Junckeri: Brexit-i pa marrëveshje, i mundshëm edhe pas zgjatjes së afatit

21 prill 2019 | 15:50

Mundësia e largimit nga Bashkimi Evropian (BE) pa marrëveshje, është e mundshme përkundër shtyrjes së afatit, ka thënë të shtunën në një intervistë për gazetën gjermane “FUNKE”, presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, raporton “Reuters”.

Komentet e presidentit vijnë një javë pas shtyrjes së afatit për 6 muaj të BE-së ndaj Britanisë së Madhe.

“Askush nuk e di se si do të përfundojë Brexit-i. Kjo po krijon shumë paqartësi. Ende ekziston një frikë se dalja e Britanisë do të jetë pa asnjë marrëveshje”, ka thënë Junckeri.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë pajtuar për shtyrjen e datës së Brexit-it, apo të daljes së Britanisë nga BE-ja, deri më 31 tetor.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, e ka përshkruar marrëveshjen si “shtyrje fleksibile”, duke thënë se ajo nënkupton “gjashtë muaj shtesë për Mbretërinë e Bashkuar, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme”.

“Ju lutem, mos humbni kohë”, kishte thënë Tusk.

Britania ka vendosur për largimin nga BE-ja në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje do të shkaktonte kaos ekonomik në Britani, por edhe në BE.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth, monarkja me jetëgjatësinë më…