Javën e ardhshme inaugurohet fabrika për trajtimin e ujërave të zeza

13 korrik 2018 | 14:24

Javën e ardhshme në Prishtinë do të inaugurohet fabrika e dytë për trajtimin e ujërave të zeza në vlerë prej 700 mijë euro. Kjo fabrikë do të jetë në menaxhimin e Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina”.

Ceremonia e inaugurimit të kësaj fabrike do të mbahet më 17 korrik në orën 10:00 në vendin e fabrikës së sapondërtuar në bregun lindor të liqenit të Badocit, pranë fshatit Mramor. Në inaugurimin e kësaj fabrike do të marrë pjesë ambasadori i Republikës Çeke, Ivo Silhavy, drejtori i Agjencisë së zhvillimit çek, Pavel Frelich, përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, etj.

Pjesë e ceremonisë do të jetë edhe demonstrimi dhe shpjegimi i proceseve të trajtimit të ujërave të zeza.

Ky projekt është financuar nga Republika Çeke në kuadër të programit çek të bashkëpunimit dhe zhvillimit, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe është bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës dhe KRU “Prishtina”. Projekti në fjalë paraqet një moment të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të mjedisit në Kosovë.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Ragip Gjoshi, krijimtarisë…