Jeta ime

03 janar 2024 | 09:12

TOMAS TRANSTRÖMER

Kur i mendoj këto fjalë parasysh më shfaqet një rreze drite. Në një vështrim më të afërt rrezja e diellit ka formën e një komete me kokë dhe bisht. Skaji më i ndritshëm, koka, është fëmijëria dhe rinia. Bërthama, pjesa më e ngjeshur, është fëmi­jëria shumë e hershme kur përcaktohen vetitë më të rëndësi­shme të jetës sonë. Përpiqem ta kujtoj, përpiqem të depërtoj aty, por është e vështirë të lëvizësh në këto regjione të dendura. Është e rrezikshme. Më duket sikur afrohem afër vdekjes. Kah fundi kometa hollohet – është pjesa më e gjatë, bishti. Ajo bëhet më e rrallë dhe më e gjerë. Tani jam larg në bishtin e kometës. Jam gjashtëdhjetë vjeç kur po e shkruaj këtë. Përjetimet më të hershme në pjesën më të madhe janë të pakapshme; ritregimi, kujtimet e kujtimeve, rekonstruksioniet e bazuara nga atmosfe­rat e ndezura befas.

Kujtimi i parë i shënuar është një ndjenjë krenarie. Sapo kam mbushur tre vjet dhe më kanë thënë se kjo është shumë kuptim­plotë se tani jam rritur. Qëndroj shtrirë në shtrat në një dhomë të ndriçuar, pastaj zbres në dysheme, jashtëzakonisht i vetëdij­shëm se po bëhem i madh. Kam një kukull të cilën e kam pagë­zuar me emrin më të bukur që kam mundur ta gjej: KARIN SPINNA. Nuk e trajtoj si fëmijë. Më tepër ajo është një shoqe, një dashuri.

Ne banojmë në lagjen Söder të Stockholmit, në adresën Swedenborgsgatan 33, (tani Grindsgatan). Babai ende është pjesë e familjes, por së shpejti nuk do të jetë më. Stili është mjaft “modern”, që nga fillimi unë i thërras prindërit e mi me “ti”. Në afërsi janë gjyshja dhe gjyshi. Ata banojnë në këndin e rrugës Blekingegatan.

Gjyshi Carl Helmer Westerberg lindi më 1860. Ishte drejtues anijesh dhe shoku im shumë i afërt, 71 vjet më i madh se unë. Çuditërisht, në raport me moshën edhe ai kishte të njëjtin dallim moshe me gjyshin e tij, i cili kishte lindur më 1789: Bastilioni sulmohet, Revolta e Anjalës, Mozarti komponoi kuintetin për klarinet. Dy hapa po aq të mëdhenj prapa, dy hapa të gjatë, ndonëse jo dhe aq të gjatë. Mund ta prekja horizontin.

Gjyshi fliste me gjuhën e shek. XVIII. Shumë shprehi sot do t’ konsideronim vetvetiu të vjetruara. Në gojën e tij, dhe për mua, tingëllonin shumë të natyrshme. Ai ishte një burrë trup­shkurtër, me mustaqe të bardha dhe me një hundë të mprehtë, paksa të lëshuar “si një turk”, siç thoshte vetë. Nuk është se ai nuk ishte temperament dhe nuk nxehej. Një shpërthim emo­cional nuk merrej asnjëherë seriozisht dhe i kalonte menjëherë. Në të vërtetë, ai ishte aq paqësor sa ekzistonte rreziku të cilë­sohej si i pavendosur. Ai dëshironte të mbante një qëndrim parimor edhe ndaj personave që nuk ishin të pranishëm për ata që përfliteshin gjatë bisedave të zakonshme.

– Por, baba, mbase duhet ta pranosh se X është një maskara!

– Dëgjo, kjo nuk më është e njohur.

Pas divorcit nëna ime u shpërngul në rrugën Folkkungsgatan 57, një shtëpi për shtresën mesme.

Aty banonin njerëz të ndryshëm shumë afër me njëri-tjetrin. Kujtimet për shtëpinë strukturohen afërsisht si një film i viteve ’30 apo ’40, me një galeri personazhesh që do të veprojnë aty. Gruaja e dashur e rojës në hyrje, e rojtarit të fuqishëm të cilin e adhuroja, ndër të tjera, se ishte i helmuar me gaz – tregonte një afërsi timen heroike ndaj njerëzve të rrezikshëm.

Ishte një qarkullim i rralluar i të paaftëve. Ndonjëri nga pija­necët mund të ngrihej sërish në hyrje të shkallëve.

Në derë trokisnin lypsarë disa herë në javë. Qëndronin duke murmuritur korridorit. Nëna u afronte ndonjë sandviç, u jepte rriska buke në vend të parave.

Ne banonim në katin e pestë, pra në katin më të lartë. Ishin katër dyer, përveç derës së tarracës. Në njërën derë shkruante Orke, një fotoreporter gazete. Në njëfarë mënyre ishte fascionu­ese të banoje përballë një fotoreporteri.

Fqinji ynë më i afërt, ai që dëgjohej nga ana tjetër e murit, ishte një burrë i pamartuar, mezoburrë, me lëkurë të zbehur. Ai kishte profesionin në shtëpi, një lloj agjencie telefonash. Gjatë bisedave telefonike të qeshurat dhe gajasjet e tij depërtonin kën­dej murit. Një zë tjetër që vinte vazhdimisht ishte shpërthimi i tapave. Shishet “pilsner” në atë kohë nuk kishin kapsula. Këta tinguj dionisianë, gajasja dhe shpërthimi i tapave, dukej sikur nuk përshtateshin me xhaxhanë e zbehtë si hije të cilin e takoja nganjëherë në ashensor. Me kalimin e viteve ai u bë person më i dyshimtë dhe gajasjet e tij më të rralluara.

Një herë shpërtheu në agresivitet. Isha i vogël. Një fqinjin tonë e kishte dëbuar nga banesa gruaja e tij. Ai ishte i dehur dhe i zemëruar, ndërsa gruaja kishte barrikaduar veten. Ai përpiqej ta thyente derën duke bërtitur dhe kërcënuar. Atë që mbaj në mendje është bërtitja e tij me këto fjalë të çuditshme:

– Në djall, aq më bën se shkoj në Kungsholmen!

– Çfarë mendon ai me Kungsholmen? pyesja nënën.

Ajo më shpjegonte se në Kungsholmen ishte stacioni i poli­cisë.

Lagjja jonë përjetoi një ngjarje të tmerrshme. (Erdhën përfor­cime të mëtejme kur unë vizitoja Spitalin e Shën Erikut dhe shikoja episode të luftës nga Finlanda, të lënduar që mjekohe­shin aty në dimrin e vitit ’39-’40.)

Nëna shkonte në punë herët në mëngjes. Ajo nuk merrte makinën, por shkonte gjithnjë në këmbë. Gjatë gjithë jetës ajo kishte ecur deri në punë mes Söder dhe Östermalm. Punonte në çerdhen e fëmijëve Hedvig Eleonora dhe kujdesej për klasën e tretë dhe të katërt gjeneratë pas gjenerate. Ishte një mësuese e përkushtuar dhe i donte shumë fëmijët. Mund të supozohet se ajo do ta kishte të vështirë kur të pensionohej. Por nuk ishte ashtu. Ajo ndjeu një lehtësim të madh. Nëna, pra, punonte në profesionin e vet dhe ne kishim shërbëtore në shtëpi, apo “dado” siç quhej atëherë, ndonëse do të duhej të quhej kujdestare. Ajo flinte në shtëpinë tonë në një dhomë të vogël që ishte ngjitur me kuzhinën dhe nuk llogaritej në hapësirën e banesës dydho­mëshe me kuzhinë siç ishte e shkruar zyrtarisht në kontratën e banesës sonë.

Isha 5-6 vjeç. Kujdestarja e shtëpisë quhej Anna-Lisa dhe ishte nga qyteti Eslöv. Më dukej se ajo ishte shumë tërheqëse: me flokët e bardha kaçurrele, me hundën e drejtë, me një të folur të butë në dialektin skonsk. Ishte një njeri i hareshëm. Edhe tani ndiej diçka të veçantë kur kaloj pranë stacionit Eslöv. Por asnjëherë nuk kam zbritur në atë vend magjepsës.

Kishte aftësi të vizatonte shumë bukur. Ishte mjeshtre për t’i vizatuar figurat Disney. Unë vizatoja thuajse vazhdimisht gjatë këtyre viteve. Ishte fundi i viteve ’30. Gjyshi sillte në shtëpi tuba të bardha letrash, aso që përdoreshin nëpër të gjitha dyqa­net e asaj kohe, dhe unë i mbushja letrat me seri vizatimesh. Shkronjat, natyrisht, i kisha mësuar në moshën pesëvjeçare. Por shkrimi më shkonte më ngadalë. Fantazia kërkonte mjete më të shpejta shprehëse. As për të vizatuar nuk e kisha durimin e duhur. Unë e zhvillova një skenografi figurash dhe trupash në lëvizje të dhunshme dhe me dramatikë të rrezikshme, por të pahollësishme. Ishin seri vizatimesh që konsumoheshin vetëm nga unë. Kah mesi i viteve ’30 kam humbur mu në qendër të Stockholmit. Nëna dhe unë ishim në koncertin e shkollës. Në turmën pranë Shtëpisë së Koncerteve jam shkëputur nga dora e nënës. Turma e njerëzve më kishte bartur tutje pa u vërejtur ngaqë isha i vogël. Kishte rënë muzgu në sheshin Hötorget. Kam qëndruar aty shumë i shqetësuar. Kishte njerëz gjith­andej, por ata ishin të zënë me punët e tyre. Nuk dija kah të drejtohesha. Kjo ishte ndjesia ime e parë për vdekjen.

Pas një çasti paniku fillova të mendoja. Duhet të jetë i mundur kthimi në shtëpi. Absolutisht i mundshëm. Ne kishim ardhur me autobus. Kisha qëndruar ulur në gjunjë në ulësen e pëlqyer duke vështruar jashtë dritares së autobusit. Kishim kaluar nëpër rrugën Drottningsgatan. Tani duhej vetëm të kthehesha rrugës së njëjtë, stacion pas stacioni.

Po shkoja në drejtimin e duhur. Nga rruga e gjatë në këmbë më kujtohet qartë vetëm një episod: arrita te Norrbro dhe pashë ujin. Trafiku ishte i dendur dhe s’kisha guxim ta kaloja rrugën. Iu drejtova një burri aty pranë meje duke i thënë:

“Këtu ka shumë vetura”. Ai më mori për dore dhe më përcolli derisa kalova rrugën.

Por pastaj ai më la aty. Nuk di përse ai dhe të gjithë të rriturit e panjohur aty, pra nuk di pse mendonin që ishte çdo gjë në rregull që një djalë i vogël po ecte vetëm nëpër Stockholm në mbrëmjen e errët. Por kështu ishte. Rruga e mbetur – nëpër Gamla Stan, Slussen dhe nëpër Söder duhet të ketë qenë e ndër­likuar. Mbase shkoja drejt cakut me anë të një kompasi mister­ioz që kanë qentë dhe pëllumbat e letrave – ata gjithmonë e gjejnë vendin e kërkuar pavarësisht ku i lëshojnë. Nuk më kuj­tohet asgjë rreth kësaj pjese. Po, që vetëbesimi im rritej vazhdi­misht dhe kur arrita në shtëpi isha në gjendje dehjeje. Gjyshi ishte i qetë. Nëna e thyer kishte qëndruar në polici duke përcjell vëzhgimet. Nervat e buta të gjyshit s’e tradhtuan; ai më pranoi i qetë. Ishte i gëzuar, kuptohet, por nuk e dramatizonte. Çdo gjë rrodhi mirë dhe natyrshëm.

Përktheu nga origjinali: Qerim Raqi. Marrë nga numri 18 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
SELMA LAGERLÖF Jemi ulur në tryezën e madhe në mbrëmjen…