin, para se të dilnim në gjyq.

Sipas cilit nen ju kanë gjykuar?

– Sipas nenit 117. Ka qenë akuzë për organizim të veprimtarisë ilegale armiqësore kundër shtetit. I pari i akuzuar ishte Kadri Kusari. Si organizator e instruktor akuzohej i pari Kadriu, pastaj Asim Vula e Hydajet Dobruna.

A ishte gjykimi i hapur, publik?

– Krejt gjykimi ka qenë vetëm formalitet. Kanë pasur të drejtë të marrin pjesë në seancë gjyqësore që mbahej në sallë, vetëm anëtarët e familjes së ngushtë.

Krejt dënimet ishin të prera paraprakisht?

– Po! Krejt dënimet ishin të caktuara nga UDB-a.

Prokuror ka qenë një malazias. Ishte pyetja, a jam unë anëtar i kësaj organizate apo jo? Unë u thashë që nuk jam anëtar. Nuk kam pranuar të bëhem anëtar. Porota më ka pyetur, a je anëtar i organizatës? I kam thënë jo. Dëshmitarë nuk kemi pasur as unë, as Dushi (Kadriu).

Kush ishte ai Ramadani?

– Ai ka qenë një mësues katundi, i cili kishte mbaruar shkollën komerciale në Pejë.

Ramadani thotë se e kam përgatitur unë?

– Nëse e thotë këtë ai, unë po të them se statutin e organizatës nuk e ka pasur në dorë askush nga Gjakova. Statuti është shkruar në Prishtinë dhe atë e ka shkruar Demaçi me shokë. Ajo që thotë, e di Ramadan Shala, por unë kam mendimin tim. Ndoshta ai e ka lexuar dhe është pajtuar me Ademin, apo ka marrë pjesë edhe në hartimin e atij statuti, por unë nuk e di këtë. Të gjitha kanë ardhur prej qendrës. Ramadani mund të ketë pasur lidhje me qendrën, ama Statuti nuk ma merr mendja se ka qenë prej qyteteve të tjera. Ademi e di më mirë këtë. Unë nuk e kam parë e as nuk e kam lexuar kurrë atë statut. As nuk di për të. As Kadriu nuk e ka parë e as e ka lexuar, se do të ma kishte thënë që e ka parë këtë e këtë pikë. Kadriu më ka ruajtur shumë.

Unë me Kadriun, kemi qenë dy trupa me një shpirt. Ashtu e kam ruajtur edhe unë, se dihej që tash isha nën vëzhgim kudo. Askush nuk rrinte me mua në Gjakovë, sepse isha me damkë. Kjo ishte nga regjimi, jo nga populli.

Dushi thotë edhe në gjyq, se Avniu nuk ka qenë anëtar. Unë nuk kam pranuar që jam anëtar i organizatës. Kadri Kusarin e dënuan 12 vjet burg. Xajë Nura mori tetë vjet burg. Asim Vula dhjetë vjet burg. Hydajet Dobruan u dënua me nëntë vjet burg. Din Spahia dënohet me pesë vjet. Avni Lama merr shtatë vjet burg. Teki Dervishi dënohet me katër vjet. Disa kanë shkuar me Sabri Novosellën në Goli Otok. Sabriu është dënuar me grupin e Prishtinës.

Kush është dënuar nga grupi i Prishtinës?

– Ademi, Sabriu, Abdyli, Adem Beqiri, Avdi Shala, Xhafer Mahmut­xhiku, Ibrahim Bajraktari, Vezir Uka, ndërsa Hilmi Rakovica u dënua më vonë.

Në grupin e Mitrovicës janë dënuar: Arif Hoxha, Ismet Koshutova, Hysen Daci, Mustafa Venhari, Zekeria Gervalla.

Në grupin e Pejës janë dënuar: Ramadan Shala, Seladin Daci, Shefqet Deçani, jurist, Nezir Gashi, Ahmet Zeka, Ejup Kastrati, Mehmet Krasniqi. mësues, Remzi Maloku rrobaqepës dhe Sylë Shala, plak. Grupi i Pejës ishte më i madhi.

Në Grupin e Gjilanit janë dënuar: Rexhep Elmazi, Fehmi Elmazi, Është dënuar edhe një Isa, që ka qenë mik i këtyre vëllezërve Elmazi.

Kanë qenë edhe dy gjykatës shqiptarë, për shkaqe formale të vëllazërim-bashkimit; Sefedin Bakalli dhe Sahit Meraku. Ky Sahit Meraku ishte porotë në gjykimin në Pejë. Po ashtu, porotë ka qenë edhe i vëllai i Fadil Hoxhës, Sani Hoxha. Tahir Ibrani nuk e di ku ishte porotë.

Sa ishte numri i atyre që u dënuan në këtë kohë?

– U dënuan 55 veta.

A dini, sa prej tyre kanë vdekur?

– Rexhep Elmazin e ka vrarë UDB-a në Gjilan. Në Gjakovë Kadri Kusari ka vdekur. Në Pejë Nezir Gashi, i cili ishte dënuar edhe si anëtar i NDSh-së. Mustafë Venhari, profesor, ka vdekur në Mitrovicë.

Lidhur me këto zhvillime kam një mendim timin. Kur na burgosën aq shpejt, mendoj se krejt ka qenë e organizuar prej UDB-së. Në vitin 1959, aksioni është zhvilluar padiktueshëm. Kur e kujtoj atë që më ka thënë Ibrahim Zherka në Beograd, atëherë gjithçka me duket e qartë. Kishin evidencuar të gjithë ata që donin Shqipërinë, ata që në çfarëdo mënyre kishin synim luftën për liri. Nuk kishte lidhje për ta si do të quhen; informbyroistë, ballistë, enveristë a marksistë e leninistë.

Radio Tirana bënte një punë të madhe për rininë. Edhe rinia jonë, jo vetëm që e ndiqte dhe e dëgjonte, por ashtu hap pas hapi edhe vepronte. Filluan të organizoheshin shoqëri kulturore, shkrimtarë e poetë fillestarë po përparonin përditë. Radio Tirana u bë tribunë për të gjithë ne. Këtë ndikim e kam vërejtur në Pejë, në Gjakovë e në Prizren. Kam vërejtur se si ndikonte grupi letrar në opinion. Kam vërejtur sa u shtua interesimi i njerëzve për libra. Edhe vetë i doja këto gjëra, që po i dëgjoja nga Radio Tirana. Enverin e kam ditur si tribunin më të madh shqiptar. I kam besuar Partisë së Punës.

Pa më thoni ju: kujt kishim t’i dorëzoheshim ne? Prej kujt mund të kërkonim ndihmë? Radio Tirana u bë frymëzim për ne këtu afër. Enver Hoxhën e morëm si hero madhështor. U krijua një mit, por mit i shëndoshë. Edhe po të më kishin vrarë në burg, kisha shkua (isha vrarë) për Enver Hoxhën. Ne kishim vetëm dy rrugë, ta donim e t’i nënshtroheshim Jugosllavisë së Titos ose ta donim Shqipërinë tonë dhe Enverin. Perëndimi i kishte larë duart nga ne.

Nuk e kemi ditur izolimin e Shqipërisë dhe vetëm sot i shohim të metat e tij. Erdhën e dolën e ikën këtu nga Shqipëria lloj-lloj diversan­tësh; zogistë e ballistë, po edhe disa që e simpatizonin Jugosllavinë. U krijua këtu një atmosferë pa rrugëdalje. Fjalimet e zjarrta të Enverit ishin për ne diçka e pakrahasueshme. Nuk kam qenë anëtar i asnjë partie, por që e kemi dashur Enverin, këtë nuk e mohoj. Nuk e marr me mend të më thoshte dikush që ky nuk e do Enverin. Ashtu sikur Aliu që po thotë; ne ishim të gatshëm për të dhënë edhe jetën për Enver Hoxhën. Mbaj mend çka thoshin njerëzit, kur Enveri e hoqi fenë.

Priftërinjtë e hoxhallarët ai i bëri kamerierë, që t’i shërbenin atdheut. Thoshin këtu në Gjakovë kështu duhet, se boll na kanë përçarë. Disa gjëra i arsyetoj në Shqipëri. Ka pasur ndikim të madh Serbia në pjesën veriore të vendit. Ka futur aty njerëz me armë. Këtu, për ne ka qenë një Enver tjetër. Na nuk kemi ditur si po jetojnë atje. Ka qenë një frymëzim i madh patriotik. Ka qenë Enveri një Skënderbe. Ka qenë një djalë e shkuar djalit, siç thonë në jug. Ka qenë patriot e shkuar patriotit. Kur filluan të botohen tekstet e Enverit, këndej filluam t’i lexonim. Atë kohë, ai e ka parë mirë tradhtinë ortodokse serbo-ruse.

Nita, vajza ime, i ka mësuar përmendesh vargjet e këngëve që kën­doheshin për heronjtë e Shqipërisë, e m’i ka recituar në burg të Nishit, kur vinte për vizitë. Këngën për Bardhok Bibën e ka ditur krejt për­mendsh.

Baca Adem ka thënë, po të mos e kishim atë idhull, nuk di ku do të kishim përfunduar?

– Po, e di çka ka thënë Demaçi, por po ta thotë edhe Avni Lama, se Enveri ka qenë burrë e shkuar burrit. E thotë Rexhep Balidemaj një fjalë, kur ka qenë i burgosur, kur pas vitit ’84, i patën zënë librin “Titistët”, kur e shanin UDB-ashët, e doja më shumë. Ai me të vërtetë ka qenë atdhetar e pilot i parë shqiptar në Jugosllavi. Ai ka qenë burim frymëzimi për ne, që ta duam atdheun, se do të kishim mbetur kurr­kund. Flasin tash për shoqëri marksiste e leniniste, po këto i kanë qitur këta këtu.

Njerëzve tanë nëpër burgje u kanë thënë, ju nuk jeni komunistë. A keni në organizatën tuaj serbë? Jo! A keni malazezë? Jo! A keni të huaj ndonjë? Jo. Ju nuk jeni komunistë fare. Ju jeni nacionalistë. Sipas ideologjisë komuniste, në organizatë duhet të ketë njerëz nga të gjitha kombësitë, e jo vetëm nga një nacionalitet?

– Në fillim ballistë, pastaj Informbyroja me informbyroistë. Vrasje masive në Tivar. Pastaj aksioni i armëve. Pastaj dëbimi i shqiptarëve nga Kosova. U përgjysmua popullata shqiptare e qyteteve të Kosovës. I dëbuan krejt për Turqi. Krejt këto i ka kuptuar Enveri. Atëherë Perën­dimi kishte hequr dorë prej nesh, Amerika as nuk luante syrin.

Po Shtrausi që u afrua në vitet ’70? Ekzibicionet e Enverit ishin për karrige, e jo për Shqipëri.

– Sidomos lufta e klasave ishte e tmerrshme. Po ne nuk mund të simpatizonim pushtuesin serb.

Adem Demaçi ka qenë në burg, por dy fëmijë i ka shkolluar dhe ata kanë mbaruar fakultetet. Një herë Ademi e quajti Enverin figurë e madhe pas Skën­derbeut. Pastaj, kur shkoi së dyti, Demaçi tha: Shqipëria ishte bërë sikur të kishin zbritur jashtëtokësorët për të bërë eksperiment, për të parë se sa duron organizmi i njeriut, edhe jashtëtoksorët nuk kishin ditë të bënin më zi!

– Ne s’e kemi ditur çfarë po ndodh përbrenda Shqipërisë. Këto fjalë që ia kam thënë Shaban Brahes, ia kam thënë edhe vetes. Shaban, po të shkoja në Shqipëri, do të më thoshin: Avni, a pak djem ka Shqipëria, e ke ardhur edhe ti këtu? Pse nuk ke ndenjur në burg atje? Kështu mund të më kishin thënë, po të ikja atëherë kur më ndiqnin. Pse nuk ke ndenjur pa punë atje? Mbeti Shabani pa përgjigje. Po i kam thënë edhe disa gjëra të tjera. A është e mundur të më thonë kështu, ata atje, e unë nuk do të kisha pasur përgjigje. Ndoshta do të isha në Burrel me vite, apo nuk do të kisha dalë kurrë nga burgu. Prandaj, nuk kam ikur as nuk kam dalë në Shqipëri.

Po, nëna sado e keqe të jetë, ajo mbetet nënë. Nuk i kemi ditur shumë gjera.

T’i kthehemi burgut tuaj? Kur ju burgosën, patën thënë: ja tash u krye, i futem në burg?

– Mbetëm në burgun e Nishit. U grumbulluam, pas pak kohe filluan të na shpërndanin nëpër burgjet të tjera të Jugosllavisë. Tash, kur na futën brenda, na rrokën përpara. Edhe atje na ndiqnin hetuesit. Njëfarë Gjorgjeviqi ka qenë si drejtor. Një ditë po me shikonte si një kriminel. E dinte me siguri mirë biografinë time. Po më thotë: Ti, një profesor, që ke kryer fakultetin në Beograd, çka doje më mirë se të punoje e të visheshe si njeri?

Po ata kishin pas menduar se ne që shkojmë të shkollohemi në Beograd, do të martohemi të gjithë atje dhe do mbesim aty. Vazhdi­misht me thoshte, profesor, profesor! Derisa një ditë, nga inati që nuk po thyhesha, me ka çuar në qeli një muaj. Ishte edhe një Fehmi Baj­rami, i dënuar aty. Na jepnin gjysmë racioni ushqim. Gjysmë buke, dyqind gramë a ku ta di.

Ndoshta ishte Fehmi Elmazi?

– Fjala është për njeriun e njëjtë. E kanë pasur mbiemrin Bajrami, e pastaj e kanë bërë Elmazi. Kam dalë me tre tetor nga burgu i fundit. Atëherë kam marrë vesh më mirë se kush ka qenë në izolim aty. Kur kam dalë, i kam pasur 37,5 kilogramë me tesha e me krejt çka kisha veshur e mbathur.

Kë e mbani mend nga shqiptarët në burgun e Nishit?

– Grupi ynë ka qenë komplet. 55 veta. Prej aty na kanë shpërndarë.

Po Aliun, ku e keni takuar?

– Aliun e kemi gjetur aty, kur na kanë sjell. Ai u lirua. E kemi gjetur edhe Kadri Halimin. Pas izolimit, e kam njohur Aliun.

Ne kemi qenë grupi i Ademit: Unë, Xaj Nura, Asim Vula, Fehmi Bajrami, Ahmet Haxhia, Beqir Uka, Nuredin Gërguri.

Në Nish, kush ishte aty, pos jush?

– Ishte i burgosur politik edhe Metush Krasniqi. Ai akuzohej për rezistencë kombëtare. Ai me një fjalë ishte tribun kombëtar dhe prija­tar i madh. Ai ka dalë pas plenumit dhe vetëm unë kam mbetur aty. Dikur na rroku edhe një amnisti dhe u liruam edhe ne.

A e keni njohur Sejdi Kryeziun?

– Po, e kam njohur. Ishte shumë patriot. Ishte rezistent i madh, por i përvuajtur shumë. Ka qenë pak edhe shëndetlig. Nuk ishte aq i ngritur, por shumë i sinqertë. Ai ka qenë vetë i dyti dhe nuk i donte Metushi, por nuk di pse. Ai ka qenë për politikë. Ata kanë qenë të izoluar prej nesh dhe atë izolim e ka shkaktuar Metushi. Ky tjetri më duket e ka pasur emrin Ismail. Sa di, ishin nga ana e Gjilanit apo e Kamenicës.

Punë të detyruar, a keni pasur?

– Po, si jo! Punonim me hekura. Pastaj me dru.

Po regjimi i burgut, a ju kujtohet, si ishte?

– Po dihet, si regjim burgu. Kemi pasur të kufizuar çdo gjë. Rresh­timi në mëngjes. Hanim atë ushqim mëngjesi dhe shkonim në punë. Ktheheshim nga puna për drekë. Na jepnin 600 gramë bukë, dhe prej asaj buke, çka ruanim vetë për darkë. Kështu ishte, sepse nuk na jepnin darkë. Dreka me mish thiu. Në mbrëmje çaj, pa asgjë tjetër. Pasi hanim drekë, kemi pasur shëtitjen një orë.

Po dhomat e fjetjes, si ishin?

– Të mëdha, me shtretër në kat.

Si ishte regjimi ndaj të burgosurve politikë?

– Një lloj ka qenë për të gjithë. Kemi qenë të përzier me të burgosur për krime.

A kishte provokatorë, apo ndonjë incident nga kriminelët?

– Jo!

Si silleshin gardianët ndaj jush?

– Jemi ruajtur prej tyre. Gjithmonë donin të gjenin shkas. Nuk u kemi dhënë shkas për asgjë. Ishim komplet në shëtitje, e po ashtu edhe në punë. Edhe ata që ishin të dënuar për krime të ndryshme, nuk kanë pasur rast për ndonjë incident me ne.

Sa keni vuajtur në Nish?

– Afër pesë vjet! Dola në vitin 1968.

Tamam paskeni dalë kur kanë ndodhur demonstratat?

– Një ditë me kanë marrë dhe më kanë mbyllur. Isha i inkuadruar me një shtator në Pejë. Pata hyrë në punë në Akademinë Pedagogjike, në normale. Aty edhe m’i dhanë katër klasë të maturantëve. Katër paralele. Udhëtoja nga Gjakova në Pejë. Dolën një grup burrash dhe nuk më lanë në rrugë. Kam punuar aty tre vjet. Ishin ata burra që nuk ua ndiente për asgjë. Në Gjakovë nuk më merrnin në punë.

Sa ju kanë mbajtur pas demonstratave të ’68-s?

– Jo, nuk me kanë mbajtur gjatë. Vetëm një ditë me kanë mbajtur në një zyrë. Pasi qenë bërë demonstratat, më kanë ndaluar. Ne po dëgjonim lajmet në radio për demonstratat që kishin ndodhur. Ishim bashkë me disa shokë në një shtëpi në Pejë. Radio zhurmonte nga demonstratat. Jemi çuar të shkonim në shtëpi nga ora dy a tre të natës. Na kanë marrë e na kanë futur në makinë, kur ishim në rrugë e sipër, duke shkuar në shtëpi. Në orët e vona më kanë arrestuar. Ishte atëherë një shqiptar, djalë i ri, që punonte në UDB. Nuk me kujtohet emri i tij. Ai ishte një pis, që punonte për UDB-në. Më vonë, ai qe bërë sekretar komiteti. Burgu i Gjakovës qe amortizuar fare. Na kanë futur në njëfarë ambienti të më marrin në pyetje, te njëfarë Bata. Më kanë marr mua e Besnik Hotin, Hydën jo. Një nxënës imi ishte aty me ta. Ai më ka thënë, më fal profesor, se na duhet të të marrim. Kadriu nuk ka pas dalë akoma nga trazira në Prishtinë. Nuk na e merr mendja që jeni përzier, por kemi autorizim t’ju ndalojmë. Ka qenë edhe një Shehu. Ka qenë një arsimtar i mirë, në shkollën ekonomike, ekolog i mirë. Mua më shkoi mendja se do të na çojnë në burg. Mos të harrojmë se burgu ishte shkatërruar dhe na fusin në një dhomë, ku linin disa gjera, si depo.

Erdhën të na kontrollonin. U thashë se ne jemi shqiptarë. U thashë, ku i keni vendimet që të na arrestoni ne?

Ai që e kisha pasur nxënës, po thotë, shkoni e thoni shefit për këtë. Në atë moment i kam thënë Asimit, mbylle gojën. Çka bëj, unë e di. Kisha edhe një revole. Po mendoj, kur të na fusin brenda, revolen e fus në “qyng”, siç e kisha parë kur kisha qenë në burg më herët, por tash isha në situatë krejt tjetër. Isha në vend e objekt krejt tjetër, nuk ishte tash ai burgu që kishte qenë më përpara. Tash aty nuk kishte burg. Ka ardhur një polic, katolik, Tahiri e ka pasur mbiemrin. Ai është sjellë mirë. Më thotë; ti kishe lypur vendim për arrestim!? Qe, bre profesor, nuk po të kontrolloj fare, edhe nëse ke revole. Mos ju ka urdhëruar UDB-a? – i thashë. Jo, më tha; je i ndaluar si preventiv. Unë do të të shoqëroj. Kur jemi ulur, aty kemi ndenjur deri u bë sabah. Më kanë thënë, çka do të hash për mëngjes? Na kanë sjellë qebapë. A doni cigare? Po! Edhe cigare na sollën.

Në Pejë kishte qenë demonstrata e parë, para një jave. Aty vërtet i kam përcjellë ata deri në qytet.

A ishit të informuar për demonstratën në Prishtinë?

– Jo, për Prishtinë, jo. Por për këtë që kishte ndodhur në Pejë, kemi pasur informatë. Me Prishtinë nuk kemi pasur kurrfarë kontakti, as Peja e as Gjakova. Ato në Pejë i kam përcjellë. Janë nisur nxënësit nga Normalja. Kanë shkuar përmes pazarit me daulle (tupanë). Kanë dal me flamur. Ajo ishte demonstratë e famshme. Atë e kam ditur. Këtyre që më ndaluan, po u them se për atë që ka ndodhur në Prishtinë, nuk di gjë. Ma dhanë me shkrim edhe një letër, për të arsyetuar mungesën në punë. Kam ndenjur gjithë ditën aty. Ai që më shoqëronte, kishte goxha dije. Për drekë na kanë sjellë patate me mish. Në mbrëmje me kanë çuar te shefi i seksionit të punëve të brendshme, Simë Blyta. Ky po na thotë se Prishtina na ka urdhëruar t’ju burgosim. Mundesh edhe të na paditësh për këtë. Po kujt t’i ankohem unë? I thashë se unë nuk jam përzier aty. Ani mirë!

Pasi na lëshuan, jam kthyer, e kam gjetur Kasemin me shoqen time. Gruaja kishte mbetur duke u sjellë nëpër oborr e duke thënë se Avniu ka revole me vete. E di kur e lë e kur e merr. Vërtet ishte ashtu.

Sa fëmijë keni pasur kur dolët nga burgu?

– Vetëm Nitën, pesë vjeç e gjysmë.

Sa punuat në Normale të Pejës?

– Tre vjet. Kam pasur përcjellje. Deri në vitin 1971. Pastaj shkova në punë në Entin e Teksteve e të Mjeteve mësimore të Kosovës, lektor. Me Ramush Ramën kisha punë. Një pis, titist i qelbosur. Ai atëherë paraqitej edhe si kryetar komune në Llap.

Sa keni punuar aty?

– Aty kam punuar deri në vitin 1991, kur më larguan nga puna si tepricë teknologjike. Në vitin 1993 dola në pension.

Si i përjetuat bombardimet?

– Një krizë e kam pasur gjatë burgut. Më kujtohet njëfarë Mlladiqi, që nuk me linte të qetë asnjëherë. Edhe kur isha në qeli, vinte atje dhe më provokonte. Njëherë i kishte dërguar dy veta, të burgosur, nuk di a ishin serbë a magjupë, a ku di unë, për atë fjalosjen që kisha pasur me drejtorin e burgut. Po duan të më fshijnë nga faqja e dheut. Nuk di si shpëtova. Njëri më kërcënoi të më ngulfaste. Kisha pësuar edhe një si krizë nervore, që më duket me ndjek edhe sot. Njëri ishte malazias dhe ka pasur do tipare të malësorit.

Ma kanë sjellë një tavolinë me një karrige. Flaka me dilte për një cigare. Dritarja nuk kishte xhama, por llamarinë hekuri me vrima. Hekur me vrima, verë e dimër. Shikoja tek shëtisnin ata të tjerët. Ishte njëfarë rrethi. Me dukeshin sikur derrkucë të vegjël. Një natë, në gjumë, ma kanë hapur derën dhe kanë hyrë nën shtrat dhe me kanë hedhur në tokë. Shtrati mbi mua. Mendova, mos ishte tërmet. Mbeta ashtu, as në gjumë, as zgjuar. Mos luaj, he nënën! Më kanë nxjerrë prej nënshtratit. Filluan të më godisnin. Ia kam nisur edhe vet të godisja, por ishte e kotë. Nja katër ditë, as nuk kam dalë shëtitje. Erdhën drejtori, me ata e më kanë këqyrë çka u bë. Njëherë me kanë lënë tri ditë pa ujë. Stanoja gjithnjë mendonte se unë jam organizatori. E pata tronditur atë drejtorin e Burgut, siç i thoshin, përmirësues. Më thotë njëri, çka ke bërë ashtu? Ai tjetri me thotë, jeni çmendur.

Atëherë fola e u thashë se unë nuk jam çmendur. Unë nuk e kam bërë atë. Unë jam i dënuar. Po thotë, kemi zbuluar prej teje diçka. Më është kujtuar Frojdi. Kam filluar të qesh. Hajde, ik, më thanë. I kam mbledhur ato gjëra, i kam çuar në vend. Atë shtrat nuk e ktheja dot në vend. Kaloi ajo. Mbeta aty 18 muaj. Kur ishte një maji, më kanë vizi­tuar në qeli. Nuk kisha duhan. Nuk kisha vizitë.

Unë e di që ti pi duhan, po më thotë njëri prej tyre. Nuk kisha të drejtë as për vizita as për pako. Ma ka dhënë ai një cigare. Nuk e kam pirë deri në gjysmë, e më ka pëlcitur e vjella. Kam mbetur aty deri më tre tetor. Aty e kam parë se ishte edhe Metushi.

Para se të dilja unë prej aty, ka ardhur Stanoja me një mjek. Po më thotë, keni kërkuar grevë urie. Aty e kemi provuar grevën e urisë. M’i kanë nxjerrë disa dhëmbë të shëndoshë. Me luanin të gjithë dhëmbët, 14 muaj izolim. Greva ishte shtatë ditë. Humbje e imunitetit ishte kjo. Me kanë vizituar, por i kanë bërë do analiza të syve. Po pyet njeri, qe sa ditë është këtu në birucë? I thanë, që 14 muaj. Ai i thoshte 14 muaj, e ky thoshte 14 ditë. Pastaj e përsëriste me zë, 14 ditë. Ky ia përsërit, 14 muaj që është këtu në birucë. Po, a po sheh se njeriu po vdes. Më kanë çuar në një spital të burgut. Atje, ky që thoshte 14 ditë, ka filluar të më japë infuzion, edhe po më thotë: Kam kuptuar që jeni profesor i gjuhës shqipe nga Gjakova. I thashë, po doni të më mbysni këtu. Ti a po sheh që jam shqiptar dhe jetoj në Beograd.

(Intervistë e realizuar nga Sami Dërmaku, botuar në librin “Dëshmi kohe” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Vijon.) /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian është zotuar të trajnojë edhe 15 mijë ushtarë…