Jashar Salihu, një jetë kushtuar kombit

25 shtator 2020 | 18:11

Jashar Salihu, ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, në Zvicër, dhe njëherësh ish-kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”.

Që nga vitet e 70-ta, Jashar Salihu ishte anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve shqiptare në ish-Jugosllavi, respektivisht ndër anëtarët më aktivë të grupeve ilegale të asaj kohe që vepronte brenda organizatës ilegale të quajtur Komiteti për Deçan.

Më 1 maj të vitit 1990, do ta drejtojë tubimin te Verrat e Llukës, ku kishte më se 500 mijë të pranishëm nga të gjitha trevat shqiptare, ku do të arriheshin 106 pajtime: 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.

Në fund të atij viti e arrestojnë dhe e torturojnë barbarisht. Por, asgjë nuk përfundon me kaq, ndjekja e tij do të vazhdojë edhe më tutje, në çdo hap, deri aty sa edhe ta detyrojnë që të marrë rrugën e mërgimit.

Veprimtaria e tij politike, në kuadër të ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës, vetëm se do të shënojë ngritje dhe do të marrë dimensione të reja, të shumanshme.

Duke qenë paraprakisht në hierarkinë më të lartë drejtuese të saj, me nismën e tij në vitin 1993 do të formohet Fondi “Vendlindja thërret”, i cili fillim e mbarim ka qenë në funksion të formimit të vetëfinancimit të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga ky vit, pra që nga koha e themelimit, Jashar Salihu ka qenë kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”.

Në sensibilizimin e opinionit perëndimor me të vërtetën për luftën e drejtë të Kosovës kundër forcave kriminale të Slobodan Millosheviqit, roli i Jasharit është i pazëvendësueshëm, dhe, rrjedhimisht, po dëshmohej se jo rastësisht ishte në kuadër të Drejtorisë Politike të UÇK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 93 vota për, përfshirë…