Jashari nënshkroi kontratat për bursa me 170 studentë përfitues

12 gusht 2020 | 14:56

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka nënshkruar kontratat për bursa me 170 studentë, në shumën prej 300 euro, për studentët e universiteteve publike në Kosovë.

Pasi ka uruar të rinjtë për ditën e rinisë dhe përfitimin e bursës nga komuna, Jashari ka vlerësuar lartë kontributin historik të rinisë duke deklaruar se vullneti, vizioni dhe guximi i rinisë për mbrojtjen e vendit, historisë, kulturës e arsimit është shembull që duhet ndjekur edhe sot nga ju të rinj dhe gjeneratat që vijnë.

“Jam i vetëdijshëm me pozitën tuaj në shoqëri, me sfidat që keni në rrugën tuaj të ngritjes profesionale, vështirësitë për tu punësuar, por në asnjë mënyrë nuk duhet të zhgënjeheni, sepse jeni ju ata që duhet të bëni ndryshimin, ju jeni vetë ndryshimi që duhet sjellë në vendin tonë. Ndryshimi arrihet me punë, me aktivizim rinor e qytetar, me përgatitje profesionale, bashkim të ideve e kapaciteteve që keni, në mënyrë që të jetësojmë amanetin e atyre që dhanë jetën për të pasur një shtet të zhvilluar, në shërbim të qytetarëve dhe mirëqenies së tyre”, deklaroi Kryetari Jashari, duke shtuar se beson në në potencialin që ka rinia jonë.

“Njëjtë do t’i keni hapur dyert edhe ju, sepse unë besoj në rini dhe kapacitetet e tyre për të zgjidhur problemet dhe sfidat që kemi para nesh, prandaj përkrahja ime dhe e komunës që unë udhëheq nuk do të mungojë asnjëherë”, ka thënë Jashari. Ndërsa në emër të studentëve në këtë ceremoni ka folur studentja Shqipdona Ademi, e cila ka falënderuar kryetarin Jashari për përkrahjen dhe angazhimin e tij për të rinjtë e komunës së Skenderajt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka akuzuar Ministrin e…