Januzi, lojtari më i paguar në Kosovë

04 shkurt 2019 | 14:08

Ahmed Januzi është lojtari më i paguar në futbollin e Kosovës. Ish-sulmuesi kuqezi fiton rreth 50 mijë euro në vit.

Futbollistët që angazhohen në futbollin e Kosovës prej pranimit në UEFA dhe FIFA kanë filluar të fitojnë më shumë nga loja më e popullarizuar në botë, futbolli. Ish-sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë në futboll, Ahmed Januzi, është aktualisht lojtari më i paguar në futbollin e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për “Epokën e re” drejtori i skuadrës së Llapit, Tahir Batatina. Sipas tij, futbollistët e skuadrës nga Podujeva i kanë kushtet dhe pagat më të mëdha në Kosovë, kurse sulmuesi që ka bërë karrierë edhe në Shqipëri dhe Ukrainë, Ahmed Januzi, i prin kësaj “valle”, pasi fiton rreth 50 mijë euro në vit. “Futbollistët e Kosovës kushtet më të mira i kanë në skuadrën e Llapit, pasi të ardhurat e tyre janë shumë të larta. Januzi dhe të tjerët paguhen mbi 45 mijë euro në vit. Ish-sulmuesi i Shqipërisë është lojtari më i paguar në Kosovë”, ka thënë Batatina, i cili me këtë rast konfirmoi se gjendja financiare në skuadrën që pretendon titullin e kampionit është mjaft e mirë. “Kjo tregon për gjendjen financiare në klubin tonë. Falë donatorëve të fuqishëm asnjëherë nuk kemi pasur krizë financiare, prandaj edhe lojtarët paguhen më së shumti në Kosovë”, ka shtuar ai.

Sulmuesi Ahmed Januzi gjatë verës nga Prishtina u transferua te Llapi, duke regjistruar vetëm tri paraqitje për shkak të lëndimit. 30-vjeçari që ka bërë karrierë edhe në skuadrën e Besës së Kavajës dhe Vorskla Poltavae ka tejkaluar lëndimin dhe është i gatshëm për sezonin pranveror. Gazeta ka mësuar se paga të majme në skuadrën e Llapit marrin edhe Mentor Zhdrella, Behar Maliqi, Hamdi Namani e të tjerë. Skuadra e Llapit në sezonin vjeshtor kishte disa telashe, ku edhe u eliminua nga gara e Kupës, kurse kampionatin e mbylli në pozitën e tretë pas Feronikelit dhe Prishtinës.

Në afatin kalimtar të janarit, me synim që ta ndjekë titullin kampion, Llapi ka angazhuar trajnerin Xhengis Rexhepi dhe ka transferuar nëntë futbollistë: Blendi Miftari, Flamur Bajrami, Elvis Prenqi, Miran Maksuti, Lorik Aliu, Rron Statovci, Remzi Selmani, Hajdin Salihu, Donik Osmani.

 

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, ka…